Ekonomi

Arifi mban takim online me ministrin e Bujqësisë, diskutohet për mbështetjen e fermerëve

0

Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Naim Arifi, ka mbajtur një takim online me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, kryetarët e komunave dhe drejtorët e DBPZHR-së.

Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat dhe vështirësitë që po ballafaqohen fermerët e të gjitha komunave gjatë periudhës së pandemisë.

Drejtori i DBPZHR-së, Naim Arifi, ka falënderuar ministrin Besian Mustafa, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj fermerëve dhe komunave.

“Sot, së bashku me kryetarët e komunave dhe drejtorët e bujqësisë, kemi mbajtur një takim online me ministrin e Bujqësisë Besian Mustafa, me të cilët biseduam për sfidat dhe vështirësitë që po ballafaqohen fermerët në këtë kohë pandemie. Falënderova ministrin Mustafa për bashkëpunimin e vazhdueshëm me komunat. I jam mirënjohës për gatishmërinë e treguar përgjatë gjithë kësaj kohe”, tha ai.

Gjithashtu drejtori Arifi ia ka drejtuar edhe disa kërkesa ministrit.

Kërkesat tona për Ministrinë e Bujqësisë janë:

* Kërkova nga ministri që të hapen tregjet për shitjen e kafshëve,

*Të bëhet sa më shpejtë kompenzimi i dëmeve nga breshëri.

*Një çështje tjetër që është kërkesë e fermerëve dhe drejtorisë, është që të mos vonohen pagesat direkte për subvencione për këtë vit.

*Të bëhet vlerësimi si dhe shpallja e rezultateve për aplikacionet e dorëzuara në fazën e parë për grante 2020.

*Po ashtu, kërkova që të hapet sa më shpejt thirrja për grante, për masat 101-sektori i qumështit nga lopët qumështore, deleve dhe dhitë. Sektori i majmërisë së viqave, sektori i pemëve manore, sektori i vezëve dhe zhvillimit të turizmit”, ka shtuar Arifi. /KP/

Lexo të tjera