Lajme

Kërkohet trupi i Mirjeta Zeka-Shabanit që u zhduk një vit më parë, flasin vëllezërit e saj

0

Mirjeta Zeka-Shabani nga Mitrovica, e cila ka jetuar në Gjermani prej disa vitesh, është zhdukur që një vit e shtatë muaj.

Ajo rezulton e zhdukur nga data 31 marsit e vitit 2019 kur edhe ishte dita e fundit e qëndrimit të saj në Kosovë dhe ajo planifikonte të kthehej sërish në Gjermani ku jetonte me bashkëshortin.

Edhe vëllezërit e saj e kishin parë për herë të fundit në natën e 31 marsit. Por, ata e morën vesh se motra e tyre ishte e zhdukur vetëm dy muaj më vonë kur më 4 qershor u thirrën nga bashkëshorti i saj, Nehat Shabani.

Ata dyshuan se motra e tyre nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë nga bashkëshorti i saj. Ndonëse nga atëherë kanë filluar kërkimet për gjetjen e Mirjeta Zeka-Shabanit deri tash nuk ka pasë asnjë gjurmë nga ajo.

Gjatë këtij muaji, vëllezërit e Mirjetës kanë marrë një informacion se trupi i saj mund të gjendet i varrosur afër lumit Ibër ku edhe tashmë kanë nisur kërkimet.

Vëllau i saj Mehmedali Zeka ka dhënë më shumë detaje lnë Edicionin Special.

“Kërkesën e kemi bërë në polici para një javë e gjysmë dhe menjëherë kanë filluar me rastin. Kanë ardhur dhe kanë kontrolluar. Dje kanë qenë FSK-ja me Policinë e Kosovës dhe kanë gjurmuar, por akoma nuk kanë gjetur fakte. Ne e kemi një lokacion këtu, por edhe policia e di një lokacion tjetër, por për shkak të hetimeve nuk do të bëhet publike. Po presim nëse kërkimet do të vazhdojnë në pjesën tjetër”.

“Kanë qenë ekipet e kërkim-shpëtimit dhe zhytësat. Kanë gjurmuar nga ora 10:00 deri në ora 15:30. Ata punën e tyre e kanë kryer, por ne kemi pasur dëshirë që të punohet më shumë në këtë drejtim. Kanë thënë që kërkimet janë ndërprerë, por nuk e di arsyet pse janë ndërprerë”.

Ai është i bindur se motra e tij nuk është e gjallë dhe të gjitha dyshimet i ka te bashkëshorti i saj.

“Nuk ka dyshime të zhdukjes më, sepse janë bërë një vit e shtatë muaj nga zhdukja. Dyshimi është tek ai [bashkëshorti i saj], sepse nuk është lajmëruar kurrë edhe ka ikur në Gjermani. Këtu Prokuroria nuk po punon dhe aq shumë, që prej dhjetorit të vitit të kaluar Prokuroria nuk ka punuar asgjë. Me pasë qenë gjallë ajo do të lajmërohej. Nuk po besoj më që është gjallë”.

Ndërsa vëllau tjetër i viktimës ka folur lidhur me punën që e ka bërë hetuesia lidhur me rastin.

Sipas Rexhep Zekës, Prokuroria ua ka mbyllur derën.

“Kemi provuar prapë. Prapë të njejtat biseda. Po na thotë vetëm prisni. Jemi mbështetur për muri. Nuk po dijmë se çfarë të bëjmë. Ne do të vazhdojmë kërkimet deri në gjetjen e saj. Nuk do të ndalojmë”.

” Për prokurorin nuk di çka të them. Nuk kemi lënë vend pa u ankuar. Nuk kemi lënë ministri pa shkuar edhe tek Ambasada e Gjermanisë, por e kotë. Prokurori po na thotë prisni, Ambasada po na thotë prokurori në Mitrovicë nuk po na lë të punojmë”.

Ai thotë se dhëndrri i tyre mund të jetë i dyshuar për vrasjen e motrës.

“Dyshojmë sepse rasti i parë është se ai ka lajmëruar pas tre muajsh, të gjithë shtëpinë e ka rinovuar, dhe i ka djegur rrobat e saj”.

“Ai ka qenë person që nuk e kaluar të bëj asgjë. Këto janë dyshimet kryesore që kanë të bëjnë. Nuk jemi të sigurt 100 për qind por dyshimet kryesore janë që e ka vrarë”.

Rexhep Zeka thotë që e kanë pasur të pamundur të kontaktojnë me motrën sepse ajo nuk ka pasur telefon.

“Ajo nuk ka pasur fare telefon, sepse nuk i ka lejuar telefon. Nuk ka qenë hera e parë që ai është lajmëruar pas dy muajsh. Shpesh ka gënjyër se kemi qenë në Dubai, në Kinë është arsyetuar”.

“Lidhur me këtë rast i kemi telefonuar dhe shkruar gati çdo të dytën ditë, nuk ka kthyer përgjigjë kurrë. Ndonjëherë i lexonte mesazhet por nuk kthente përgjigje. Derisa më ka telefonuar dhe më ka thënë që i ka ikur fëmijet nga shtëpia dhe aty e kemi kuptuar. Nuk kemi besuar se mund të vijë deri tek ky rast. Dyshimet kryesore janë se ajo nuk është gjallë”.

” Prokurori ia ka kthyer të dyshuarit dokumentet. Asnjë ditë nuk ka qenë i arrestuar. Ai ka shkuar në Gjermani”.

Media në raportimin e parë ka bërë të ditur se nga pikat kufitare se vetëm Nehat Shabani është kthyer në Gjermani, ndërsa nuk ka informacion nëse edhe Mirjeta Shabani-Zeka, ka mundur të udhëtojë për në Gjermani ose të dalë jashtë kufijve të Kosovës.

Media po ashtu ka provuar të kontaktojë edhe me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës për të marrë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar, por për hir të zhvillimit të hetimeve ata nuk kanë dashur të japin detaje.

Lexo të tjera