Lajme

Liria ka Emër: Serbia prapa djegies së bilbordit në Graçanicë, i pengon UÇK-ja

0
liria-ka-emer:-serbia-prapa-djegies-se-bilbordit-ne-gracanice,-i-pengon-uck-ja

Pas këtij akti të paprecedent të djegies së banerit, bordi i kësaj fushate mbajti një konferencë për media, ku ndër të tjerash u theksua se kjo platforme do të vazhdojë me shpalosjen e projekteve të saj, për ta treguar historinë e vërtetë të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Tutje u tha se ky akt i vandalizmit, për ta shkatërruar banerin ‘Liria ka Emër’me logon e UÇK-së, vie nga Beogradi zyrtar, të cilit i ka penguar lufta e UÇK-së për liri, pavarësia e Kosovës dhe sot që i pengon vetë shteti i Kosovës.

Deklarata e plotë:

Përshëndetje të gjithëve dhe falemnderit për ardhjen tuaj në këtë konferencë!

Mëngjesi i sotëm ka zbardhur me një ngjarje që ka lënduar emocionet dhe vlerën më të lartë që ka Kosova – siç është liria e saj dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në Graçanicë, siç jeni tashmë të informuar, sot është djegur qëllimisht billbordi Liria Ka Emër, me logon e UÇK-së, një akt ky vandal dhe i papranueshëm.

Liria nuk duhet t’i pengojë askujt, sepse është vlerë universale.

Nuk duhet t’i pengojë as Serbisë, e cila po vazhdon me sulmet e saj ndaj Kosovës.

Ne besojmë se edhe ky akt i vandalizmit, për ta shkatërruar billbordin Liria Ka Emër, me logon e UÇK-së, vjen nga Beogradi zyrtar, të cilit i ka penguar lufta e Kosovës për liri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pavarësia e Kosovës, dhe sot i pengon edhe vetë shteti i Kosovës.

Liria Ka Emër është një platformë që ka për qëllim rikujtimin e vlerave dhe dhimbjeve të mëdha të Kosovës, sakrificën e pashembullt të popullit të Kosovës në rrugën për liri dhe pavarësi.

Rreth idesë së lirisë duhet të jemi të bashkuar të gjithë, si shqiptarë dhe çdo komunitet tjetër në Kosovë, sepse është e domosdoshme që secila shoqëri ta ketë lirinë referencë.

Platforma Liria Ka Emër do të vazhdojë me shpalosjen e projekteve të saj – për ta treguar historinë e vërtetë të Kosovës.

Kjo është një rrugë e pandalshme.

Serbisë kjo mund t’i dhemb, siç i kanë dhembur përpjekjet e popullit tonë për liri, por këtë betejë dhe çdo betejë tjetër me Kosovën do ta ketë të humbur, ashtu siç e ka humbur më 1999.

 

Rrëfimet e ushtarëve të UÇK-së, në videot e të cilëve tashmë i keni parë, dëshmojnë për idealin e tyre të madh dhe krenarinë e tyre të lartë për çlirimin e vendit, por janë edhe dëshmi të krimeve të mëdha, vrasjeve, masakrave, të kryera nga policia dhe ushtria serbe, të cilat ata i kanë parë me sytë e tyre.

 

Videot me rrëfimet e ushtarëve të UÇK-së do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, që secili qytetar ta rikujtojë sakrificën e madhe që është bërë për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot.

Lexo të tjera