Bota

​Pandemia në gjykata, shumë raste penale kthehen në pikën zero

0
​pandemia-ne-gjykata,-shume-raste-penale-kthehen-ne-piken-zero

Që nga data 16 mars kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim që të kufizohet aktiviteti brenda gjykatave, e deri pas lehtësimit të masave, këto institucione kanë trajtuar vetëm çështje urgjente dhe si pasojë janë anuluar të gjitha seancat që nuk paraqesin urgjencë.

Në kuadër të këtyre lëndëve bëjnë pjesë edhe raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë raste të transferuara nga EULEX.

Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës,të cilët monitorojnë sistemin gjyqësor në Kosovë, thotë për KosovaPress, se ky sistem në Kosovë po përballet me rigjykime e vonesa të shumta. Ai thekson se zvarritje të tilla paraqesin shkelje serioze të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, tregon se vetëm 30 për qind e të burgosurve në institucionet korrektuese trajtohen si të dënuar.

“Kjo vetëm e ka vështirësuar më shumë situatën me pandeminë në Kosovë. Rigjykime ka shumë në sistemin tonë gjyqësor, por ne si organizatë i kemi kritikuar shumë. Rigjykimet i kanë vonuar shumë lëndët për të përfunduar. Është shkelur parimi i gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme. Kjo gjithsesi lidhet me paraburgimin, ku shumë raste, rreth 40 për qind e popullsisë totale të burgjeve apo të burgosurve në institucionet korrektuese, janë të paraburgosur. Ndërsa, rreth 70 për qind të gjithë totalit të tyre, janë pa një aktvendim, pa një aktgjykim të formës së prerë nga sistemi gjyqësor. Nëse e shohim këtë perspektivë vetëm 30 për qind të popullsisë të burgosurve ose në burgje, trajtohen si të dënuar. Kur janë të dënuar kanë shumë të drejta, ndërsa si të paraburgosur prekën shumë dhe u cenohet parimi i prezumimit të pafajësisë”, shton Muriqi.

Se pandemia ka ndikuar në trajtimin e lëndëve e thotë edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai thekson se prej kur ka nisur pandemia, një numër i madh i lëndëve në çështje penale, nuk janë trajtuar e po ashtu nuk kanë arritur të mbajnë seanca gjyqësore mbi tre muaj.

“Që nga koha kur ka filluar pandemia në një numër të madh të lëndëve në çështje penale trupat gjykuese nuk kanë arritur të mbajnë seanca gjyqësore mbi tre muaj, që në bazë të Kodit të Procedurës Penale, gjykimet në këto raste duhet të nisin nga fillimi. Në kuadër të këtyre lëndëve bëjnë pjesë edhe raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë raste të transferuara nga EULEX. IKD gjatë kohës së miratimit të ligjit për Pandemi kishte kërkuar të konsultohen të gjitha grupet e interesit përfshirë sistemin gjyqësor për të adresuar problemet dhe pengesat që paraqiten në kohë pandemie për tu adresuar në këtë ligj. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur duke ndikuar që shumë raste penale të kthehen në pikën zero”, ka theksuar ai.

Kodi i Procedurës Penale specifikon se kur nuk ka seancë për tre muaj, rasti kthehet në pikën zero. Sipas nenit 311, pika 3 e Kodit të Procedurës Penale:

“Kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Zyrtarja për informim me publikun në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj-Berisha për KosovaPress, tregon numrin e lëndëve të mbetura, ku seanca ka zgjatur më shumë se tre muaj.

“Sa i përket numrit të rasteve, ku seanca ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj, sipas nenit 311 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, të përditësuara deri më dt. 30.10.2020 është si në vijim : 472 lëndë ku prej tyre kanë përfunduar 106 lëndë, ndërsa për 366 lëndët e mbetura në punë janë caktuar gjithsej 385 seanca”, është përgjigjur ajo.

Rastet e kthyera në rigjykim, Alban Muriqi thotë se duhet të trajtohen me prioritet, meqë me mungesë të seancave, është vështirësuar parimi i gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

“Sistemi gjyqësor po ashtu me Odën e Avokatëve të Kosovës, Këshilli Gjyqësor në këtë rast duhet që të marrë masa konkrete që ta lehtësojë komunikimin, të mbajë seanca online, të zgjedh forma përmes platformave të ndryshme, pasi kjo situatë po vazhdon që sa muaj dhe mund të vazhdojë edhe më tutje. Në këtë situatë kemi të bëjmë me shkelje serioze të të drejtave të njeriut”, deklaron ai.

Veç tjerash, thekson se përfaqësimi i palëve është vështirësuar gjatë pandemisë, dhe kështu seancat e caktimit të paraburgimit janë mbajtur pa prezencën e avokatëve. Për këtë, Muriqi konsideron se është shkelje ligjore, meqë nuk ka mbrojtje efikase, ashtu siç kërkohet në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Mos-mbajtja e seancave gjyqësore gjatë pandemisë është përmendur edhe në Raportin për Kosovën të vitit 2020 nga Komisioni Evropian.

“Pandemia COVID-19 kufizoi mbajtjen e seancave gjyqësore në Kosovë; megjithatë Kodi i Procedurës Penale specifikon që nëse nuk mbahen seanca dëgjimore për 3 muaj, gjykimi duhet të fillojë rishtas. Një numër i rëndësishëm gjykimesh penale (përfshirë ato të profilit të lartë) mund të preken nga ky rregull”, thuhet në Raportin për Kosovën.

Për këtë thuhet se autoritetet e Kosovës duhet të ndjekin këtë çështje dhe të marrin masat e nevojshme për të siguruar drejtësi efektive dhe efikase./kp

Lexo të tjera