Lajme

Kjo është pasuria që do ti kontrollohet nga shteti Presidentit Thaçi

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar mbi gjysmë-milioni euro pasuri në Agjencinë kundër Korrupsionit.

Thaçi ka deklaruar se pasuri të paluajtshme ka një tokë bujqësore, trashëgimi nga familja, vlera e së cilës arrin 180 mijë euro, e cila është në pronësi të përbashkët.

Përveç tokës, Thaçi ka deklaruar edhe dy shtëpi, njëra trashëgimi nga familja, në vlerë prej 80 mijë euro dhe tjetra në vlerë prej 350 mijë euro, të cilën ende nuk e ka paguar.

I pari i shtetit ka deklaruar se posedon veturë Audi Q3, vlera e së cilës arrin 19 mijë euro, të cilën e ka në pronësi me bashkëshorten.

Para të gatshme në institucione financiare Thaçi ka mbi 11 mijë euro.

Ndërkaq, detyrime financiare Thaçi bashkë me gruan i ka 10 mijë euro, të cilat janë shfrytëzuar për të blerë një veturë vitin e kaluar.

Të hyra vjetore i pari i shtetit ka gjithsej 60 mijë e 435 euro, prej të cilave 33 mijë e 509 euro i merr si president i Kosovës.

Kjo pasuri, të cilën presidenti Thaçi e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, do të hetohet pikërisht nga kjo agjenci shtetërore gjatë këtij viti.

Shorti publik i hedhur sot nga AKK-ja ka caktuar emrat e zyrtarëve publikë që do t’iu bëhet kontrolli i plotë i pasurisë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Presidenti, ndodhet në mesin e rreth 950 zyrtarë të lartë publikë të cilët do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga AKK-ja. /Insajderi.org

Lexo të tjera