Lajme

Gashi: Trajtimi me politizim i të pagjeturve, hap tjetër drejt turpit të përbashkët

0
gashi:-trajtimi-me-politizim-i-te-pagjeturve,-hap-tjeter-drejt-turpit-te-perbashket

Ai tha se kjo çështje po politizohet dhe se përdorimi i personave të pagjetur për interesa politike është një turp i madh.

Gashi u shpreh se vetëm disa ditë më parë është gjetur një varrezë masive në Serbi, për çka tha se gjithçka ka qenë e organizuar.

“Trajtimi i saj mbi idenë e politizimit është vetëm edhe një hap tjetër drejtë turpit të përbashkët të përdorimit për interesa ditore politike të një çështje kaq të dhimbshme nacionale. Pra, personat e pagjetur dhe fati i tyre dhimbja e familjeve dhe shoqërisë kosovare të përdoret për interesa politike me argumente të paqena pajtohem që është një turp i madh. Por, t’i kthehemi temës pak më dinjitetshëm, personat e pagjetur sot po trajtohen këtu nga një këndvështrim i gabuar. Për personat e pagjetur ka vetëm një fajtorë, vetëm një, nuk janë dy, është shteti i Serbisë, jo regjimi i Millosheviqit, jo politika e Serbisë, shteti i Serbisë, sepse ajo vrasje, ato zhdukje janë kryer nga shteti i Serbisë, nga strukturat shtetërore pa marrë parasysh regjimin, pa marrë parasysh kush qeverisë në Serbi. Ata kanë dokumentacion, ata kanë arkiva, ata kanë përgjegjësi. Para dy ditësh gjendet një varrezë masive në Serbi, e organizuar vrasja, e organizuar zhdukja, e organizuar fshehja, e organizuar heshtja mbi 20 vjeçare. Ky organizim është nga shteti i Serbisë, nuk kemi nevojë që të sulmojmë njëri tjetrin, nuk kemi nevojë që të kapemi mes vete për këto tema, sepse adresa është një, është në Serbi”, tha ai.

Ai tha se për të arritur që të imponohet zgjidhje për këtë temë, duhet të jenë unik dhe të kërkojnë partneritet ndërkombëtarë, për çka tha se partneriteti ndërkombëtar mund të jetë çelësi që të zbardhet fati i personave të pagjetur.

Po ashtu, ai tha se në mënyrë që shteti që e ka bërë këtë krim të marrë përgjegjësinë duhet të jenë bashkë dhe duhet të krijojnë presion mbi Serbinë.

“Ne duhet të jemi unik dhe të ndërtojmë partneritet ndërkombëtarë për presion mbi Serbinë, sepse në Serbi janë personat e pagjetur. Serbia i ka dokumentacionet ku janë personat e pagjetur, si i kanë zhdukur këta persona dhe Serbia duhet të dorëzojë. Pra, ne mund të pajtohemi që paqja dhe pajtimi në këtë rajon nuk mund të arrihet për pa u zbardhur fati i personave të pagjetur, për pa u marrë përgjegjësia institucionale e shtetërore nga shteti që i ka bërë këto krim, këtë gjenocid mbi qytetarët e Kosovës. Unë kam edhe një këndvështrim pak më ndryshe, unë jam shumë dakord që të mos politizohet për politika të brendshme kjo çështje, por mbi të gjitha kjo çështje është politike, kjo çështje është politike sepse ata njerëz janë vrarë për arsye politike, ata njerëz janë vrarë sepse kanë qenë shqiptarë, pra është politike dhe kryekëput politike me Serbinë, por mos të tentojmë që ta politizojmë për politika të brendshme ditore në Kosovë, kjo mund të jetë problem”, tha ai.

Gashi tha se raportet mes Kosovës dhe Serbisë varen nga çështja e të pagjeturve, nuk ka paqe dhe pajtim pa u gjetur këta persona dhe pa kërkuar llogari për të gjithë atë sistem që bëri këtë krim makabër.

Lexo të tjera