Lajme

Ligji për Arsimin e Lartë – pa shpresë edhe në këtë legjislaturë

0

Është legjislatura e tretë që kur tentohet të futet në rend të ditës e të hidhet në votim, të diskutohet, të bëhen ndryshim-plotësimet e të miratohet por Ligji për Arsimin e Lartë si duket nuk ka shpresë të kalojë as në këtë legjislaturë.

Për miratimin e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë nevojiten 2/3 e dyfishta në Kuvendin e Kosovës që nënkupton se nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve jo-shumicë dhe kjo e ka penguar tej mase votimin e këtij ligji i cili po e dëmton arsimin e lartë.

Kështu ka konstatuar edhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Shkencë, Shpejtim Bulliqi në një prononcim për lajmi.net tek shprehet se kjo nuk është problematika e vetme me të cilën përballet arsimi i lartë sot.

Sipas Bulliqit, ligji ka nevojë të madhe për plotësime dhe ndryshime pasi është vjetruar dhe shumë gjëra duhet të ndryshohen.

Ai më tutje ka shtuar se edhe sot në nivelin universitar kryhen punët duke formalizuar kritere dhe rregullime administrative të ndryshme që shkaktojnë komplikime.

Bulliqi gjithashtu shprehet se ka pasur besim që kjo qeveri, meqë brenda vetës e ka edhe Listën Serbe do t’i krijojë votat e mjaftueshme për ta çuar përpara këtë ligj, por që kështu nuk ka ndodhur.

“Kjo çështje është njëra nga problematikat por nuk është e vetmja që po e dëmton arsimin e lartë. Sigurisht kjo është nga legjislatura e pestë, ka tendenca me e futë në rend të ditës, por nevojiten edhe votat e 2/3 të pakicave. Sigurisht ai ligj ka nevojë jashtëzakonisht shumë të ndryshohet sepse ka nevojë për plotësime pasi është vjetruar, sepse si pasojë e atij ligji edhe sot e kësaj dite, në nivelin universitar nuk mund të kryhen ose kryhen duke formalizuar kritere dhe forma të rregullime administrative të ndryshme që tani shkakton komplikime, por unë kam shpresuar që kjo qeveri meqë brenda vetit ka edhe Listën Serbe dhe ajo i bën votat, kam besuar se do të kryhet kjo punë”, tha Bulliqi.

I pyetur nëse plotësim-ndryshimi i ligjit do të marrë kohë, Bulliqi shprehet se problemi qëndron te gjetja e kompromisit – pasi sipas tij kjo çështje do të kishte përfunduar tash e sa kohë po të ekzistonte një vullnet i tillë.

Ligji aktual sipas Bulliqit, i ka krijuar hapësirë universiteteve të caktuara të manipulojnë me rregulloret dhe të favorizojnë ose të pengojnë individë të caktuar.

“Nuk është problemi për plotësim-ndryshimin, është problematike të gjendet kompromisi për 2/3 e votave, po të ekzistonte kompromisi, kjo çështje do të kishte mundësi të zgjidhej dhe është keq sepse kjo iu ka krijuar hapësirë universiteteve të caktuara të manipulojnë me rregulloret në forma të ndryshme duke iu dhënë përparësi disa individëve dhe disa të tjerë për t’i penguar. Kështu që plotësimi i këtij ligji do të krijonte një ligj unik për të gjithë dhe do t’i zgjidhte të gjitha problemet”, tha Bulliqi.

Sipas Bulliqit, ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim por sipas tij, në njërën anë po mungon vullneti dhe në anën tjetër pamundësia e përfshirjes së komuniteteve tjera ku edhe është i varur ky ligj.

“Nuk është vetëm ky problem. Kemi universitetet publike të cilat ende nuk e kanë zgjedhur çështjen e statutit të tyre që është problem që po e përcjell arsimin e lartë. Prandaj, mendoj që në këtë aspekt ka mjaft punë për t’u bërë, por si duket në njërën anë po mungon vullneti dhe anën tjetër pamundësia të involvohet pjesa tjetër e komunitetit ku është e varur ndryshimi-plotësimi i këtij ligji.”, tha ai.

E lidhur me këtë çështje, edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja vlerëson se ka vite që ky ligj iniciohet dhe pezullohet dhe stërzgjatja duket politike sipas tij.

Ai shprehet se hartimi dhe votimi i ligjit duhet të mos jetë i ndikuar nga grupe të interesit, pasi sipas tij janë pikërisht këto grupe që kanë tentuar të ndikojnë në këtë proces.

“Rishikimi i Ligjit për Arsimin e Lartë tashmë ka vite që iniciohet dhe pezullohet për të rifilluar me ardhjen e qeverisë së re, stërzgjatja duket politike, mirëpo ndikimi i kësaj stërzgjatje është shumë i lidhur me cilësinë në arsimin universitar. Është me rëndësi që hartimi dhe votimi i ligjit të mos jetë i ndikuar nga grupe të interesit – janë këto të fundit që me vite kanë tentuar të ndikojnë në proces.”, tha Qehaja për lajmi.net.

E siç mund të vërehet edhe nga seancat e Kuvendit të Kosovës, ku rishikimi i Ligjit për Arsimin e Lartë nuk ka qenë as në rend dite, vështirë se edhe kjo legjislaturë do të arrijë të miratohet.

Në anën tjetër, Universiteti i Prishtinës dhe universitetet e tjera publike e kanë të domosdoshme një ligj të ri i cili do të unifikonte rregulloret e punës dhe do të unifikonte standardin për të gjitha universitetet publike dhe private./BS

Lexo të tjera