Lajme

Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit fuqizon Kosovën dhe sovranitetin, pa njohje reciproke s’ka marrëveshje me Serbinë

0
hoti:-marreveshja-e-uashingtonit-fuqizon-kosoven-dhe-sovranitetin,-pa-njohje-reciproke-s’ka-marreveshje-me-serbine

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka raportuar në lidhje me procesin e dialogut dhe marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator.

Pas shumë polemikave në lidhje me marrëveshjen dhe procesin e dialogut në seancën maratonike të Kuvendit të Kosovës, në fund, kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti, ka dhënë edhe disa vlerësime të tij në lidhje me marrëveshjen e Uashingtonit dhe procesin e dialogut, raporton lajmi.net.

Hoti ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit e fuqizon Kosovën dhe sovranitetin, ndërkaq sa i përket çështjes si dialogut, Hoti tha se, nuk do të  ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa njohje reciproket.

“Vlerësoj që marrëveshja e Uashingtonit e fuqizon Kosovën dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo marrëveshje i fuqizon lidhjet me SHBA-në. Ajo që është edhe më e rëndësishme është se ky dokument e lidh regjionin me perëndimin dhe kjo është e interesit strategjik për të gjithë ne. Sa i përket procesit të dialogut, unë vlerësoj që është i strukturuar si duhet dhe nuk dëgjova ndonjë koment specifik apo ndonjë parim shtesë që duhet ta marrim parasysh. Dialogu për qartësim të të gjithëve, është vetëm për njohje reciproke. Parimet janë të qarta. Integriteti territorial nuk cenohet, nuk preket karakteri unitar i shtetit dhe unë besoj që përmes këtyre i japim përgjigje plot çështjeve edhe shqetësimeve që po i ngrisin detpuetët. Në dialog po ndërmjetësojnë shtetet më të rëndësishme që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Unë mendoj se është interes i Kosovës që të normalizohen me gjithë rajonin. Unë do të punojë me SHBA-në edhe me BE-në sepse dyja këto janë angazhuar që të përmbyllin projektin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe gjithë rajonit. Pa njohje reciproke Kosovë-Serbi, nuk ka marrëveshje sepse njohja reciproke e qetëson këtë pjesë të Evropës. Unë nuk dëgjova vlerësime që dialogu nuk duhet të vazhdojë. Çështja e transparencës. Unë po mundohem të jem jashtëzakonisht transparent, por caktojeni një format tjetër se si duhet të dialogojmë, me seancë të mbyllur, komisione parlamentare vetëm për dialog apo si ju ta shihni të nevojshme, unë do jem para juve për t’ju informuar. Mbylleni seancën edhe mandej po flasim edhe për atë se si kemi biseduar edhe gjatë korridoreve në Shtëpinë e Bardhë. Ky ka qenë deklarimi për medie në Uashington kur jam pyetur nga gazetarët që nuk po jeni transparent. Si mund të jem transparent nëse gjatë pauzës kemi biseduar në këmbë”, deklaroi Hoti.

Pas deklarimit të Hoti edhe është përmbyllur seanca e Kuvendit të Kosovës. /Lajmi.net/

Lexo të tjera