Lajme

Komuna ‘luan loto’ me tenderin e rrugës “Muharrem Fejza”, qytetarët e indinjuar kërkojnë hetim

0
komuna-‘luan-loto’-me-tenderin-e-rruges-“muharrem-fejza”,-qytetaret-e-indinjuar-kerkojne-hetim

Që disa vite, rruga është kthyer në një makth për banorët që jetojnë aty. Ecja nëpër të është bërë shumë e rrezikshme. Plot me gropa dhe pluhur, saqë kur bie shi shndërrohet në një përroskë të rrezikshme për lëvizjen e veturave, por dhe të qytetarëve që lëvizin nëpër trotuarin e ngushtë, shkruan lajmi.net.

“Implementimi i planit të mobilitetit -Rikonstruktimi i rrugës Muharrem Fejza”, quhet tenderi që është shpallur më datë 26 gusht 2019. Që nga ajo kohë e deri më tani, prokurimi komunal një herë e shpall fitues një kompani, pastaj thotë se bëri gabim në vlerësim dhe e shpall fitues një tjetër kompani, pastaj bën “gabim” përsëri dhe shpall një tjetër dhe pastaj një tjetër. Kështu, që një vit, tenderi i cili përmban qartë kriteret e dala nga Ligji i Prokurimit është shndërruar në një lojë që i përngjan lotarive, ndërkohë që loja po vazhdon ende.

Megjithëse komuna pretendon të bëjë zgjidhje përfundimtare nëpërmjet kësaj kontrate, së fundmi ka filluar të shpërdorojë pak paranë publike. Po mundohet të mbulojë gropat me kompaninë e angazhuar për sanimin e gropave. Bile këtyre ditëve është parë duke mbuluar disa gropa edhe gjatë kohës që binte 

Përfaqësuesit komunal në një takim që kanë pasur para disa javëve me banorët, e kanë hequr pak fajin nga vetja. U kanë thënë se kanë pasur probleme, pasi lënda ndodhet në OSHP sepse ka pasur pakënaqësi nga kompanitë garuese. Por, tenderi ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, shumë kohë pasi komisionet komunale të rivlerësimit të ofertave, e kanë shpallur herë një e herë një tjetër fitues, pas ankesave të kompanive kur kanë bërë kërkesë për rishqyrtim. Në fakt, aktualisht tenderi ndodhet për gjykim në OSHP, pasi komuna vendosi të shpall një fitues në fund, ani pse të njëjtin e kishte shpallur vetë të papërgjegjshëm dhe me atë vendim nuk u pajtuan kompanitë. Por, si vajti procesi i tenderit deri më tani?

Komisioni komunal manipuloi disa herë ofertat

Për këtë tender në vitin e kaluar garuan 9 kompani:

  1. “Kema Company” & “Eskavatori”, në vlerë prej 648.770,10 euro.
  2. “Ledi Ing” në vlerë prej 669,058.90 euro.
  3. “Alfa i” më vlerë prej 728,72.
  4. Grupi i komompanive “Rexha” & “Eko Group” në vlerë prej 682.900,40 euro.
  5. “Rahovica Comerc” në vlerë prej 704.163,30.
  6. “Beni Construction” & “Pro -Co Group” në vlerë prej 722.156,77 euro.
  7. “Alko Impex –General Construction”, në vlerë prej 748.342,59
  8. “Gashi Ing” në vlerë prej 809.708,55 euro.
  9. “Papenburg&Ardiani Company”, në vlerë prej 818.868,90 euro.

Më datë 31 tetor 2019, prokurimi komunal e ka shpallur fitues ofertën e kompanisë “ Ledi Ing ” SH.P.K,  ( 669,058.90 euro.) e cila kishte çmimin e dytë më të lirë, pasi kompanitë në konzercium,  parë më e lirë “Kema” & “Eskavatori” patën çmimin më të lirë, ato ishin vlerësuar si të pa përgjegjshme, duke mos plotësuar disa kërkesa. Pastaj kompanitë tjera janë vlerësuar si më të shtrenjtë, ose të papërgjegjshme.

Pas  njoftimit të komunës pë shpalljen e fituesit “njoftimit për dhënie të kontratës”, kërkesë për rishqyrtim pran AK- Komuna e Prishtinës ka dorëzuar kompania “Alfa i” duke pretenduar se komisioni komunal i vlerësimit e ka shpallur fitues një kompani që nuk i ka përmbushur kërkesat sipas dosjes se tenderit. Komuna e ka shqyrtuar këtë ankesë dhe i ka dhënë të drejtë pjesërisht kompanisë “Alfa i”, dhe ka vendosur që lëndën ta kthejë edhe njëherë në rivlerësim.

Pas rivlerësimit tenderin ia ka dhënë kompanisë  ankuese“Alfa i”, e cila e kishte ofertën e tretë më të lirë. Dy të parat “Kema” dhe “Ledi Ing”, i shpalli si të papërgjegjshme, ndërsa kompanitë tjera me çmimin më të shtrenjtë, dhe disa të papërgjegjshme. Po ashtu, herën e parë kjo kompani ishte shpallur e papërgjegjshme.

 

Nëse herën e parë e kishte shpallur fitues kompaninë “Ledi Ing”, pas rivlerësimit, e vlerësoji si të papërgjegjshme duke thënë se “Tenderi i juaj është administrativisht i papërgjegjshme: Komisioni vlerësues lidhur me vlerësimin e ofertës tuaj konstaton: OE nuk i ka plotësuar dy pozicione të paramases tek pjesa B. Rrjeti i kanalizimit atmosferik dhe fekal-punët demoluese, pozicioni nr. 2.1 dhe 2.2. Mos plotësimi i ndonjë pozicioni ose dhëna e çmimit zero eliminon automatikisht OE”.

Meqë ua lejon ligji, kompania “Rahovica” dhe “Rexha”, kërkuan rishqyrtim tek Autoriteti Kontraktues, pasi nuk u pajtuan me komisionin i cili shpalli fitues kompaninë “Alfa” në herën e dytë. Dy kompanitë u ankuan se komisioni i rivlerësimit e shpalli fitues një kompani që nuk i plotësonte kriteret. Zyra e prokurimit komunal, sikurse edhe herën e kaluar i shqyrtoji ankesat, dhe i dha të drejtë ankesës së kompanisë “Rahovica”. Pra, u vendosë që lënda të kthehet edhe një herë në rivlerësim.

Pasi e mbaji disa ditë tenderin në rivlerësim, Komuna vendosi që të shpallë një fitues tjetër. Tash oferta e kompanisë “Rexha” u vlerësua si më e përgjegjshmja, ani pse ishte e katërta në rend me çmimin më të lirë.

Nëse paraprakisht, fitues ishte shpallur kompania “Alfa”, në rivlerësim, komuna tha se kjo kompani ka ofertë të papërgjegjshme për shkak se “Tenderi është administrativisht i papërgjegjshme: Komisioni vlerësues lidhur me vlerësimin e ofertës konstaton: OE ALFA.i në ofertë nuk i ka plotësuar tërësisht kërkesat për pajisjen spërkatëse të ujit, DUD që ka sjell dëshmon daljen e pajisjes jashtë Kosovës, dhe nuk dëshmon se OE ka atë pajisje, nuk ka dëshmi as që OE me të cilin ka bërë marrëveshje për shfrytëzim të mjeteve e ka atë pajisje”.

Pas vendimit të komunës, i cili e shpalli fitues OE “Rexha”, brenda afateve ligjore është ankuar kompania “Alfa i”, duke bërë kërkesë për rishqyrtim pranë autoritetit kontraktues, pasi ka konsideruar se komisioni i rivlerësimit ia vlerësojë ofertën pa të drejtë. Komuna e mori në rishqyrtim ankesën e kompanisë.

Pas rishqyrtimit AK-Komuna e Prishtinës i dhanë të drejtë kompanisë në ankesën e saj ani pse paraprakisht e kishte shpallë të papërgjegjshme, çuditërisht komuna prapë ia dha tenderin kompanisë “Alfa i”.

Kurse, kompania “Rexha” që u vlerësua e përgjegjshme në herën e tretë, tash u vlerësua të papërgjegjshme. “OE Rexha SHPK dhe EKO Group, i kërkohet te sjell pajisjen cistern uji te regjistruar qe ka qen pjese e listës se pajisjeve. Por OE nuk e ka sjell të njëjtën por e ka plotësuar me pajisje tjera, ndërsa komisioni i vlerësimit nuk e ka pranuar këtë sqarime si te vlefshëm”, tha komisioni komunal i prokurimit.

Kësisoj “loja” nuk mbarojë me kaq. “Hop andej e hop këndej”, përsëri pranë autoritetit kontraktues është ankuar kompania “Rahovica”, duke ia kujtuar AK-Komuna e Prishtinës se njëherë e kishte shpallur si të papërgjegjshme kompaninë “Alfa i”, pasi ishte verifikuar se deklarata doganore e dorëzuar për makinë spërkatëse për emulsion ka qenë deklaratë e eksportit dhe në bazë të kësaj ai tenderues është eliminuar.

Por, lidhur më këtë, komuna i ka kthyer përgjigje se “Kompania e njëjtë ka paraqitur kërkesë për rishqyrtim duke sjell për dëshmi një deklaratë tjetër doganore, sipas të cilës, rezulton se mjeti që i është dërguar kompanisë në Maqedoni është kthyer prapa në gjendje të rregullt në Kosovë dhe se tani është në benzen e operatorit ekonomik me të cilën e ka marrëveshjen për shfrytëzim të makinerisë me kompaninë “Eskavatori Compan”.

Andaj, këtë herë Komuna u tregua e “vendosur”, nuk e mori për bazë ankesën e “Rahovica”, por vendosi që të nënshkruaj kontratë me kompaninë që e shpalli fitues.

Më pas “Rahovica” vendosi të ankohet tek Organi Shqyrtues i Prokurimit

Paneli i OSHP-së pasi analizoi ankesën e kompanisë, gjeti se komuna ka bërë shkelje gjatë rivlerësimit dhe kërkoi nga ajo që ta kthejë lenden edhe njëherë në rivlerësim. Komuna u pajtua më konstatimet e OSHP-së dhe vendosi që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

 

Pas rivlerësimit e shpalli fitues kompaninë ankuese “Rahovica”, ani pse më herët e kishte shpallur të pa përgjegjshme.

Për kompaninë “ Alfa” që e kishte shpallur fitues paraprakisht, tash shkroi ne oferte nuk i ka plotësuar  tërësisht kërkesat për disa pasje sipas kërkesës së dosjes së tenderit.

Andaj, kompania kërkojë rishqyrtim tek prokurimi komunal. Prokurimi ia hodhi poshtë kërkesën dhe la në fuqi vendimin e vet. Më pas “Alfa” u ankua në OSHP duke pretenduar se u shkel ligji. OSHP-ja e autorizoi ekspertin e vet për të shoshitur pretendimet e ankuesit, dhe gjeti se ka shkelje kur u shpallë fituesi. Andaj, e kërkoi ka komuna që tenderin ta kthejë në rivlerësim edhe njëherë.

Komuna e kthejë në rivlerësim tenderin dhe e shpalli fitues kompaninë “Alfa”. Për kompaninë “Rahovica” tha se “OE Rahovica – Ne vendimin 261/20 te OSHP-se ceket se OE Rahovica nuk e ka përmbushur kërkesën e AK qe te sjellën dëshmi për dy teknik te ndërtimtarisë, por OE ka sjell dy inxhinier te ndërtimtarisë, pra sipas OSHP-se OE ka sjell staf te mbikualifikuar dhe nuk ju ka përshtat kërkesave te dosjes”.

Kompania “Rahovica” nuk u pajtua me këtë vendim, kërkoi nga komuna rishqyrtim. Komuna ia hodhi poshtë ankesën dhe e la në fuqi vendimin e vet. Më 10 shtator 2020, kompania “Rahovica” është ankuar përsëri në OSHP. “Gjykata e tenderëve” e ka pranuar ankesën dhe e ka caktuar ekspertin e vet të shoshit provat. Eksperti akoma nuk e ka nxjerrë një vlerësim.

Banorët shprehen të zhgënjyer dhe të nëpërkëmbur me neglizhencën e komunës për ndërtimin e rrugës së tyre.

“Para afro dy muajve ka qenë drejtori i komunës Gazim Rafuna me disa të tjerë për diskutim. Na ka thënë se ka pasur probleme në OSHP për shkak të ankesave. Por, na pati thënë se ajo punë është kryer dhe shumë shpejt do të nisin punimet. Po ashtu, na pati njoftuar se paraprakisht do të mbulojnë gropat e mëdha. Siç na pati njoftuar ai, rruga do të bëhet njëkahore. Por, siç po shihet punët nuk po nisin, pos që i kanë mbuluar disa gropa”, tha njëra prej banorëve që jeton në këtë rrugë.

Një tjetër banor kërkon që me këtë punë të merret prokuroria. “Edhe një muaj vjen dimri. Ka me mbetë për në mot kjo rrugë. Kanë filluar të mbulojnë disa gropa, një herë e prenë asfaltin e tash po i mbulojnë disa. Ky avaz i mbulimit të gropave po vazhdon që disa vite. Nëse nuk intervenon prokuroria për të hetuar punën e mbulimit të gropave dhe se si kompanitë e ndërtimit e kanë kthyer në këtë gjendje, do të vazhdojë kështu pa kufi”.

Lajmi.net ka raportuar në vazhdimësi lidhur me problemet e kësaj rruge me gropat. Pas problemeve të vazhdueshme, Komuna e Prishtinës kishte vendosur që një pjesë të saj ta asfaltojë, por më pas përsëri ishin hapur gropat.

Lajmi.net kishte gjetur se veprimet e komunës për asfaltim ishin bërë kundërligjshëm. / Mentor Buzhala -Lajmi.net/

Lexo të tjera