Lajme

​Qeveria do të ndihmojë gastronominë në pagesën e qirave dhe pagave të punëtorëve

0
​qeveria-do-te-ndihmoje-gastronomine-ne-pagesen-e-qirave-dhe-pagave-te-punetoreve

Në një konferencë për media të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, u tha se masat e ndërmarra janë bërë me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve, por që u shprehen se do ta kenë parasysh edhe shëndetin e ekonomisë së vendit.

Derisa u vlerësua se situata me pandemisë COVID-19 në Kosovë është shumë e rënduar, marrja e masave ka qenë e paevitueshme.

Ministri Murati tha se kanë bërë të pamundurën që të ruhet edhe shëndeti ekonomik i vendit.

“Të mbështeten qiratë, pra shpenzimet fikse dhe pagat e punëtorëve. Synimi ynë si Ministri e Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë që të ruhet shëndeti ekonomik, por pikë së pari të ruhen vendet e punës, meqenëse ato vende të punës pra sigurojnë familje të tëra dhe mbështesin familje të tëra. Siç edhe e thash shumë shpejt do të dalim me masa konkrete. Në ditët në vijim do t’i takojmë përfaqësuesit e sektorëve në fjalë dhe bashkë me ta do të dakordohemi përfundimisht se cilat do të jenë masat. Pra, e thash subvencionimi dhe mbështetja në shpenzimet fikse, qiratë dhe punëtorët, mirëpo prapë ka dallime se jo çdo sektor ka ngjashmëri ose është i njëjtë, ka dallime dhe ka specifika për secilin sektor andaj për çdo sektor duhet të bëhet dizajnim më specifik”, tha ai.

Murati tha se shumë shpejt do të dalin me masa konkrete, derisa shtoi se shuma e mjeteve do të përcaktohet vetëm atëherë kur të specifikohen të dhënat përmes sistemit të ATK-së.

Mjetet për këto ndihma për sektorin e gastronomisë, Murati tha se mund të merren brenda kufijve buxhetorë.

I pyetur se a do të ketë një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike, ai tha se për të mund të flitet vetëm pas tejkalimit të fazës emergjente.

“Nuk po flasim këtu për një pako të rimëkëmbjes meqenëse jemi në një situatë emergjente dhe ideja është që të marrim kundërveprime për ata sektorë që ndikohen nga masat. Pra, për çdo veprim që merret në aspektin shëndetësor të merret edhe një kundërveprim në aspektin financiar ashtu që të ruhet shëndeti i ekonomisë. Sa i përket pakos së rimëkëmbjes ajo do të vijë dhe do të ketë përfshirje shumë më të gjerë edhe shpresojmë se këtu duhet të shikohet edhe më afatgjatë, masat e tanishme le të mos i shohim si diçka kufizuese po si një përgatitje për verën që na pret kur e kemi edhe diasporën këtu, e potencialisht pra të shfrytëzojmë tërë kapacitetin ekonomik dhe tërë kapitalin që mund ta mobilizojmë në mënyrë që të kemi një rimëkëmbje sa më të shpejtë. Pra, për rimëkëmbje ekonomike do të jetë vetëm pasi ta kemi kaluar fazën emergjente, tanimë jemi në një fazë të menaxhimit emergjent ku rastet i keni parë edhe vetë edhe kemi ndërhyrje specifike në sektorët specifik, pra nuk bëhet fjalë për një pako gjithëpërfshirëse”, tha Murati.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se situata me COVID-19 në Kosovë është shumë e rënduar sidomos në institucionet shëndetësore. Ai tha se vetëm në 24 orët e fundit janë 14 raste të vdekjeve me COVID-19.

“Situata është e rëndë, sidomos në institucionet tona shëndetësore. Varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm, sepse përhapet shumë më shpejt, është shumë agresiv dhe i prek moshat e reja, të cilët do të vaksinohen në fazën e tretë të planit të vaksinimit të hartuar më herët. Ne duhet të mbrojmë jetën e secilit, sepse çdo jetë është e vlefshme, e drejta për jetë është mbi të gjitha të tjerat. Masat kufizuese pavarësisht të gjitha masave që janë provuar janë dëshmuar si më të efektshmet për futjen nën kontroll të menaxhimit të pandemisë, për këtë kemi nevojë të gjithë tani. Meqë situata është rënduar përfshirë këtu edhe pas fillimit të vaksinimit. Kemi shembuj si Franca, Italia, Belgjika, Britania e Madhe e të tjera që ndonëse kanë filluar vaksinimin me muaj para nesh edhe me intensitet shumëfish më të lartë se te ne ka në fuqi masa tejet kufizuese deri në mbyllje të plotë. Prandaj, kujdesi i shtuar dhe masat e reja, përfshirë ato kufizuese e komplementojnë procesin e vaksinimit veçanërisht tani kur procesi i vaksinimit është ende në stadin fillestar”, tha Vitia.

Në një situatë të rënduar të trendit të rritjes së rasteve, ministri Vitia tha se duhet të bëjnë gjithçka që kjo të ndalohet. Ai tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për të siguruar doza të vaksinave, e për këtë tha po punojnë tërë kabineti qeveritar, kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani.
“Presim edhe kontingjentin tjetër prej 76 mijë dozave në fund të prillit ose në fillim të majit siç na është konfirmuar nga ky mekanizëm. Mirëpo, për çdo datë të saktë që do ta kemi juve, do t’ju njoftojmë. Në anën tjetër po qeveria ka ndarë mjaftueshëm buxhet për blerjen e vaksinave, por ky proces nuk është edhe shumë i thjeshtë në kuptimin që duhet të negociohet me kompanitë prodhuese, të cilat kanë disa kritere në këtë proces, duke filluar nga ajo që është dashur të kontaktohen dhe të vihet kontakti shumë më herët dhe tani jemi në kontakt, kemi intensifikuar edhe përpjekjet e bisedimeve me ta dhe mund të them që së shpejti mund të kemi lajme të mira në raport me disa nga këto kompani që do të na mundësojnë që t’i blejmë vaksinat nga këto kompani prodhuese”, tha Vitia.

I pyetur rreth lajmeve se ditëve në vijim do të vijnë 1 milion vaksina me çmim 15 euro për dozë, Vitia tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se nuk kanë asnjë konfirmim nga asnjë kompani.

Kreu i Shëndetësisë tha se kanë qenë të detyruar të marrin masa kufizuese, duke e parë përhapjen e variantit britanik në Kosovë.

“Testimi për variantin britanik është bërë fundi i marsit ndoshta janë mbledhur mostrat, mirëpo ne në raportin që e kemi marrë nga IKSHPK ka qenë me datën 3 prill. Janë dërguar siç kemi biseduar më herët 147 mostra nga të cilat 97.28 për qind kanë dalë që janë nga varianti britanik. Kjo na konfirmon që në Kosovë tani varianti britanik i virusit SARS-COV-2 është dominues me mbi 95 për qind. Natyrisht se ky ka qenë alarmi kryesor te ne, sepse ky variant përveç që shpërndahet më shpejt është më agresiv dhe prek edhe moshat e reja dhe kjo ka qenë një nga bazat e marrjes së vendimeve, të cilat i kemi marrë, sepse tani nuk janë të rrezikuara vetëm moshat e shtyra, pavarësisht se për ne secili qytetarë dhe secila moshë është po aq e vlefshme, mirëpo tani në raport me shpërndarjen e virusit duke qenë se popullata jonë është kryesisht e re dhe për shkak se pjesa më aktive që dalin është rinia dhe duke pasur parasysh se ky variant i atakon këtë pjesë, atëherë ne kemi qenë të detyruar që të ndërmarrim masa”, tha Vitia.

Lexo të tjera