Lajme

Konventa e Stambollit – hap i rëndësishëm, implementimi mbetet sfidë

0
konventa-e-stambollit-–-hap-i-rendesishem,-implementimi-mbetet-sfide

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, është traktati më i përparuar ndërkombëtar për të trajtuar te tilla shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave të saj dhe ndjekja penale e dhunuesve janë qëllimet kryesore të saj, e cila dhunën ndaj grave e njeh si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi.

Konventa iu kërkon shteteve të kriminalizojnë ose ndëshkojnë aktet si dhunën në familje, përndjekjen, dhunën seksuale duke përfshirë edhe përdhunimin, ngacmimet seksuale, martesat e detyruara, gjymtimin e organeve gjenitale të femrave, abortin ose sterilizimin e detyruar.

Përfshirjen e kësaj Konvente në Kushtetutën e Kosovës, e quan lajm të mirë Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Ajo thotë se adaptimi i saj është një hap se Kosova do të trajtojë më mirë dhe më seriozisht dhunën ndaj grave.

“Kemi shpresë sepse ky dokument e obligon shtetin tonë që ta trajtojë dhunën ndaj grave seriozisht, është një hap i cili kërkohet po ashtu edhe nga BE aty ku ne e kemi synim të inkuadrohemi në të ardhmen tonë dhe të bëhemi pjesë e Evropës. Kështu që, do të thotë të gjitha aspektet ky ndryshim në Kushtetutë dhe futja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës tregon që ne si shtet po shkojmë drejtë rrugës që kërkohet edhe nga BE në luftim të dhunës nga grave. Normal mandej implementimi i saj mbetet të shihet se si do të bëhet, ne i kemi pas deri tash disa ndryshime në legjislacion siç është futja e dhunës në familje në Kodin Penal dhe ngacmimit seksual, të cilat kanë qenë kërkesa që vinë prej Konventës së Stambollit”, thotë ajo.

Ndonëse e sheh si problematike zbatimin në praktikë të kësaj Konvente, Berisha thotë se institucionet meqë e kanë përfshirë në Kushtetutën e vendit duhet të jenë më serioze në zbatimin e saj.

“Besoj që fakti që tash Konventa e Stambollit është pjesë e Kushtetutës do t’ua rikujtoj gjithë këtyre përfaqësuesve të institucioneve që e kanë për obligim ta zbatojnë këtë. Fakti që deri tash nuk ka qenë pjesë e Kushtetutës ka mundur ndoshta dikujt t’i jap komoditetin dhe të mos merret seriozisht me luftimin e dhunës ndaj grave. Mirëpo, tash duke qenë se ky dokument është dokument i cili zbatohet në gjithë Evropën dhe më gjerë dhe ne duhet ta zbatojmë dhe jemi zotuar që do ta zbatojmë si shtet duke e bërë pjesë të Kushtetutës. Atëherë besoj që edhe institucionet do të jenë më serioz gjatë zbatimit dhe implementimit të kërkesave që vijnë nga Konventa e Stambollit. Normal që vetëm futja e kësaj konvente në Kushtetutë nuk mjafton, sepse vet konventa i ka disa kërkesa të cilat shtetet duhet t’i realizojnë në mënyrë që Konventa të zbatohet në mënyrën e duhur”, thotë Berisha.

Edhe Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë se përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e vendit është një hap pozitiv në luftën kundër dhunës në baza gjinore.

Ajo potencon se zbatimi është i vështirë, duke përmendur edhe problemin e zbatimit të shumë ligjeve të tjera në vend.

“Fillimisht është e vështirë se zbatimi është problemi më i madh në Kosovë, jo vetëm për dhunën në baza gjinore, por zbatimi është problematike gjithë legjislacionit kosovar. Kështu që, kjo ka me qenë një motër e ligjeve të tjera që ka me pas vështirësi në zbatim, por shpresojmë që do të ketë një përkushtim dhe një vullnet politik për zbatimin e kësaj konvente…Jemi pak skeptik puna që Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës dhe nuk është pjesë, anëtare e shumë organizatave tjera që e luftojnë dhunën në baza gjinore, po megjithatë shpresojmë shumë dhe është herët që ta vendosim në skepticizëm. Mendojmë që është hapur një rrugë për me u bashkangjitur me krejt vendet tjera dhe për ta luftuar”, thotë ajo.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Konventa e Stambollit synon të promovojë edhe më tutje të drejtat e grave, t’iu ofrojë mbrojtje ligjore shumë efikase por edhe në aspektin institucional t’i obligojë institucionet që të ndërmarrin veprime proaktive në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të grave.

“Konventa e Stambollit është ndër Konventat që përsëris e konsideron dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe obligon shtetet të punojnë në katër drejtime që kanë të bëjnë me parandalimin ndaj dhunës ndaj grave, mbrojtjen e tyre përmes qendrave të cilat u ofrojnë mbrojtje grave në raste kur mund të jenë subjekt i dhunës në familje apo çfarëdo dhune tjetër. Ndjekjes penale më proaktive, pra institucionet në çdo rast kur ka dhunë ndaj grave duhet të jenë më vigjilente, duhet të jenë më proaktive në mënyrë që të hetojnë, të ndjekin po edhe të gjykojnë të gjithë ata që bien në kundërshtim me këto vlera dhe e fundit ka të bëjë me politikat e integruara, që nënkuptojnë që të gjitha institucionet duhet të koordinohen, të bashkëpunojnë në mënyrë që t’iu ofrojnë po edhe t’i promovojnë të drejtat e grave në Kosovë”, thotë ai për KosovaPres.

Në rast se kjo Konventë nuk do të gjejë zbatim, Miftaraj thotë se nuk parashihet ndonjë sanksionim për vendin. Megjithatë, ai thotë se zbatimi mbetet në vullnetin e institucioneve të Kosovës.

“Kosova ka marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë obligim për zbatimin e një numri të madh të Konventave të Këshillit të Evropës po edhe të Kombeve të Bashkuara, përderisa këto obligime Kosova i ka marrë në mënyrë të njëanshme nuk është subjekt të themi i mekanizmave ndërkombëtarë qoftë të Kombeve të Bashkuara, qoftë të Këshillit të Evropës të cilët në një farë mënyre mund të sanksionojnë apo mund të hartojnë raporte përmes të cilave tregojnë se sa institucionet e Kosovës i zbatojnë këto Konventa. Në këtë drejtim e vetmja si të themi pengesë mund të jetë për Kosovën në kohën kur dëshiron të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës dhe nëse Kosova nuk i respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, përfshirë edhe këtë Konventë, mund të jetë të themi pengesë për t’u anëtarësuar në këtë Këshill. Në anën tjetër, prapë së prapë mbetet në vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës se sa do ta zbatojnë këtë Konventë”, thotë ai.

Kuvendi i Kosovës në seancën e 25 shtatorit ka votuar përfshirjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e vendit me 91 vota për, duke përfshirë edhe 17 vota të deputetëve të pakicave.

Lexo të tjera