Lajme

LVV-ja dhe PDK-ja vendimtare për ‘fatin’ e Haradinajt për president

0
lvv-ja-dhe-pdk-ja-vendimtare-per-‘fatin’-e-haradinajt-per-president

Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, tre partnerët e koalicionit qeverisës, vazhdojnë ta kenë të vështirë funksionimin për shkak të numrave të pakët që kanë në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo përveç kësaj, edhe çështja e presidentit si duket do të sjellë përçarje më të madhe në koalicion, kjo pasi që AAK-ja tashmë ka propozuar Ramush Haradinajn për postin e presidentit.

Madje, gjatë së hënës, ka qenë vetë Daut Haradinaj, ai i cili ka deklaruar se AAK-ja nuk do ta votojë asnjë kandidat tjetër për president përveç Ramush Haradinajt.

Në lidhje me këtë, njohësit e çështjeve politike në vend thonë për lajmi.net, se posti i presidentit mund edhe ta çojë vendin në zgjedhje.

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë për lajmi.net, se koalicioni aktual qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për president dhe në këtë mënyrë sipas tij, pa mbështetjen e ndonjërës prej partive opozitare, Ramush Haradinaj, nuk mund të zgjidhet president.

“Së pari, LDK-ja dhe AAK-ja nuk i kanë votat e mjaftueshme për president për shkak gjithqysh duhet me e përkrah edhe dikush me e bë atë 80-shin e famshëm për me qëndrua në sallë. Edhe LDK-ja po duket që nuk është e interesuar për president, të paktën kështu është qëndrimi i tyre për shkak se e kanë kryeministrin edhe logjikisht nuk iu takon edhe presidenti. Por nuk besoj që Haradinaj mundet me u zgjedh president ose dikush tjetër i propozuar prej koalicionit pa mbështetjen edhe të ndonjë partie tjetër, në këtë rast ose të Vetëvendosjes ose të PDK-së, për shkak se ne nuk e kemi dëgjuar zyrtarisht PDK-në duke përmendur emra, pak a shumë është përfolur që do të hyjë në koalicion, kurse tash jo nuk po hyjmë në koalicion. Por mundet me ndodh situata që kur vjen puna për presidentin, thjeshtë me u marrë vesh të dy partitë edhe me mbështetjen e PDK-së”, u shpreh Mushkolaj për lajmi.net.

Mirëpo ai thotë se nuk është vetëm çështja e presidentit që do të mund të çonte në prishjen e koalicionit qeverisës dhe ta çonte vendin në zgjedhje, pasi që ky koalicion nuk i ka as 61 vota.

“Sa i përket prishjes së koalicionit është herët për me thënë në kuptimin se a mund të ndikoj kjo, megjithëse unë pres që mund të ketë probleme koalicioni edhe para se me ardhur koha e zgjedhjes së presidentit, por nuk e përjashtoj mundësinë që çështja e zgjedhjes së presidentit me e çua vendin në zgjedhje nëse deri në atë kohë veç nuk shkon vendi në zgjedhje për shkak se nuk e di se si do të shkojë tutje ky koalicion me numër kaq të vogël të votave, respektivisht pa i pasur as 61 vota. Ndërkohë që ka marrë  obligime shumë të mëdha me nënshkrimeve e atyre zotimeve në Uashington”, theksoi Mushkolaj.

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për lajmi.net, se më së miri do të ishte që presidenti të zgjidhej nga populli, por që sipas tij, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe se siç theksoi ai, këto ndryshime kushtetuese nuk mund të bëhen tani pasi që nuk ka afat dhe si duket zgjedhja e presidentit nga ana e popullit nuk i konvenon asnjë partie apo kandidati.

“Çështja e presidentit do të ishte më mirë me u zgjedh prej popullit, me e amandamentua Kushtetutën dhe ajo bëhet gjashtë muaj para zgjedhjeve për president edhe me u zgjedh drejtpërdrejt prej popullit dhe pak është më demokratike sesa prej kuvendit dhe do të ishte hequr një herë e përgjithmonë tani prej pazareve politike, që një parti e vogël me e kushtëzua të madhen ose anasjelltas. Do me thënë e gjithë  puna është te procedurat. Aleanca dëshiron që Ramush Haradinajn për president funksionet e tjera i ka kryer me herët gjatë karrierës edhe s’mundet prej votave të popullit edhe nuk mundet jashtë marrëveshjes së koalicionit për shembull është e caktuar që presidenti si të zgjidhet e ka mandatin pesëvjeçar edhe tani koalicioni e ka vështirë me e rrëzua siç pati ndodhur atëherë kur është zgjedhur Hashim Thaçi edhe kur u prish qeveria mirëpo nuk iu rrezikua pozicioni ani pse ishte pjesë e marrëveshjes. Dhe në këtë bazë këtu nuk ka ndonjë moral, por ka interes politik. Tash unë nuk mund të them a është e moralshme pse flet Dauti apo jo sepse është në programin e tij politik edhe është në interesat e tij politike që si parti politike ta kenë liderin e tyre president vendi”, theksoi Tahiri.

Edhe Tahiri thotë se koalicioni aktual qeverisës do ta ketë të vështirë që t’i sigurojë votat e duhura për ta zgjidhur presidentin pa përfshirjen e ndonjërës prej partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje apo PDK-së.

“ Mua ma marr mendja që s’është e mundur sepse është vështirë me i bërë 80 vota në seancë të kuvendit për me u zgjedh herën e tretë me 61 vota, gjithmonë po i shpjegoj procedurat që mbase duket e mërzitshme, por procedura është ajo e cila e përcakton tani edhe përmbajtjen, pra forma është që e përcakton përmbajtjen në këtë rast. Për mua më lehtë mund të merren vesh PDK edhe LDK ose LDK dhe LVV për me zgjedh presidentin edhe me i pas votat sesa në këtë rast AAK-LDK, edhe që janë partner të koalicionit mu për shkak të numrave të vegjël. Ishin marrë vesh nëse kandidati do të ishte i LDK-së. Por zakonisht në Kosovë, kryeministri shkon edhe prej partive të vogla edhe kjo ka ndodhur disa herë ama presidenti shkon veç prej partive të mëdha”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, deklarata e së martës e Daut Haradinajt nuk është ndonjë kërcënim për koalicionin qeverisës, por siç thekson Tahiri, ajo vetëm mund të jetë një shtysë që vendi të shkojë në zgjedhje apo që edhe PDK-ja të hyjë në koalicion.

“Nuk do të kisha thënë që kjo deklaratë e Daut Haradinajt është kërcënim ndaj LDK-së sepse ka 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës edhe 24 i ka PDK-ja. Nuk është kërcënim por bile mundet me i çel udhë që me hy PDK-ja pjesë e koalicionit të madh edhe tani me u stabilizua qeveria edhe me u zgjidh presidenti, nëse merren vesh. Do me thënë në politike i bije keq kur thua pazare politike, por pjesë e llogaritjeve partiake politike. Edhe ndoshta Dauti mundet veç me i nxit që me shkua në zgjedhje që ai prapë s’e fiton, pra Aleanca sepse nuk pritet që të fitojë më shumë edhe me bë koalicion që me u stabilizua qeveria”, ka thënë Tahiri për lajmi.net.

Ai thotë se çështja e presidentit, kuvendit dhe qeverisë do të zgjidhet në muajin mars, pasi që sipas tij, duke u bazuar në rrethanat politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje në muajin mars të vitit të ardhshëm dhe atëherë të zgjidhet edhe presidenti, edhe kryeministri dhe të konstituohet kuvendi i ri.

“Për mendimin tim, aq sa njoh, nuk ma merr mendja që vendi shkon në zgjedhje, por munden me u marrë vesh. Tash u pa që prej popullit nuk mundet me u zgjedh presidenti sepse kaloi afati gjashtë muaj, tash janë gjashtë muaj sepse në mars mbahen zgjedhjet. Nëse duhet një muaj përpara para se me u zgjedh mandati, a mandati del më 7 prill dhe në këtë bazë tash ka mbetur me u zgjedh në kuvend, e në kuvend me u zgjedh ose shkohet në zgjedhje në muajin mars se shtyhen krejt nga pak gjë që është reale sepse shtyhet më pas edhe pozita e presidentit, ai mundet me prit edhe një muaj pas atij mandati por jo më shumë. Edhe pa paragjykuar, por ma merr mendja që në muajin mars vendi shkon në zgjedhje dhe atëherë do të zgjidhen të gjitha me qeveri, me kuvend e me president, ashtu siç po shkojnë hesapet dhe në atë kohë zgjidhet presidenti”, theksoi Tahiri.

Theksojmë se presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mandat deri në muajin prill të vitit të ardhshëm.  /Lajmi.net/

Lexo të tjera