Lajme

Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit, i treti pranon fajësinë për armëmbajtje

0
deklarohen-te-pafajshem-dy-te-akuzuarit-ne-rastin-“syri-i-popullit,-i-treti-pranon-fajesine-per-armembajtje

Pasi Gjykata e Apelit e Kosovës ktheu në pikën zero rastin “Syri i Popullit” me kërkesën që Prokuroria Speciale të rregullojë aktin akuzues, kjo e fundit ka ardh me një aktakuzë të re, të përmirësuar.

Sipas aktakuzës së re të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha

Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me Murat Jasharin i cili nuk është pjesë e aktakuzës, pasi që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, gjykata ka ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Ndërsa Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.

PSRK ka lënë në aktin akuzues Bajrush Konjushën të cilën e ngarkon me veprën penale të armëmbajtjes,.

Por në aktakuzën e re nuk ka të akuzuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale, pjesë e kësaj aktakuze nuk janë as Ragip Sallova, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Rexhep Topllana dhe Lirije Luzha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur të enjten, pas leximit të aktit akuzues i akuzuarit Llumnica dhe Ramabaja u deklaruan të pafajshëm për veprat penale me të cilat i ngarkon prokuroria.

Llumnica deklaroi se nuk e ndjen vetën fajtorë dhe se është i pafajshëm. “Të gjithë ju që jeni të pranishëm në sallë, mund të jeni fajtor, por Avni Llumnica, jo” shtoi ai.

I pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari Ramabaja, i cili tha se aktakuza është e pabazuar.

“Prokurori brenda pesë rrjeshtave, i ka thënë pesë të pavërteta të cilat demantohen me vet provat e prokurorisë. Prokuror jam plotësisht i bindur se ta ka shkru dikush këtë aktakuzë” tha ai.

Ai tha se i kërkon falje prokurorit për shprehjet  duke shtuar se “Ky proces ka qenë tmerrësisht i dirigjuar prej një ekipi shtetëror dhe nuk është mirë ky me u mar me falsifikime të një ekipi tjetër” tha ai.

Ndërkaq fajësinë për armëmbajtje e pranoi i akuzuari Bajrush Konjusha, i cili tha se e pranon fajësinë.

Bajrusha fillimisht deklaroi se nuk e pranon fajësinë, pasi që nuk e kishte ditur që për armën do të duhej të kishte leje.

Pas sqarimit lidhur me pranimin e fajësisë dhënë nga gjykatësi Musa Konxheli dhe pas këshillimit me avokatin e tij Blerim Qela, i akuzuari deklaroi se e pranon.

Ky pranim i fajësisë u aprovua nga gjykatësi Konxheli, i cili njoftoi palët se procedura do të veçohet.

Gjykatësi i njoftoi palët se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Lidhur me masën e paraburgimit për të akuzuarin Avni Llumnica, mbrojtësi i tij avokati Naim Rudari kërkoi ndërprerjen e masës së paraburgimit.

“Unë pres prej prokurorit me ardh me fol me mu në burg, qe ku o krimineli” tha i akuzuari Llumnica duke bërë me gisht ka i bashkakuzuari Ramabaja.

Sa i përket propozimit për heqjen e masës së paraburgimit, prokurori Burim Qerkini deklaroi se nuk e mbështet një propozim të tillë, pasi që heqja e kësaj mase do të pengonte rrjedhën e procedurës.

Ndryshe ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kihte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018.

Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohej se kishte  kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohej për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, ngarkohej me veprat  penale “hakmarrja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria e akuzonte Jasharin që duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.

Sipas kësaj aktakuze Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim em të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.

Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.

Murat Jashari për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzohuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila cështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se “cështja penale kthehet në rivendosje për tu proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.

Ky aktevendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të rë dhe me shumë ndryshime.

Sipas aktakuzës së datës 27 tetor 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha jan të vetmit të akuzuar në këtë rast.

Kjo pasi që PSRK heqë dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me Murat Jasharin kishin tentuar të privonë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe Jasharin të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj Murat Jasharit, sipas  vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti vuan nga sëmundje mendore, rasti i tij është delegjuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila ka ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Lexo të tjera