Bota

Afër ëndrrës që vazhdon të jetë larg – Kosova me mungesa, por me kualitete në secilën pozitë

0
afer-endrres-qe-vazhdon-te-jete-larg-–-kosova-me-mungesa,-por-me-kualitete-ne-secilen-pozite

Kampionati Evropian 2020 tashmë është dy fitore larg për Dardanët, të cilët sonte luajnë në Shkup, ndaj Maqedonisë së Veriut, shkruan lajmi.net.

Në këtë ndeshje, entuziazmi te kombëtarja e Kosovës nuk është më i larti i mundshëm, pasi para ndeshjes, jemi njoftuar me mungesa të shumta në grup. Por, kjo jo domosdoshmërisht është negative.

Lojtarët e Kosovës kanë motivimin me vete. Luajnë me këmbë në tokë, në dijeni se kjo është ndeshja më e rëndësishme që kanë luajtur deri më tani.

Selektori Bernard Challandes në këtë ndeshje do t’i ketë kalkulimet e kufizuara. Dy yjet kryesore, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica do të jenë mungesat e mëdha, të cilët ndryshojnë mënyrën e të kalkuluarit, shkruan lajmi.net.

Rritja e Muriqit, transferimi i tij te Lazio dhe forma e lartë së fundmi, do të ishin shtysë e madhe për Kosovën dhe hezitim për kundërshtarin.

Gjithashtu, një anësor si Milot Rashica, i cili punon jashtëzakonisht shumë edhe në fazën defensive, do të bënte që krahu i djathtë t’i kishte balancet e veta, pa pasur nevojë për ndryshim skemash në interpretim loje.

Amir Rrahmani është mungesa e tretë e madhe për Kosovën në këtë ndeshje, me lojtarin që nuk u lirua të linte qytetin e Napolit. Megjithatë, situata qëndron më e qetë aty, pasi ka një lojtar si Ibrahim Dresevic që zëvendëson kokë më kokë.

Përkundër mungesave, Kosova ka lojtarë tejet kualitativë, të cilët sonte mund të bëjnë diferencën në Shkup dhe të bartin me sukses përgjegjësinë që bie mbi ta.

Arbër Zeneli e Valon Berisha kanë kaluar kohë të mira së fundmi me Reims, dhe përbëjnë një tandem të mirë edhe te Kosova.
Atdhe Nuhiu në anën tjetër vjen në një moment të mirë edhe psikik, pasi transferimi i tij tek APOEL Nicosia u përcoll me gola të shënuara dhe formë të lartë.

Mbrojtja pa Rrahmanin do të jetë e njëjta, me Dresevic që merr vendin e tij. Dresevic shihet si një nga lojtarët më kualitativ në mbrojtjen e Kosovës, ndonëse nuk luante si startues, por merrte pozitën e mesfushorit shkatërrues. ‘Goal’ do ta rendiste Dresevicin në top 50 talentët për t’u përcjellur, gjatë vitit të kaluar.

Florent Hadërgjonaj e Mërgim Vojvoda vijnë me një formë mjaft të mirë nga klubet. Njëri nga aventura me Kasimpasa tjetri nga Torino, synojnë të okupojnë krahun e djathtë, pse jo edhe në tandem.

Duhet pasur parasysh se kualitetet e përvoja nuk mungojnë as te Maqedonia e Veriut. Ndeshja vazhdon të jetë e paparashikueshme, me të dy skuadrat që kanë vetëm një synim. Optimizmi shkon te Maqedonasit të cilët kalkulojnë në mungesa, por Kosova mbetet me këmbë në tokë, por jo me dëshirë të zbehur – përkundrazi, djemtë sonte luajnë edhe për shokët e tyre që mungojnë. Luajnë për Kosovën, por edhe për shqiptarët e Maqedonisë.

Epilogu i dramës do të mësohet sonte në Shkup. Kosova është gati për një paraqitje historike! /Lajmi.net/

Lexo të tjera