Lajme

Askush nuk po e pyet Hotin

0
askush-nuk-po-e-pyet-hotin

Rasti i fundit për nga aspekti kohor, por jo i vetmi që vendimet e Hotit janë shpërfillur është ai për çështjen e ditës së djeshme, ku shumë institucione nuk punuan, ani pse vendimi i Hotit ishte që e hëna të jetë ditë pune, shkruan lajmi.net.

Të premtën, Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate për media bëri të ditur për opinionin publik faktin se e hëna do të jetë ditë e zakonshme e punës, por me këtë nuk u pajtuan nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës.

AAK nëpërmjet një njoftimi tjetër tha se nëpunësit e kësaj partie do të kenë ditë pushimin ditën e hënë, e në anën tjetër, nga SBASHK-u bënë thirrje shkollave që të hënën të mos mbahet mësimi.

Pothuajse kështu edhe ndodhi. Numër i madh i shkollave në Prishtinë dhe në qytetet e tjera vendosën të pushojnë të hënën, por në anën tjetër disa të tjera vendosën që ta respektojnë qeverinë përpara SBASHK-ut.

A do të jetë nesër ditë pushimi në shkolla, reagon sërish SBASHK-u

Hoti nuk u konsultua fare as për shkarkimin e konsujve nga ish-bashkëpartiakja Vjosa Osmani, tani u.d e presidentës së Kosovës dhe kryetare e Kuvendit.

Ajo, ditën e skandalit me emërimin e djalit të Haxhi Shalës në pozitën e konsullit në Pragë, mori vendim për shkarkimin e tij dhe të tre konsujve tjerë në Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Vjosa Osmani shkarkon djalin e Haxhi Shalës dhe 3 konsuj tjerë në Lubjanë, Shkup e Tiranë

E për shkarkimin e konsujve nga Osmani nuk u konsultuan as Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe as vet kryeministri Hoti. Vendimi për shkarkimin e tyre iu është dërguar të dy këtyre institucioneve, por konsultim paraprak nuk kishte.

Kryeministri Hoti nuk po ka pushtet as mbi deputetët e koalicionit. Ani pse i ka 61 deputetë të koalicionit qeverisës, ai tash e për të 7-tën herë me radhë po dështon ta votojë Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Madje, ka prej tyre të cilët e kundërshtojnë komplet qeverinë si rasi i deputetës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi e cila disa herë në Kuvend ka mbajtur fjalime dhe ka dalë kundër qeverisë pjesë e së cilës është partia e saj.

Përplasje e mospajtime me Hotin pati edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi, madje i njëjti kishte lëshuar edhe mbledhjen por kjo përplasje u shua shpejt nga krerët e partisë.

Në mbledhjen e qeverisë, ministri Krasniqi kishte kërkuar vendimin për dhënien e statusit investitor strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods Shpk” gjë që ishte kundërshtuar nga Hoti por Veseli e kishte lëshuar mbledhjen.

​Përplasje mes LDK-së dhe Nismës, ministri Veseli e lëshon mbledhjen e Qeverisë

Problemet më të mëdha Hoti i kishte me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe ministrat e kësaj partie. Në takimi midis Kosovës dhe Serbisë, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Hoti ishte vonuar në takimin ku prezent ishte presidenti i SHBA-ve, Donald Trump pasi ministrat e AAK-së pritën dritën e gjelbër nga i pari i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

Haradinaj, i informuar nga ministrat e tij kërkonte që të largohet nga marrëveshja pika për liqenin e Ujmanit dhe kjo rezultoi me gjysmë ore vonesë në takim, derisa pushteti i Hotit mbi ministrat e qeverisë së tij, e shfaqi edhe njëherë brishtësinë e vet.

Gjithashtu, pas arrestimeve nga Gjykata Speciale të disa nga ish-krerët e luftës së fundit në Kosovë, ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi kërkoi që të ndërprehet dialogu me Serbinë, pavarësisht që Hoti vazhdimisht e potencon nevojën për dialog dhe vazhdimin e procesit.

E këtu Hoti ishte më i zëshëm. Ai tha se ministri i Drejtësisë e ka të qartë parimin e ndarjes së pushteteve dhe duhet ta respektojë këtë.

“Duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve, në veçanti ministri i Drejtësisë e ka të qartë këtë çështje, ne nuk ndërhyjmë as nuk komentojmë vendime të organeve të drejtësisë, në Qeverinë e Kosovës, nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë se si sillemi në këtë situatë për t’i ndihmuar ligjërisht, Kushtetuta është e qartë se si procedohet më tutje kur vendi nuk ka president, secili prej juve duhet të vazhdojë me kapacitet të plotë. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë si qeveri”, ka thënë Hoti.

Përplasje në qeveri, Hoti kundërshton kërkesën e ministrit Selimi për ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Çështja e vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq së bashku me disa zyrtarë tjerë serb në Kosovë kësaj radhe përplasi Hotin me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

E përkundër se kryeministri shpesh është shprehur se është ai i cili përfaqëson vendimet zyrtare të qeverisë, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës ka deklaruar se nuk do të ketë leje vizite për Vuçiqin në Kosovë derisa nuk kërkon falje për krimet e luftës.

Haradinaj-Vuçiqit: Nuk ka leje për të vizituar Kosovën përderisa nuk kërkoni falje për gjenocidin e kryer

Por, problemi me ministrat nuk është vetëm problemi i Hotit. Është në historikun e qeverive të Kosovës fakti që kryeministri ka pushtet vetëm mbi ministrat e partisë së tij, ndërsa partitë e koalicionit pavarësisht se nuk e zotërojnë kryeministrin, vendosin për punën e ministrave të partisë së vet.

Këto dhe shumë raste të tjera ku Hoti nuk është përfillur nga ministrat kanë bërë që qeveria e tij të jetë e kritikuar shumë për mungesë të unitetit dhe të qeverisjes së mirë.

Probleme të ngjashme me ministrat kishte edhe kryeministri paraprak, Albin Kurti në rastin me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu për çështjen e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. /Lajmi.net/ 

 

 

 

Lexo të tjera