Sport

Gramoz Kurtaj, mesfushori me eksperiencë në futbollin evropian, i cili pritet të zbarkojë në Superligën e Kosovës

0
gramoz-kurtaj,-mesfushori-me-eksperience-ne-futbollin-evropian,-i-cili-pritet-te-zbarkoje-ne-superligen-e-kosoves

Kurtaj, 29 vjeçar, pas një aventure të gjatë në futbollin evropian, por edhe jashtë Evropës, pritet që këto ditë të finalizojë marrëveshje me skuadrën e Gjilanit, mëson lajmi.net.

Aktualisht, lojtari është pjesë e skuadrës nga Superliga e Vietnamit, Thanh Hoa, ku në 15 paraqitje ai ka arritur të gjej 6 herë rrugën e golit. Pjesa më e ndritur e karrierës së Gramozit mbetet ajo e kohës kur mesfushori kosovar luante në Premiership të Skocisë, me skuadrën e Hamilton Academical.

Në dy sezone të kaluara atje, Kurtaj arriti të shënonte tri herë (48 paraqitje), me golin kundër Celtic që vazhdon të mbetet në kujtime si një perlë e vërtetë, e cila zbukurohej nga festa me shqiponjë.

Pasi i dha fund aventurës me Hamilton në vitin 2017, Gramozi zgjodhi të dilte jashtë Evropës, për të kaluar në Superligën e Vietnamit, kur po atë vit nënshkroi me SHB Da Nang, ku në tetë paraqitje shënoi 2 herë, duke arritur marrëveshje më pas me skuadrën që luajti deri këtë sezon, Thanh Hoa.

Vitet e hershme të karrierës, mesfushori i kishte kaluar në Gjermani, duke luajtur me ngjyrat e skuadrave si Holstein Kiel, Hertha BSC II, Carl Zeiss-Jena, për të luajtur një sezon edhe në Çeki, me Banik Most.

Së fundmi, Gramoz Kurtaj ishte në përgatitje me skuadrën e Partizanit të Tiranës, por si pasojë e dënimit që UEFA i ka dhënë skuadrës shqiptare, transferimi i Kurtaj ishte i pamundur. Lojtari aktualisht është në negociata me nën-kampionët e Kosovës, Gjilanin.

Finalizimi i marrëveshjes po pengohet si pasojë e dokumentacionit, mëson lajmi.net.

Kujtojmë se Gramoz Kurtaj në vitin 2016, kur ishte pjesë e Hamilton Academical në Skoci, ishte shprehur i hapur për t’iu bashkuar kombëtares së Kosovës.

Kurtaj do të ishte një ndihmë e madhe për Gjilanin, me gjithë përvojën që ka fituar në aventurën e tij të gjatë në Evropë. /Lajmi.net/ 

Lexo të tjera