BotaLajme

Konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit po merr vrull, 39 të vrarë deri tani

0

Përplasjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit po marrin vrull. Më shumë se 39 njerëz janë vrarë në luftimet midis dy ish republikave Sovjetike, të cilat kanë një mosmarrëveshje mbi rajonin e Nago-Karabakut, të cilin komuniteti ndërkombëtar e njeh si pjesë e Azerbajxhanit por kontrollohet nga armenët etnikë.


Sipas informacioneve të fundit, shtatë civilë u vranë, ndërsa vendbanimet u granatuan. Pamjet që vijnë nga Nago-Karabak flasin më së miri për forcën e përplasjeve, ku përdoren artileri e rëndë dhe raketahedhës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Pasi qeveritë armene dhe azerbajxhanase shpallën gjendje lufte dhe filloi mobilizimi i pjesshëm, një përshkallëzim i tillë bëri që bashkësia ndërkombëtare të bëjë thirrje për një ndalim të menjëhershëm të luftimeve. Bashkimi Evropian ishte i pari që reagoi, e më pas edhe Presidenti i SHBA’së, Donald Trump.

“Ne jemi duke e monitoruar situatën me shumë kujdes. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira në atë rajon. Ne do të shohim nëse mund ta ndalojmë atë”, tha Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara.

Pse është Nag-Karabag kaq i rëndësishëm për Armeninë dhe Azerbajxhanin? Rajoni ka një pozicion vërtet strategjik dhe tubacionet ndërkombëtare të naftës dhe gazit kalojnë nëpër të.

Rrënjët e konfliktit në këtë zonë datojnë që nga pothuajse 100 vjet më parë, kur autoritetet komuniste sovjetike ia dhanë rajonin Azerbajxhanit, pavarësisht nga fakti se 96% e popullsisë në atë kohë ishin armenë etnikë.

Me rënien e Bashkimit Sovjetik, lindi problemi i armenëve në këtë zonë, të cilët deklaruan në një referendum se donin të bashkoheshin me Armeninë. Kjo u kundërshtua nga autoritetet e Azerbajxhanit, të cilët synonin të shfuqizonin autonominë e zonës dhe të vendosnin kontroll të plotë mbi rajonin.

Sipas disa vlerësimeve, më shumë se 20,000 njerëz u vranë në luftën midis Azerbajxhanit dhe separatistëve armenë nga shkurti 1988 deri në maj 1994. /Reporteri.net

Lexo të tjera