Lajme

KQZ-ja javën e ardhshme aprovon Udhëzimin për masat mbrojtëse për votuesit dhe stafin zgjedhor

0
kqz-ja-javen-e-ardhshme-aprovon-udhezimin-per-masat-mbrojtese-per-votuesit-dhe-stafin-zgjedhor

Sipas Elezit ky udhëzim do të specifikojë saktë të gjitha masat mbrojtëse kundër infektimit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor.

“Gjatë javës që vjen, KQZ-ja do të shqyrtojë Udhëzimin për masat mbrojtëse për votuesit dhe stafin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve. Ideja e këtij Udhëzimi është përcaktimi i saktë i të gjitha masave mbrojtëse kundër infektimit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në hapësirat ku mbahen zgjedhjet, duke përfshirë edhe numërimin e fletëvotimeve si dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore. Natyrisht se sapo ky Udhëzim të marrë formën përfundimtare, do të bëhet publik në mënyrë që të gjithë të mund të informohen për çdo detaj” është shprehur ai.

Poashtu Elezi ka bërë me dije që pasi KQZ-ja të pranojë nga IKSHPK-ja një listë me personat e infektuar dhe ata që janë në vetizolim menjëherë do t’i kontaktojnë ata që t’i njoftojë për mundësinë e votimit.

“Udhëzimi i miratuar nga KQZ-ja përcakton të gjitha detajet, duke filluar nga identifikimi, konfirmimi dhe mënyra e votimit të votuesve të cilët për shkak të testit pozitiv janë në karantinë shtëpiake dhe personave të cilëve u është caktuar masa e vetizolimit. KQZ-ja pasi të pranojë listën e këtyre personave, do t’i kontaktojë përmes telefonit dhe do t’i njoftojë për mundësinë e votimit përmes Ekipit Lëvizës të KQZ-së, i cili do të dërgohet në ditën e zgjedhjeve në adresën e votuesit. Gjithashtu, përmes Udhëzimit janë përcaktuar edhe masat mbrojtëse të cilat duhet të zbatohen nga votuesit dhe nga Anëtarët e Ekipit Lëvizës” ka shtuar ai në një prononcim për Ekonomia Online.

Sipas Elezit përveç përgatitjeve teknike për organizimin e zgjedhjeve është duke u përgatitur edhe për të zbatuar masat që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve, është duke u përgatitur edhe për të zbatuar masat e ndryshme që lidhen me mbrojtjen e shëndetit gjatë procesit zgjedhor. Ne deri më tani kemi pranuar rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe puna e KQZ-së është e orientuar që këto rekomandime t’i kthejë në procedura të veçanta, të cilat duhet të zbatohen nga votuesit, stafi zgjedhor i KQZ-së si dhe nga vëzhguesit. Duke u mbështetur në rekomandimet profesionale shëndetësore, KQZ-ja ka miratuar Udhëzimin për regjistrimin dhe votimin e personave të infektuar me COVID-19 dhe që janë në vetizolim, të cilët nuk do të munden të shkojnë në vendvotimin e tyre, sepse janë në karatinë shtëpiake. Ndërsa, gjatë javës që vjen, KQZ-ja do të shqyrtojë Udhëzimin për masat mbrojtëse për votuesit dhe stafin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve” ka përfunduar ai.

Lexo të tjera