Lajme

Lipjani gati për fillimin e vitit të ri shkollor

0
lipjani-gati-per-fillimin-e-vitit-te-ri-shkollor

Procesi mësimor është mbajtur online për shkak të shpërthimit të pandemisë në mesin e muajit mars.

MASH ka vendosur që viti i ri shkollor të fillojë në dy faza, edhe atë duke filluar prej datës 14 shtator dhe 21 shtator.

E në Komunën e Lipjanit thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet që ky proces të fillojë sa më mirë.

Kryetari Imri Ahmeti ka bërë të ditur se nesër, më 14 shtator, nxënësit në arsimin para-fillor, fillor, klasat e gjashta dhe klasat e dhjeta fillojnë mësimin në masat dhe kushtet e kërkuara.

Ai ka thënë se shkollat e Komunës së Lipjanit janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 sipas udhëzuesve, protokolleve dhe manualeve zyrtare të hartuara nga MASH, MSH, IKSHPK, ku është bërë edhe dezinfektimi i të gjitha shkollave.

“DKA ka kryer të gjitha obligimet si furnizimi me maska, termometër, dezinfektues, stickers, postera, mjete higjienike dhe materiale tjera të nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërkohë që janë krijuar task-forcat në të gjitha shkollat e Komunës së Lipjanit”, ka thënë Ahmeti.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Lipjan konform situatës së krijuar do të raportojë në MASH për shkollat e kësaj komune.

“Apeloj te të gjithë prindërit që të kenë kujdes për fëmijët e tyre, në rast se ju paraqitet ndonjë problem shëndetësor të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë dhe të njoftojnë përgjegjësit e shkollës. Gjithashtu, gjatë dërgimit të fëmijëve në shkollë të vendosin maskat dhe të mbajnë distancën konform rekomandimeve të IKSHPK-së, MSH-së dhe MASH-it”, shkruan Ahmeti në Facebook. /Lajmi.net/

Lexo të tjera