Lajme

Gazeta kroate: Millosheviq ra 20 vjet më parë, Serbia drejtohet sot nga ministri i tij i informacionit

0

Anëtarë të regjimit të atëhershëm ishin edhe ministri i sotëm i mbrojtjes Aleksandar Vulin dhe ministri i punëve të Jashtme Ivica Daçiq

Njëzetvjetori i rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe protestat e qindra mijëra qytetarëve që shënojnë fundin e qeverisjes së tij, pasuar nga luftërat, sanksionet, inflacioni milionësh dhe shkatërrimi ekonomik i vendit, po shënohet të hënën në Serbi, shkruan gazeta kroate “Jutarnji list”.

Këtë vit, në kushtet e pandemisë covid-19, përvjetori i ndryshimeve demokratike në Serbi do të shënohet në mënyrë shumë më modeste se më parë, kryesisht me tribuna dhe debate të rastit, dhe një nga tubimet e paralajmëruara është ai nga gazetarë dhe OJQ-të në Nish.

Në Beograd, organizuar nga Instituti i Filozofisë dhe Teorisë Sociale dhe Fondacioni Friedrich Ebert, do të mbahet diskutimi “5. tetori – 20 vjet më vonë: Shoqëria në Serbi përballet me sfidat e luftës jashtëinstitucionale për legjitimitetin politik “.

Protestat në qendër të Beogradit më 5 tetor dy dekada më parë, të cilat në kryeqytetin serb mblodhën njerëz nga e gjithë Serbia, pasuan pasi që Komisioni zgjedhor i Republikës refuzoi të njihte fitoren e kandidatit presidencial të Opozitës Demokratike (DOS) Vojislav Koshtunica në zgjedhjet e 24 shtatorit 2000

Koalicioni DOS përbëhej nga 19 parti dhe Millosheviqit iu kërkua të pranonte humbjen në zgjedhjet federale, lokale dhe presidenciale deri më 5 tetor, me heqjen e udhëheqjes së televizionit shtetëror (RTS) dhe zbatimin e një politike editoriale objektive në vend të propagandës së regjimit.

Partitë e opozitës pretenduan që Koshtunica fitoi 52.54 përqind të votave dhe refuzoi një raund të dytë të zgjedhjeve, duke u bërë thirrje mbështetësve të tyre për të protestuar.

Në rrugët e Beogradit dhe përpara Kuvendit të atëhershëm Federativ më 5 tetor 2000, turmat u mblodhën që vinin nga e gjithë Serbia me autobusë, makina, kamionë edhe ekskavatorë.

Pasi hynë në ndërtesën e parlamentit, e cila u dogjën pjesërisht dhe u shkatërrua, protestuesit pushtuan edhe ndërtesën e RTS-së.

Policia dhe njësitë e saj speciale në fund të ditës kanë dalë në krah të protestuesve, ndërsa gjatë demonstratave pati të vrarë dy persona – një protestues dhe një polic dhe 65 njerëz u plagosën.

Më 6 tetor 2000, Millosheviqi pranoi se humbi zgjedhjet dhe përgëzoi Vojislavl Koshtunicën për fitoren e tij.

Shumë qytetarë serbë besuan se kjo ishte disfata përfundimtare e regjimit autoritar dhe se ishin bërë ndryshime rrënjësore demokratike.

Mirëpo, pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq më 12 mars 2003, opozita demokratike u shpërbë plotësisht, Vojisllav Koshtunica u tërhoq nga skena politike për shkak të humbjes elektorale të Partisë së tij Demokratike të Serbisë (DSS) dhe fituesit e pesë tetorit nuk ia dolën që premtimet e dhëna të vihen në veprim.

Dy dekada më vonë, Serbia tani drejtohet nga shumë pjesëmarrës dhe bashkëpunëtorë të regjimit të Millosheviqit.

Kryetari i tanishëm serb Aleksandar Vuçiq ishte ministër i informacionit gjatë qeverisjes së Sllobodan Millosheviqit, kur shumë media të pavarura u ndëshkuan dhe u mbyllën.

Aleksandar Vulin, atëherë një anëtar i shquar i së Majtës së bashkuar jugosllave (JUL) të gruas së Millosheviqit Mirjana Markoviq, tash është ministër i mbrojtjes, ndërsa zëdhënësi i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Millosheviqit Ivica Daçiq është shefi aktual i diplomacisë serbe, kryetar i SPS-së dhe partneri i koalicionit të Partia përparimtare serbe të Vuçiqit.

Gjatë qeverisë së Zoran Gjingjiç, Slobodan Millosheviç u ekstradua në gjykatën në Hagë me akuza për krime lufte dhe ai vdiq në një qeli të burgut në Scheveningen në vitin 2006, pa marrë një vendim.

Partia Demokratike e Gjingjiqit, ndërkohë, është ndarë në disa fraksione dhe parti të vogla dhe askush prej tyre nuk ka përfaqësues në Parlamentin aktual serb.

(Kosova Sot Online)

Lexo të tjera