Lajme

​Shtëpia e Bardhë deklaron se gjendja e Trump është më e rëndë sesa u tha më parë

0
​shtepia-e-bardhe-deklaron-se-gjendja-e-trump-eshte-me-e-rende-sesa-u-tha-me-pare

Në një intervistë për Fox News, Meadows komentoi raportet kontradiktore dhe të paqarta në lidhje me shëndetin e presidentit 74-vjeçar, i cili kontraktoi COVID-19, transmeton lajmi.net.

“Dje në mëngjes ishim vërtet të shqetësuar. Ai kishte ethe dhe niveli i oksigjenit në gjak kishte rënë. Por, në stilin e tij tipik, presidenti ishte në këmbë dhe po ecte,” tha Meadows.

“Unë mund t’ju them këtë, gjëja më e rëndësishme është që tani nuk ka ethe dhe se presidenti është me të vërtetë mirë kur bëhet fjalë për ngopjen e gjakut me oksigjen”, shtoi ai.

Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Meadows, thanë të premten se presidenti ka “simptoma të lehta” dhe se ai po vazhdon të punojë. Por mjekët nga Spitali Ushtarak Walter Reed dhe Spitali Johns Hopkins rekomanduan që Trump të transferohej në spital.

“Gjendja e tij është përmirësuar jashtëzakonisht shumë që nga dje në mëngjes, veçanërisht kur e di që një numër i madh njerëzish, përfshirë mua dhe mjekun, janë shumë të shqetësuar”, tha Meadows.

Një ditë pas mesazheve kontradiktore nga Shtëpia e Bardhë, Trump iu drejtua publikut nga spitali përmes Twitter duke thënë se ai ndihej “shumë më mirë” dhe shpreson ‘të kthehet së shpejti’.

I pari i SHBA-ve u transferua me helikopter nga Shtëpia e Bardhë në Walter Reed, jo shumë larg Uashingtonit, të premten, rreth orës 17.00, pasi ai njoftoi se ishte i infektuar. /Lajmi.net/

Lexo të tjera