Projektligji për rimëkëmbje ekonomike kap vlerën e 385 milionë eurove. Me miratimin e këtij projektligji është thënë se do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi.
Zbatimi i këtij projektligji po ashtu do të mundësojë që qytetarët kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Tërheqja e këtyre mjeteve nuk është përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit “kjo zvogëlon pensionet e ardhshme”.
Bizneset në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese nga masat e marra nga Qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.
Për këtë arsye subjektet ekonomike në Kosovë disa herë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë këtë projektligj, pasi sipas tyre “adresimi i dëmeve të shkaktuara në ekonomi është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.