Bota

Ligji i Dhomave dhe Kodi Penal/ Ku po mbështetet Specialja për arrestimin e personave që s’akuzohen për krime lufte?

0
ligji-i-dhomave-dhe-kodi-penal/-ku-po-mbeshtetet-specialja-per-arrestimin-e-personave-qe-s’akuzohen-per-krime-lufte?

Para rreth një javë (më 25 shtator), hetuesit e specializuar të Gjykatës Speciale kryen bastisje në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), ku arrestuan edhe dy krerët e kësaj organizate, kryetarin Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj, shkruan lajmi.net.

Arrestimi i tyre nuk kishte të bënte me krime të pretenduara të luftës, por – me publikimin e disa dosjeve/dokumenteve të rrjedhura nga Gjykata Speciale që nga persona deri më tani të panjohur përfunduan në zyrat e OVL e UÇK-së.

Gucati e Haradinaj u dërguan në Hagë dhe të dy bënë paraqitjet e para para gjykatësve të Speciales dhe seancat e para të kësaj gjykate ishin informuese, derisa pala mbrojtëse vazhdimisht e kontestoi juridiksionin e Gjykatës Speciale për ndjekjen e krimeve të pretenduara që nuk kanë të bëjnë me luftën.

Lajmi.net është interesuar të kërkojë përgjigje nga Dhomat e Specializuara, pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale lidhur me juridiksionin për të kryer arrestime të tilla – të cilat nuk kanë të bëjnë me krime të luftës.

Christopher Bennet, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në një përgjigje për lajmi.net është shprehur se mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar përfshinë edhe çështje që lidhen me pengimin e drejtësisë sipas Kodit Penal të Kosovës.

“…mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar përfshin çështje që lidhen me pengimin e drejtësisë sipas Kodit Penal të Kosovës. Seksionet përkatëse të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë neni 6 (juridikisoni i çështjeve lëndore), paragrafi 2, neni 15 (krimet e tjera sipas ligjit të Kosovës), paragrafi 2,”, thuhet në përgjigjen e Bennet për lajmi.net.

Por, çfarë thonë këto nene për çështjet në fjalë? Neni 6 i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, thotë se: “Dhomat e Specializuara po ashtu kanë juridiksion mbi veprat e parapara në kapitullin XXXII, nenet 384-386, 388, 390-407, dhe kapitullin XXXIII nenet 409-411, 415, 417, 419, 421, dhe Kapitullin XXXIV, nenet 423-424 të Kodit Penal të Kosovës i vitit 2012, Ligji 04/L-082, kur ato kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarët e tyre.”

Neni 6 i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar

E nenet të cilat iu referohet Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar i përkasin Kodit Penal të Kosovës të cilat mund t’i lexoni edhe online mund t’i japin juridiksion Gjykatës Speciale të kryej edhe hetime dhe arrestime të cilat nuk kanë të bëjnë me krime të luftës.

Nenet 384-386, të Kodit Penal të Kosovës flasin se deklarimet e rreme, deklaratat e rreme të dëshmitarëve bashkëpunues dhe pengimi i të provuarit ose procedurës penale janë vepra penale të sanksionuara me ligjet e Kosovës.

Gjithashtu, Specialja i referohet edhe nenit 388 i cili ka të bëjë me hakmarrjen dhe gjithashtu neneve 390 deri në 407, të cilat kanë të bëjnë me manipulimin e provave, falsifikimin e dokumenteve, me rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, shkelja e fshehtësisë së procedurës, mospërfillja e gjykatës dhe të tjera.

Nenet 409-411 në të cilat Gjykata Speciale mbështet kanë të bëjnë me prezantimin i rremë si person zyrtar, vetëgjyqësinë dhe dhënien e kundërligjshme e ndihmës juridike.

Për t’i lexuar të gjitha nenet e lartcekura dhe të përmendura në Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar klikoni këtu.

Në anën tjetër, avokatët mbrojtës të krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kontestuar juridiksionin e Speciales në arrestimin e personave të cilët nuk ngarkohen me akuza për krime të pretenduara të luftës.

Të dy avokatët mbrojtës, ai i Haradinajt dhe ai i Gucatit kanë deklaruar se klientët e tyre janë arrestuar jashtëligjshëm derisa kanë kërkuar lirimin e tyre me kusht.

Të pyetur lidhur me këtë çështje, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thonë se këtyre deklaratave do t’i përgjigjen në Gjykatë dhe se pala mbrojtëse do të ketë kohën e mjaftueshme për t’i parashtruar të gjitha argumentet e tyre.

Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj është shprehur se Gjykata Speciale sipas nenit 15 mund të hetojë edhe raste që lidhen me pengimin në administrimin e drejtësisë, por ai e sheh si të mirëseardhur kontestimin e juridiksionit të Speciales në këtë pikë nga avokatët mbrojtës.

“Neni 15 i Ligjit të Dhomave të Specializuara i ka dhënë juridiksion Gjykatës Speciale të hetojë edhe rastet të mund të lidhen me pengimin në administrimin e drejtësisë. Sidoqoftë ky nen thotë se kjo gjykatë ose prokurori të hetojë edhe vepra që e kalojnë afatin, megjithatë është e mirëseardhur që avokatët mbrojtës e kanë kontestuar këtë. Por i mbetet vet Gjykatës Speciale të përcaktojë juridiksionin, por mandati i kësaj gjykate mbetet i kontestuar”, tha Miftaraj për lajmi.net.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, Gjykata Speciale gjatë ditës së djeshme ka kontaktuar edhe sekretarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku dhe avokatin e OVL e UÇK-së, Tomë Gashin dhe të njëjtit kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

E kundërshtimin mbi punën e Gjykatës Speciale edhe në seancën e parë e kanë shprehur edhe krerët e OVL e UÇK-së, Gucati e Haradinaj. Megjithatë, në komunikatat e lëshuara nga Specialja ku edhe janë publikuar akuzat ndaj Gucatit e Haradinajt, përmenden vepra penale që tentojnë pengimin në administrimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe të ngjashme.

LEXO EDHE: Konferencat e OVL-së, Gucati është arrestuar pas publikimit të dosjeve që rrodhën nga Specialja

LEXO EDHE: Specialja tregon se me çfarë veprash penale po e ngarkon Nasim Haradinajn

Pas seancave të para të Speciales të cilat ishin vetëm informuese, nuk dihet se kur do të mbahen seancat e radhës përveç se nga gjykatësit është përmendur ‘një kohë e arsyeshme’ për mbajtjen e tyre.

Në anën tjetër, Specialja po vazhdon të jetë aktive edhe me ftesa për intervistime por edhe me arrestime dhe aksione hetuese. Mbetet të shihet nëse juridiksioni i kësaj gjykate do të kontestohet edhe më tutje në këtë pikë, përderisa e njëjta konsiderohet në Kosovë si e dëmshme dhe e panevojshme në tërësi. /Lajmi.net/ 

Lexo të tjera