Lajme

Lushtaku: Kurti dhe LVV-ja nuk mund ta mbrojnë UÇK-në, ata me akuzat e tyre ia vendosen themelet gjykatave që tentuan ta njollosin luftën

0

Anëtari i PDK-së, Sami Lushtaku, ka reaguar ndaj Albin Kurtit, i cili tha se PDK-ja e themeloi Gjykatën Speciale.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratave të Albin Kurtit, i cili tha se, PDK-ja e themeloi Gjykatën Speciale.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Lushtaku ka shkruar se, politikanët duhet të rrijnë larg vlerave të UÇK-së.

Ai ka kritikuar Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje se ata nuk besonin as në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kurse tani i dalin në mbrojtje UÇK-së, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, për shkak të akuzave të Kurtit dhe partisë së tij, janë themeluar gjykata që po tentojnë ta njollosin luftën dhe UÇK-në.

Reagimi i plotë i Lushtakut, pa ndërhyrje:

Për ta mbrojtur një vlerë, atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë, e kjo i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve. „Mbrojtja“ e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogjishë neveritëse.

UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti. UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri.

Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njejtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi.

Mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët. Ne të gjithë duhet ta ruajmë UÇK-në nga pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta “gardianët” që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë.

UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike. Të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve. /Lajmi.net/

Kliko në link:

https://www.facebook.com/210417475773729/posts/1799371136878347/?extid=3TtsWkU0tywpvAdT&d=n

Lexo të tjera