Lajme

Diskurset e ndryshme të Hotit e Mustafës karshi Osmanit – Njëri ia hap dyert e partisë, tjetri e akuzon

0
diskurset-e-ndryshme-te-hotit-e-mustafes-karshi-osmanit-–-njeri-ia-hap-dyert-e-partise,-tjetri-e-akuzon

Përjashtimi i Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shkaktuar acarimin e raporteve mes saj dhe kreut të partisë, Isa Mustafa. Kjo përplasje kulmoi sot me akuzat më të ashpra që këto dy personazhe politike ia kanë drejtuar ndonjëherë njëri-tjetrit, shkruan lajmi.net.

Në një deklarim për media, i pari i LDK-së, Isa Mustafa sulmoi Vjosa Osmanin duke aluduar se ishte paaftësia e saj që çoi në humbjen e zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilat me një diferencë të vogël i fitoi Vetëvendosje.

“Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në”, tha Mustafa.

Një deklaratë e tillë e Mustafës shkaktoi reagimin dhe acarimin e Vjosa Osmanit. Kjo me anë të një postimi në Facebook pak orë më pas, ia renditi Mustafës akuzat, duke e quajtur “humbës të njëpasnjëshëm të zgjedhjeve”, dhe duke shtuar se nuk ka guxuar të kandidojë kundër Kurtit.

“Humbësi i shumëfishtë i zgjedhjeve tani më paska akuzuar mua për humbje të zgjedhjeve. Por, ai e di shumë mirë se mua më ofruan të kandidojë për Kryeministre për shkak se ai dhe të tjerët (me një përjashtim) NUK GUXUAN të dalin e të përballen në zgjedhje me Kurtin”, iu drejtua Osmani, Mustafës.

Osmani i përgjigjet Mustafës: S’guxove të përballeshe me Kurtin, më kandidove mua për kryeministre

Ky diskurs i përdorur nga Mustafa kundër Osmanit, mirëpo edhe anasjelltas, dallon shumë nga ai i kryeministrit Hoti. Ky i fundit, në një deklaratë të bërë të shtunën,  madje tha se pret që Osmani të kthehet në LDK. Madje, për këtë tha se ajo e ka derën hapur.

“Vjosa Osmani do të kthehet në LDK. E pranojmë nëse kthehet, patjetër. Edhe të tjerë janë kthyer që kanë dalë nga LDK’ja”, ka thënë Hoti.

Hoti i bindur se Vjosa Osmani do kthehet në LDK: Derën çelur e ka

Ndonëse Hoti e Osmani kanë pasur përplasje kryesisht në Kuvendin e Kosovës, ato s’kanë qenë të përmasave të polemikës me Isa Mustafën.

Hoti gjatë gjithë kohës është treguar më i rezervuar në replikat e tij me oponentët politikë, dhe nuk është lëshuar në debate siç kishte ndodhur në të kaluarën me krerët e tjerë të qeverisë.

Ndryshe, Osmani më 20 qershor të këtij viti ishte shkarkuar nga  pozitat drejtuese në LDK. Gjithçka kishte nisur me votimin kundër rrëzimit të qeverisë Kurti, dhe afrimitetin që ajo kishte treguar me Vetëvendosjen, për të vazhduar më pas me përplasjet politike në Kuvend dhe përmes mediave.

Vjosa Osmani shkarkohet nga pozitat drejtuese në LDK

Lexo të tjera