Lajme

Çfarë mund të fshihet pas ‘pajtimit’ Thaçi – Lajçak?

0

Edhe pse e kishte kundërshtuar emërimin e tij si përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, tani presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka arritur të pajtohet me Miroslav Lajçak se duhet të arrihet marrëveshja finale në mes të dyja vendeve.

Këtë e bëri të ditur dje përmes një postimi në Twitter, derisa bisedën me të e quajti të mrekullueshme dhe se Lajçak e ka përkrahjen e tij të plotë në këtë proces.

E me këtë u pajtua edhe Lajçak.

Image

Islam Krasniqi

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se presidenti kur mbetet jashtë loje, fillon t’i sulmojë të tjerët që të bëhet faktor për dialogun, por sipas tij, me këtë qeveri nuk mund të ketë marrëveshje, përpos nëse PDK i bashkohet koalicionit qeverisës.

“Presidenti gjithmonë kur mbetet jashtë loje fillon t’i sulmojë të tjerët duke u munduar që të bëhet përsëri faktori kryesor në vend lidhur me dialogun. Më këtë qeveri nuk mund të ketë ndonjë marrëveshje pasi që ajo tani ka vetëm 60 numra. Po në rast se vendi shkon në zgjedhje apo riformatizohet qeveria Hoti, duke ju bashkuar edhe PDK-ja, mund të ketë lëvizje, sepse edhe Serbia po e përmend njohjen vetëm po kërkon kompromise e që PDK-ja dhe LDK -ja i mbyllin sytë gjatë ndonjë kompromisi apo siç po quhet marrëveshje gjithëpërfshirëse, pasi që ato janë me dorë lirë, (japin më lehtë). Qeveria Hoti me koalicionin qeverisës nuk po munden një ligj ta kalojnë e mos të flasim për marrëveshje gjithëpërfshirëse”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, presidenti ka qenë kundër Lajçak por BE nuk e pyeti atë dhe e favorizoi Hotin, duke shtuar se Thaçit iu kthye bumerang qeveria që e zgjodhi vet.

“Presidenti Thaçi kishte qenë kundër Lajçak kur ai u emërua për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi, u kthye edhe kundër BE-së, mirëpo ata as që e pyetën ndonjë gjë Presidentin dhe e favorizuan kryeministrin Hoti, duke ja marrë pushtetin mbi dialogun presidentit, i cili tani besoj se edhe kartat apo xhokerin e tij e ka shfrytëzuar. Presidentit iu kthye bumerang qeveria që vet e zgjodhi, sepse ai ua zgjati dorën mbi kurriz të tjerëve apo duke përfituar në fatkeqësi të tjerëve dhe ata (qeveria Hoti) e pensionuan dhe si ka mbetur gjë tjetër pos të pajtohet me realitetin”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”./BS

Lexo të tjera