Lajme

Auditori zbulon disa prej shkeljeve të vitit të kaluar që komuna e Gjilanit i bëri në prokurim

0
auditori-zbulon-disa-prej-shkeljeve-te-vitit-te-kaluar-qe-komuna-e-gjilanit-i-beri-ne-prokurim

Disa prej gjetjeve më të shumta të auditorit kanë të bëjnë me zbatimin e procedurave të prokurimit publik, shkruan lajmi.net.

Tejkalim i sasive të kontraktuara, ndarje jo e duhur e detyrave në procesin e prokurimit dhe si dhe shpërblimi me kontratë pa i plotësuar kërkesat administrative të dosjes së tenderëve, janë disa prej të gjeturave.

Sipas Ligjit të Porkurimit Publik përcaktohet se nëse urdhër blerjet tejkalojnë sasinë totale indikativë ose vlerën totale indikative të kontratës publike kornizë (duke përfshirë + tridhjetë për qind (30%), pa marrë parasysh datën origjinale të skadimit të Kontratës Publike Kornizë, kontrata do të ndërpritet automatikisht. Mospërputhja e lejuar plus/minus tridhjetë për qind (30%) vlen edhe për Lote edhe për pozicion/artikull, dhe në rast të arritjes së pragut të lejuar komuna nuk mund të bëjë porosi tjera për atë Lot apo pozicion/artikull.

ZKA ka gjetur që ka pasur tejkalime në disa raste.

“Për kontratën kornizë “Mirëmbajtja teknike e objekteve në të gjitha njësitë kërkuese në Komunën e Gjilanit”, në vlerë prej 711,089 euro, Komuna për 12 pozicione ka tejkaluar sasinë totale të këtyre pozicionëve të kontratës kornizë. Në total për këto pozicione për tre vite maksimumi i pagesave do duhej të ishte 40,095 euro. Për këto pozicione kishte tejkalime edhe në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 për këto pozicioni ishin paguar edhe 125,371 euro. Kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së kontrollit të kushteve të përcaktuara me kontratë”, thuhet në raport.

Sipas nenit 62.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (RRUOPP) një anëtar i komisionit të vlerësimit nuk mund të emërohet si menaxher i projektit, mirëpo në rast të ri-vlerësimit, anëtaret e komisionit të kaluar të vlerësimit mund të shërbejnë si Menaxher të projektit.

Po ashtu sipas RRUOPP, neni 41.1: Tenderët e pranuar me kohë të paraqitur nga OE do të ekzaminohen, vlerësohen, krahasohen në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara në njoftimin për kontratë/dosjen e tenderit dhe kontrata do t′i jepet tenderuesit që ka renditjen më të lartë. Sipas auditorit, për kontratën “Punë Publike – projekte të vogla në infrastrukturë” vlera e parashikuar e kontratës 570,000€ është vërejtur se: “Kryetari i komisionit për vlerësimin e ofertave të tenderit ishte caktuar edhe Menaxher projekti për këtë kontratë. Sipas sqarimeve të zyrtarëve komunal, kjo ka ndodhur, pasi që ishte kohë Pandemie dhe nuk kishte zyrtarë tjerë të cilët e pranonin këtë pozitë. -Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se e plotëson kërkesën e dosjes së tenderit (çekiç pneumatik). Sipas anëtarëve të komisionit të vlerësimit meqënëse Operatori Ekonomik ka ofruar një çekiq, e kanë konsideruar që mjafton për të plotësuar këtë kriter nga dosja e tenderit”.

Sipas nenit 28.10 të Ligjit të Prokurimit Publik definohet qartë se autoriteti kontraktues duhet të posedoj një projekt ekzekutiv të ndërtimit para fillimit të procedurave të kontraktimit të punëve. ZKA ka vërejtur se projekti ”Punë publike – projekte të vogla në infrastrukturë” vlera e parashikuar e kontratës 570,000€ dhe projekti “Rekonstruimi i rrugëve në Lagjen Dardania” në vlerë prej 137,744 euro, nuk kishte projekt ekzekutiv të ndërtimit.

“Sipas zyrtarëve komunal, kjo ka ndodhur pasi njëri projekt është për shtrimin e rrugës e cila veç është ekzistuese, ndërsa projekti tjetër ka të bëjë me intervenime sipas nëvojës në infrastrukturën publike”, thuhet në raport.

Inicimi i procedurës së prokurimit në mungesë të projektit, sipas auditorit, rezulton me anashkalim të kërkesë ligjore dhe mundëson realizim të dobët të kontratave për punë të pa projektuara, studiuara dhe mund të rezultojë me shpenzime të paparashikuara nga komuna.

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (RRUOPP) tenderët e pranuar me kohë të paraqitur nga OE do të ekzaminohen, vlerësohen, krahasohen në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara në njoftimin për kontratë/dosjen e tenderit dhe kontrata do t′i jepet tenderuesit që ka renditjen më të lartë. Auditori ka gjetur se tek procedura e prokurimit “Sigurimi i Automjeteve të Komunës” kërkesë e dosjes së tenderit ishte që Operatori Ekonomik fitues të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme, në vlerë minimale jo me pak se 160,000 euro, në tre vitet e fundit. Ndërsa Operatori Ekonomik ka ofruar dëshmi vetëm për shumën 111,087 euro. Zyrtarët e prokurimit pohojnë se ky ka qenë vetëm një gabim teknik.

Auditori ka gjetur edhe shkelje në dikasteret tjerë, pos ne prokurim, si pagesa e pagave me koeficient me të ulët së sa në Akt Emërime.

“Edhe këtë vit, Komuna ka vazhduar me kompensimin e tre shërbyesve civil jo në pajtim me Akt Emërimet. Përgjegjësi në sektorin e katalogimit dhe klasifikimit të librit, sipas kontratës duhej të paguhet me koeficient 7, por sipas listës së pagave paguhet me koeficient 6. Ndryshimi i koeficientit në kontratë nga 6 në 7 është bërë më 01.02.2012 por nuk është zbatuar; Shefi i Sektori për Planifikim Hapësinor dhe Mbrojtje të Mjedisit, me Akt Emërim duhet të paguhet me koeficient 9, por sipas listës së pagave ai paguhet me koeficient 7.5. Ndryshimi i koeficientit nga 7.5 në 9 në kontratë është bërë më 01.02.2013 por nuk është zbatuar; dhe Përgjegjësi në Sektorin e Fëmijëve dhe të Rinjve, me Akt Emërim duhet të paguhet me koeficient 7, por sipas listës së pagave, paguhet me koeficient 6. Ndryshimi i koeficientit nga 6 në 7 është bërë më 01.02.2012. Sipas menaxhmentit të komunës kjo ka ndodhur për shkak të gradimit në vitet e mëhershme dhe ndryshimi apo rritja e koeficienteve është bërë pa u siguruar se Komuna kishte mundësi financiare apo duke mos marr parasysh ndikimin financiar për këto pozita”, thuhët në raport.

Sipas ZKA, pagesa e punonjësve në kundërshtim me akt emërimet / kontratat e punës është shkelje ligjore dhe padrejtësisht dëmton stafin e komunës në kuptimin material. Kjo mund ta ekspozoj komunën ndaj padive gjyqësore që mund shkaktojnë shpenzime shtesë për buxhetin.

Tutje auditori ka shkarkuar në raport se, nga 22 mostrat të testuara si pjesë e testimeve substanciale në kategorinë e Mallrave dhe Shërbimeve, është gjetur se në 17 prej tyre në shumë prej 631,405 euro nuk janë respektuar hapat për procedimin e pagesave, ku fillimisht është sjellë malli/shërbimi dhe fatura e pastaj është bërë zotimi i mjeteve dhe është lëshuar Urdhërblerja. Nga zyrtarët përgjegjës, nuk janë dhënë shpjegime për rastet. Kjo ishte si pasojë e mungesës së duhur të kontrollit me rastin e procesimit të pagesave.

Komunën e Gjilanit, Auditori e ka klasifikuar me “Opinion i pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore”.

Opinioni i pa-modifikuar formulohet kur nuk janë zbuluar keq-deklarime ose mos-pajtueshmëri; kur janë zbuluar keqdeklarime ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, por që nuk është i barabartë me ose nuk e tejkalon nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keqdeklarimi(et) dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh nuk është e barabartë me ose e tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse nuk ka kufizim të fushëveprimit ose kur kufizimi i fushëveprimit nuk mund të shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e) dhe/ose mos-pajtueshmërisë(ve). Kufizimi i fushëveprimit ndodh kur një auditor nuk është në gjendje të marrë dëshmi të mjaftueshme auditimi për të arritur në përfundimin se pasqyrat financiare në tërësi nuk përmbajnë keq-deklarime materiale.

Auditori duhet të japë opinion të pa-modifikuar nëse arrin në përfundimin se pasqyrat financiare janë përgatitur, në të gjitha aspektet materiale, në pajtim me kornizën e zbatueshme financiare. /Lajmi.net/

Lexo të tjera