Opinion

Armiku i shqiptarit është vet shqiptari!

0
NGA DRILON RRAHMANI 

Frashër Demaj

“Armiku i shqiptarit është vet shqiptari”, ashtu siç e ka thënë shumë vite më përpara shkrimtari ynë Faik Konica.

Si mund të quhet akademik një person si Frashër Demaj, i cili në librat e historisë mohon masakrën e Reçakut dhe e vë në pozitë të favorshme shtetin serb. A e bëri atë me vetdije të plotë personale, apo ishte i ndikuar (paguar) nga dikush.

Pse nuk reagon Lidhja Demokratike e Kosovës për ta shkarkuar nga të gjitha pozicionet e partisë dhe të dalë e të distancohet nga veprimi i tij, por edhe ta kritikojë atë?!

Pse nuk reagon akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës për anëtarin e saj, i cili po e favorizon armikun tonë shekullor dhe po ia mohon gjenocidin shtetit serb?!

Çfarë do të thoshte William Walker kur ta lexojë atë libër, e t’i lexojë rreshtat ku thuhet se masakra e Reçakut ishte incident?

Ajo çfarë ka bërë z. Demaj nuk ka asnjë arsyetim, dhe logjika e shëndoshë nuk e pranon se një shqiptar i cili është pjesë e akademikëve të Kosovës, po i mohon krimet serbe.

Apo ndoshta, akademikët e Kosovës nuk janë taman të pastër, qoftë nga ana kombëtare, historike apo politike.

Akademia e Shkencave dhe Arteve na është mbushur me ministra të Rrahman Morinës, me të tillë që janë të korruptuar e tash së fundmi edhe të tillë që i mohojnë krimet serbe. Para dy vitesh, një akademik tjetër e mbështeti shkëmbimin territorial.

Fakti se publicistika dhe shkenca dallojnë mes tyre, nuk mund të janë arsyetim për rreshtat që përmbajnë librat ““Projekti i Historisë së Përbashkët”.

Dëmi kombëtar që vjen nga ata rreshta, sigurisht që është i ngadalshëm nëpër breza me radhë. Një libër i tillë duhet të shpallet “non grata” në Kosovë.

E deklarata e dhimbshme e vet Demajt ishte kur tha se këta libra nuk është nevoja të përdoren nëpër shkolla. Kjo i bie që sapo një nxënës ta përfundojë shkollën, ta marr e ta lexojë atë libër, e të “mësojë” se masakra e Reçakut ishte incident. E turpshme!

Ata duhet të mësojnë se maskara e Reçakut u planifikua  në Beograd në orët e hershme të mëngjesit të dates 15 janar 1999, me urdhër të Millosheviqit e piunëve të tij.

Pak fakte nga masakra e Reçakut:

Drama me e tmerrshme në atë ditë, për banorët e Reçakut u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajn fshatarët) gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.

Dëshmitarët okular: Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë: “ Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:“Çka ka këtu brenda?“.Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum.

Ndërkaq dëshmitari Bilall Sadri Avdiu, i cili ka qenë i strehuar në ahurin e lopëve thotë:” Dy tre policë e çelën derën e ahurit…dhe thanë:”Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, he nënën ja u qivsha). Na urdhëruan të dalim përjashtë me duart përpjet, dhe kur dolëm përjashtë ata kishin qenë shumë – 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me masaka e disa pa to”. I kanë tubuar në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera.

Në oborrin e Sadikut në këtë moment kritik ishin këta mashkuj: ”Hakip Imer Hakipi, Ahmet Izet Jakupi, Esheref Halim Jakupi, Lutfi Hasan Bilalli, Sadik Xhemë Osmani, Jashar Milaim Salihu, Njazi Sherif Zymberi, Shyqeri Ismajl Syla, Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë, Muhamet Faik Syla, Fatmir Faik Ramadani, Murtez Ramiz Imeri, Mehmet Qerim Jakupi, Muhamet Hafiz Mustafa, Shukri Milaim Salihu, Sheremet Shyqeri Syla, Mufail Mehdi Hajrizi, Bujar Hanafi Hajrizi, Salih Faik Ramadani, Nexhat Faik Ramadani, Xheladin Ahmet Jakupi, Raif Milaim Salihu, Ragip Jahir Bajrami, Bajrush Nesret Shabani, Bilall Bilalli, Ramë Nesret Shabani, dhe Nesret Shabani. Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.

Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të veprimit. Dëshmitarët gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kanë dëgjuar një komunikim me radiolidhje të drejtuesve të këtij oprecioni. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë nga oborri i Sadikut është biseduar në radiolidhje.

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.

 William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, ishte i pari person i cili filloi të denonconte krimet serbe në Kosovë. Denoncimet e tij të vazhdueshme se popullsia në Kosovë po vritej nga serbët i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi.

Reagimet për këtë libër të “akademikut”, duhet të shtohen, deri në protesta.

Lexo të tjera