Lajme

Historia e një gruaje që i shoqi e braktisi pak ditë para dasmës së tyre përrallore

0

Katherine Ormerod reflekton për fundin e martesës së saj dhe se si kjo gjë i dha asaj një perspektivë të re për jetën dhe dashurinë.

Në muajt para 30-vjetorit tim, mbaj mend që ndieja kënaqësi që shumë pjesë të së ashtuquajturës “jetë adulte” po shkonin në vend: Unë kisha një punë të shkëlqyer në Londër si redaktore revistash, një burrë që e njihja që kur u diplomova në kolegj dhe një grup argëtues miqsh. Pastaj, 10 ditë para ditëlindjes sime, nga hiçi burri im më njoftoi se do të largohej. Ai bëri valixhet të nesërmen dhe nuk e kam parë më dhe nuk kam folur më me të prej gjashtë vjetësh që nga ajo kohë.

Pas kësaj, unë isha e paaftë të ndieja gjë tjetër përveç humbjes, turpit dhe tjetërsimit. E vërteta është se jeta nuk ndalon dhe tragjedia juaj personale nuk është e askujt tjetër. Miqtë tuaj nuk do ndalojnë së fejuari, mbeturi shtatzënë ose të ngrihen në detyrë. Faturat vazhdojnë të vijnë, ashtu si edhe afatet; faqet e revistave duhet të vazhdojnë të mbushen me kopje. Duket si një klishe, por ishte puna që më shpëtoi. Shkëputja e parë nga mjerimi im erdhi në një udhëtim në Los Anxhelos, ku unë isha duke intervistuar dy gra të fuqishme biznesi, Tory Burch dhe Diane von Furstenberg, të cilat, meqë ra fjala, gjithashtu kishin pasur një divorc. Në vazhdim të bisedës time me Diane von Furstenberg në shtëpinë e bukur në Beverly Hills që ndan me burrin e saj, Barry Diller, ajo ndaloi fjalinë në mes për të më pyetur nëse isha mirë. Mendova se isha duke bërë një punë të mirë duke u shtirur, por tani që e kujtoj isha në një mbytje emocionale dhe dukshëm në krizë.

Pasi shpjegova situatën, DVF u kthye nga unë dhe më tha:

“Vajzë, duhet të ndryshosh lentet në syzet e diellit. Ti thua se ai të la? Në të vërtetë ai të la të lirë. Ti je e re, në gjysmë të rrugës dhe po qëndron në një hotel të shkëlqyeshëm. Shko bëj një aventurë.”

Më vonë ajo më dha një portofol të qëndisur me buzë, që ta mbaja sa herë që udhëtoja për të më kujtuar lirinë time dhe më ktheu përsëri në dhomën time në Sunset Tower me magnetofonin tim dhe një puthje në faqe. Fjalët e saj m’u ngulitën në kokë atë mbrëmje, kur një mikeshë më thirri për të më kërkuar të dilnim për të pirë në Chateau Marmont; Mund të qëndroja brenda dhe të punoja për artikujt e mi ose mund të lejoja që nata të më merrte. Zgjodha këtë të fundit dhe përfundova duke takuar një milioner nga Teksas. Ishte një lidhje jetëshkurtër, por theu magjinë.

Kur u ktheva në shtëpi vendosa ta kthej pllakën. Fillova duke fshirë çdo fotografi të vetes me ish-in tim në rrjetet sociale. U regjistrova në Tinder. Por nuk isha plotësisht e gatshme t’ia filloja nga e para. Perceptimi se kisha dështuar romantikisht më ishte ngulur në mendje dhe e kisha të pamundur të mos e përmendja. Edhe te njerëzit që nuk i njihja. Edhe në takime. Kam qarë në rrugë dhe në metro. Nuk flija, isha dobësuar shumë dhe nuk pata menstruacione për muaj të tërë.

Sidoqoftë dalëngadalë fillova të mos ndihesha më e turpëruar. Nuk doja të flisja me miqtë e mi, kryesisht sepse ata të gjithë ishin përgatitur për të marrë pjesë në dasmën tonë 3-ditore në Toskanë. Njerëzit që mendoni se do të jenë aty për ty shpesh të befasojnë… dhe anasjelltas. Kam humbur shumë miq, por nuk ishte për shkak të ndarjes në vetvete. Ishte më shumë për faktin që divorci më ndryshoi: Unë pretendoja se isha e lumtur. Pretendoja se i shijoja disa gjëra, kjo për të kënaqur njerëzit e tjerë. Është çliruese të humbësh atë që ti do më shumë dhe të mbijetosh. Të bën të patrembur. Duke hequr turpin fillova të jetoj me vërtet.

Tani mund të them se divorci ishte gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë. Sot shikoj atë që ka më shumë rëndësi për mua dhe qesh me faktin se sa shumë ka ndryshuar përkufizimi im i suksesit dhe lumturisë, nga ai që kisha parashikuar në të 20-at. Unë nuk jam në stafin e një reviste. Unë nuk jam e martuar. Tani drejtoj markën time, kam botuar një libër në mediat sociale dhe kam mbajtur një bisedë TEDx – të gjitha gjërat që kurrë nuk do të kisha imagjinuar se kisha potencialin për t’i arritur.

Gjithashtu kam një njeri të mrekullueshëm në jetën time, një burrë më të ri në moshë, i cili kur e takova unë bëra 30 vjeç, ndërsa ai sapo kishte mbaruar kolegjin. Ne kemi background dhe interesa krejtësisht të ndryshme dhe patjetër që të afërmve të mi iu desh kohë për të kuptuar marrëdhënien tonë. Por ne jemi të lumtur dhe jemi bekuar me një djalë të vogël, Gray. Dashuria jonë është një lloj i veçantë dashurie: më e qetë, më e fortë, por me një sens perspektive. Mund të mos jetë përgjithmonë, por është ok. Mundohem të mos pendohem (përveç hedhjes së fustanit të dasmës prej 5000 dollarësh në një kosh dhurimi). Përjetoj momente nostalgjie në të cilat është e vështirë të besoj se protagonistja isha unë. Unë jam një grua tjetër tani dhe kujtimet nuk përshtaten domosdoshmërisht. Por të jesh e martuar dhe të divorcohesh është një pjesë e asaj që unë jam, jo vetëm historia ime, kështu që unë vendos të jem krenare.

Përshtatur nga Harper’s Bazaar/BS

Lexo të tjera