Lajme

Gashi: Do të ketë presion nga SHBA-të që Vjosa Osmani të zgjedhet presidente

0
gashi:-do-te-kete-presion-nga-shba-te-qe-vjosa-osmani-te-zgjedhet-presidente

Gashi tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera duhet të qëndrojnë në sallën e Kuvendit kur të votohet për kreun e shtetit.

Në të kundërtën, sipas tij, ata që i humbën zgjedhjet do ta pësojnë edhe më keq nëse shkohet prapë në zgjedhje.

“Unë nuk kam absolutisht asnjë dilemë që është në interesin e vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës që deputetët e saj të qëndrojnë në sallë, por edhe të partive të tjera politike dhe jo vetëm të LDK-së. Të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë pro ose kundër nuk është me rëndësi, por të qëndrojnë në sallë kur të zgjedhet presidenti i Kosovës. Nëse Kosova shkon edhe njëherë në zgjedhje, partitë politike që i kanë humbur këto zgjedhje janë të vetëdijshme se mund ta pësojnë edhe më keq”.

Ai theksoi se do të ketë një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare, në veçanti nga SHBA-të, që Vjosa Osmani të zgjedhet Presidente e Kosovës.

Shkëlzen Gashi tha se liderët politikë në Kosovë që nga viti 1989 e deri më sot janë përzgjedhur nga Washingtoni.

“Presioni i bashkësisë ndërkombëtare, me theks të veçantë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë që Vjosa Osmani të zgjedhet presidente e Republikës së Kosovës”.

“Mos harroni që prej vitit 1989 e deri më sot liderët politikë të Kosovës janë caktuar prej Washingtonit. Prej vitit 89-të e deri tek e 45-ta janë caktuar nga Beogradi, prej Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, kurse nga viti 1989 caktohen prej Washingtonit, konkretisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.Kryetari i parë i Kosovës në vitin 1989, pas rënies së komunizmit këtu, është zgjedhur Ibrahim Rugova. Dhe tashmë ka dëshmi të pakontestueshme që ai ka qenë njeriu i preferuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njësoj ka ndodhur edhe me presidentin e dytë që ka qenë Fatmir Sejdiu, pastaj edhe me Behgjet Pacollin. I kemi parë të gjithë mesazhet e ambasadorit të atëhershëm të SHBA-ve – Christopher Dell – dhe intervenimet e tij për ta zgjedhur Behgjet Pacollin president të Republikës së Kosovës, pastaj ndërhyrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta zgjedhin Atifete Jahjagën si presidente të Republikës së Kosovës. Dhe në fund edhe presidentin e fundit të Kosovës, Hashim Thaçin, i cili është zgjedhur me mbështetjen e SHBA-ve”, tha ai në KlanKosova.

Tutje Gashi shtoi se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim radikal apo rrënjësor që e bën të besoj se kjo ka ndryshuar.

“Edhe këtë kemi për ta parë më së largu javën tjetër kur do të kompletohet qeverisja e Kosovës. E kemi Kuvendin, kryesinë e Kuvendit, qeverinë dhe do ta kemi edhe presidentin e Kosovës”.

Lexo të tjera