Opinion

Hajnat, për të grabitur, së pari vjedhin të vërtetën!

0

Mytaher Haskuka

Hajnat, për të grabitur, së pari vjedhin të vërtetën!


Me gënjeshtra dhe me prezantim të pjesshëm të informatave, mundohen “të hedhin lloqin duke shpresuar që të mbetet njolla”. Kështu ishte titulli i portalit Gazeta Blic: “Edhe babai i kryetarit të Prizrenit- Daver Haskuka privatizon në vlerë prej 71 mijë eurosh”, e pastaj një varg profilesh të rrejshme, duke shpifur e sulmuar në komente!

Për hir të informimit të opinionit, ajo që Gazeta Blic, pra këta hajna të së vërtetës nuk e tregonjnë në titull dhe në lajmin e tyre, është që babai im ka blerë materiale të mbetura nga ish-ndërmarrja “Filigran” mbi çmimin e tregut. Këtë e tregon edhe vlera e paguar për këto materiale, pra 71,000 Euro, ku oferta e dytë për këto materiale në këtë privatizim ka qenë 36,000 Euro. Për më shumë, AKP-ja kurrë nuk i ka dorëzuar gjithë materialet, edhe pse e gjithë shuma i është paguar AKP-së.

Pra babai im ka paguar dyfish më shumë se oferta e dytë në këtë privatizim, pra ka paguar 35,000 Euro më shumë! Nëse gazetaria do të ishte profesionale, nuk do t’ia mohonte këto fakte publikut. Po të kishte pak etikë te këta “gazetarë” ata do të vërtetonin se babai im ka blerë këto materiale me çmim mbi vlerën e tregut. Por këta nuk e duan të vërtetën, këtyre iu interesojnë pagesat që do t’i marrin për shpifjet e tyre.

Hajnat e së vërtetës kanë bërë shumë para duke blerë tokat e Kosovës me nga 1 euro për 1 ari dhe tani ata blejnë portale si Gazeta Blic, që të na vjedhin edhe të vërtetën.

Loja e tyre është perfide, ata duan të barazojnë hajnitë e tyre me privatizimet e drejta që ka qenë me vlerën e tregut. Por loja e tyre nuk pinë ujë në Prizren. Ngase Prizreni na njeh si familje me gjysh e stërgjysh dhe shpifjet nuk kalojnë. E dinë që ne, në familje, jemi edukuar dhe rritur që mos ta prekim të huajën.

Atë që nuk e fitojmë me djersë nuk e duam, ne nuk duam “haramin” sikur “bossët” e Gazetës Blic!

Lexo të tjera