Lajme

Garda Millosheviqiane” vazhdon avazin me nuanca kriminale

0
NGA ARIFE MORINA

Fotoilustrim

Pas luftës së fundit në Kosovë, në Serbi janë zbuluar disa varreza masive, ku janë futur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Sipas, burimeve serbe në Serbi ka gjithsej shtatë varreza masive, derisa trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë janë gjetur edhe në Peruçac, Petrovo Selo dhe Rudnici.

Dhënia e informacioneve shtesë lidhur me varrezat masive të shqiptarëve në Serbi, i ka penguar jashtëzakonisht shumë Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai gjatë një debati televiziv u shpreh i nervozuar dhe kërcënoi serbët që po tregojnë vendndodhjen e këtyre varrezave.

Daçiq tha se serbët tani po flasin lloj-lloj budallallëqesh dhe po ju tregojnë shumë informata shqiptarëve dhe kroatëve, sidomos në lidhje me varrezat masive të cilat janë shqiptarët e zhdukur.

Këto deklarata të ministrit serb, shkaktuan debat dhe nxitën reagime në opinionin publik në Kosovë.

Mirëpo, krahas kësaj, siç duket ndërkombëtarëve nuk u bëri përshtypje deklarata kërcënuese e Daçiqit, pasi nuk pati asnjë reagim lidhur me këtë temë.

Kjo “heshtje” nxiti edhe Ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, të u shkruaj letër ambasadorëve të shteteve të Quint-it, ku kërkoi nga ata që ta dënojnë deklaratën e ministrit serb.

Hoti: Këto deklarata skandaloze, dëshmojnë se Beogradi qëllimisht mbulon krimet e luftës

Edhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, të cilat i quajti skandaloze dhe tha se shfaqin mungesë respekti për viktimat e luftës dhe familjet e tyre.

Image

Avdullah Hoti

“Këto deklarata skandaloze, përveçqë fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar mijëra civilë të pafajshëm”, deklaroi Hoti.

Në Kosovë dhe në Serbi është zbuluar pas lufte një numër i madh i varrezave masive me trupat e të vrarëve gjatë luftës. Gjatë hulumtimeve sipas aktakuzave për krimet e luftës, të kryera për nevojat e Tribunalit të Hagës, prej marsit të vitit 2000, janë identifikuar 529 varreza masive, shumica dërmuese në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300 personave të vrarë.

Lladrovci: Daçiqi paketim i ri me përmbajtje të vjetër të Millosheviqit

Lidhur me këtë temë, Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se nuk pritet diçka më shumë nga ish-zëdhënësi i Millosheviqit.

Image

Ramiz Lladrovci

“Nga ish zëdhënësi i Millosheviqit, as që pritet më shumë. Nuk pritet të dalë nga binaret në të cilat ka vepruar, mbi 30 vjet. Ky personazh që po mbijeton në politikën e shtetit fqinj, është paketim i ri me përmbajtje të vjetër, të planifikimit, kryerjes dhe mbulimit të krimeve të kryera në Kosovë”, u shpreh Lladrovci.

Ai nuk u shpreh i befasuar me deklarimet e Daçiqit, Lladrovci tha se pret nga gjenerata e re e Serbisë që të kërkoj falje dhe turpërohet për krimet që janë bërë në Kosovë.

“Mbi 16 mijë qytetarë të vrarë të torturuar e dhunuar, e prapë të tentojë të fsheh edhe varret e vëllezërve, motrave e fëmijëve tanë, flet shumë se me kë kemi pasur luftë, se nga kush jemi çliruar. Nuk më befason asgjë që vije nga ky lloj i njerëzve, pres që të vije një gjeneratë te shteti fqinj që do të kërkoj falje dhe turpërohet për krimet që kanë bërë në Kosovë, ushtria dhe policia serbe”, deklaroi Lladrovci.

Për fund, kryetari i Drenasit tha se nuk pret keqardhje për masakrat e bëra në Kosovë nga gjenerata e tanishme e politikanëve serb.

“Por tash për tash, nuk pres nga kjo gjeneratë e politikanëve serbë një humanizëm të tillë”, nënvizoi Lladrovci.

Deliu-Kodra: Bashkësia ndërkombëtare bashkëpjesëmarrëse në fshehjen e krimit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se kjo deklaratë e Daçiqit konfirmoi mendësinë kriminale dhe të dehumanizuar të popullit serb.

Image

Blerta Deliu Kodra

“Daçiq e konfirmoi atë që dihet botërisht, se Serbia, sot e kësaj dite, mundohet ta mbajë të varrosur krimin e saj shtetërorë ndaj shqiptarëve. Daçiq konfirmoi vazhdimësinë e një mendësie kriminale e të dehumanizuar deri në monstrumitet që fatkeqësisht dominon jo vetëm politikën, por edhe shoqërinë serbe”, deklaroi Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së tha se pas këtij deklarimi nuk mund të justifikohet asessi heshtja e popullit serb mbi krimet e kryera ndaj shqiptarve dhe fshehja e të pagjeturëve shqiptarë.

Ajo krahas deklaratës së Daçiqit, kujtoi edhe shkrimin “Nga Danubi i ftohtë dolën gra e fëminë shqiptarë” të regjisorit serb, Çedomir Petroviq.

“Ta kujtojnë regjisorin e tyre, Çedomir Petroviq, i cili kohë më parë, në një shkrim adresues shoqërisë serbe “Nga Danubi i ftohtë, dolën gra e fëmijë shqiptarë” porosiste serbët të mos e fshehin por ta rrëfejnë rrëfimin e tmerrshëm mbi krimet serbe ndaj shqiptarëve”, tha Deliu-Kodra.

Kjo e fundit, fajësoi popullin serb dhe bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen e kësaj politike serbe.

“Përderisa populli serb dhe bashkësia ndërkombëtare përkrahin këtë politikë mbesin bashkëpjesëmarrës në fshehjen e krimit, e siç dihet – fshehja e krimit është krimi më i madh”, përfundoi deputetja e PDK-së./BS

Lexo të tjera