Lajme

Alarmohet Serbia, 20 autobusë me shqiptarë dyshohet se u varrosën në Stavalj, në vitin 1999

0

Një deklaratë e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, duke i kërcënuar serbët që mos të tregojnë se ku gjenden varrezat masive të shqiptarëve në Serbi, bëri jehonë të madhe.

Politikanë vendorë dhe ndërkombëtarë, reaguan për këtë deklaratë të ish-zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit.

Por, nga cili veprim u alarmua Daçiq, duke e shtyrë të bëjë këtë deklaratë?!

Media, merr vesh se ditë më parë, institucionet vendore e ndërkombëtare, kanë marrë informacion mbi një varrezë masive në vendin e quajtur Stavalj, në Serbi.

Aty dyshohet se janë varrosur trupat e shumë civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, në luftën e fundit në Kosovë.

Dyshimet e para janë se në Stavalj, saktësisht në vendin e quajtur Sjenica, gjenden trupat e qindra shqiptarëve, saktësisht 20 autobusë të mbushur me civilë shqiptarë, ishin ekzekutuar dhe masakruar dhe pastaj ishin varrosur në këtë vend.

Media, ka siguruar pamje të vendit ku dyshohet se gjendet varreza masive në Stavalj.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të shtetit të Kosovës.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në një përgjigje zyrtare Blic, kanë konfirmuar se ekzitojnë dyshime për varrezë masive në Stavalj.

Ata kanë konfirmuar gjithashtu se një ekip nga institucionet e Republikës së Kosovës që merren me hulumtimin e fatit të personave të zhdukur kanë vizituar, para disa ditëve, lokacionin në Shtaval, së bashku edhe me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar të Serbisë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

“Me qëllim të verifikimit të informatave përkitazi me ekzistimin e një varreze të mundshme më viktima shqiptare , një ekip nga institucionet e Republikës së Kosovës që merren me hulumtimin e fatit të personave të zhdukur kanë vizituar, para disa ditëve, lokacionin në Shtaval, së bashku edhe me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar të Serbisë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Sipas vlerësimeve në terren , lokacioni në Shtaval do të jetë lokacion me interes për t’u trajtuar, me qëllim të adresimit të informatave dhe dyshimeve të prezantuara mbi bazën e të cilave dyshohet se në këtë lokacion mund të ekzistoj një vend-varrezë masive më viktima shqiptare të luftës. Sigurisht që lokacion në Shtaval dhe lokacionet tjera në këtë rajon, nisur edhe nga fakti se në vitin 2014 në Rundicë të Rashkës janë zhvarrosur mbetjet mortore të 54 viktimave shqiptare, të bartura nga varrezat në Kosovë me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit, do të vazhdojnë të trajtohen si raste apo lokacione me prioritet nga Komisioni Qeveritar i Republikws sw Kosovws dhe si kërkesa të vazhdueshme drejtuar palës serbe”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

E deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i ka quajtur skandaloze edhe kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, Ramë Manaj.

Ai ka thënë se forma e tillë e politikanëve serbë, po e pamundëson edhe dialogun mes dy vendeve.

“Deklarata e Daçiq, është skandaloze. është kërcënim i hapur që iu bëhet serbëve nga ana e tij për të mos treguar se ku gjenden varrezat masive të shqiptarëve. Për më keq, kjo gjë konfirmon edhe faktin që Serbia i di dhe nuk i tregon varrezat masive. Tërthorazi ata e pranojnë këtë krim, e me këto veprime të tyre, po bëjnë krime të dyfishtë. Kjo gjë, jo vetëm që i lëndon familjarët që tash e vite kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Por, kjo gjë e vështirëson edhe procesin e dialogut dhe çdogjë tjetër”, ka thënë Manaj.

Gjatë ditës, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ramë Manaj, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli dhe Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, priti në takim Shefin e EULEX-it , Lars – Gunnar Wigermark, i shoqëruar edhe nga zyrtarët e EULEX-it, Daniele Pancheri dhe Melinda Bytyqi.

Gjatë takimit, krahas diskutimit dhe vlerësimit të bashkëpunimit të deritanishëm, u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë, si dhe për regjistrin qendror të personave të zhdukur dhe bashkëpunimin me Serbinë në lidhje me çështjen e personave të pagjetur.

Kryesuesi i Komisionit, krahas vlerësimit dhe shprehjes së mirënjohjes për bashkëpunimin dhe angazhimin e deritanishëm në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, shprehi gatishmërinë edhe për vazhdim të bashkëpunimit të mëtejmë në përpjekjen për zbulimin e fatit të personave të pagjetur.

Çka deklaroi ministri i Jashtëm serb?!

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar në një intervistë televizive serbe, se nuk ka çka t’u bëjë serbëve që po i tregojnë ku janë të varrosuar shqiptarët gjatë luftës.

“Çfarë të bëjmë ne me serbët që ju tregojnë shqiptarëve, kroatëve, e flasin lloj-lloj budallallëqesh të ndryshme duke ju treguar se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ishte deklarata e Daçiq për TV Happy.

E para që reagoi pas kësaj deklarate, ka qenë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Ajo e ka quajtur mendësi kriminale e gjenocidale, atë që po e bëjnë sot e kësaj dite, politikanët në Serbi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, qe dy e më shumë dekada, vazhdojnë t’i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe. Këto deklarata skandaloze, përveçqë fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar mijëra civilë të pafajshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të punojë me përkushtim për një të ardhme paqësore të rajonit dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me aleatët perëndimorë për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara e demokratike euroatlantike, në të cilën nuk ka vend për urrejtje ndaj etnive të tjera”, thuhet në reagimin e kryeministrit Hoti.

Image

Stavalj, Serbi

Presidenti Hashim Thaçi, në reagimin e tij thotë se deklaratat e Daçiqit dhe Vulinit për viktimat e luftës në Kosovë, janë prova se Serbia nuk i ka ndryshuar politikat e saj fashiste.

Thaçi shton se veprime të tilla dëmtojnë dialogun.

“Deklarata fyese të Dacic dhe Vulin për viktimat civile të luftës, të vrarë nga regjimi i Millosheviçit, janë provë se Serbia ende nuk i ka ndryshuar politikat e saj fashiste. Veprime të tilla dëmtojnë dialogun dhe minojnë përpjekjet tona të përbashkëta për pajtimin”, ka shkruar Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, teksa reagoi për këto deklarata, kujtoi kohën sa ishte në burgun e Pozharevacit dhe momentin kur Millosheviq ra nga pushteti.

“Dëgjoheshin hapat e shpejtuar të gardianëve poshtë e lart. Na e ndalën edhe energjinë elektrike në pavilonin VI të burgut ‘Zabela’ në Pozharevc. Drejtoria nuk dëshironte që ne të dëgjonim radion. Beogradi ishte përfshirë nga demonstrata masive kundër Milosheviqit. Pozharevci ku ne shqiptarët mbaheshim rob lufte ishte vendlindja e tij. 20 vjet më parë, më 5 tetor 2000, u rrëzua Slobodan Milosheviq nga pushteti. Ai ishte përgjegjës për shkaktimin e katër luftërave në ish Jugosllavi, vdekjen e rreth 150 mijë joserbëve, dhe për gjenocidin mbi popullin boshnjak dhe shqiptar. 5 tetori ndodhi, mirëpo në Serbi asnjëherë nuk erdhi 6 tetori. Ra Milosheviqi si personalitet politik, por ai nuk u braktis si politikë e Serbisë. Përkundrazi, dy vjet e gjysmë më vonë u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndërsa sot Serbia udhëhiqet nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit: Maja Gojkoviq e cila ishte zv.kryeministre në kohën e tij sot është Kryetare e Kuvendit të Serbisë; Ivica Daçiq, i cili ishte zëdhënësi i partisë së tij sot është Ministër i Punëve të Jashtme; ndërsa sekretari i atëhershëm i Partisë Radikale të Sheshelit, partnere kjo e koalicionit me Milosheviqin, si dhe ministri i informatave në qeverinë e asaj kohe, Aleksandar Vuçiq, sot është President i Serbisë. 20 vjet më vonë, sot në Serbinë ‘demokratike’ ka shumë më pak opozitë sesa kurdoherë në dekadën e diktaturës së Milosheviqit. Ata që merren me Vulinin që të mos merren me Vuçiqin, teksa fajësojnë vetëm Slobodanin, bëjnë edhe dëm përveçqë e kanë gabim”, ka shkruar Kurti.

Gjithashtu, ndaj kësaj deklarate kanë reaguar edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Ata kanë kërkuar nga të dyja palët që të kursehen në deklarime që mund ta lëndojnë dialogun edhe fqinjësinë e mirë në mes dy vendeve./BS

Lexo të tjera