BotaLajme

Mbi 1 milion raste të reja në 7 ditët e fundit në SHBA, rrezikohet sistemi shëndetësor

0

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 1 milion raste të reja me coronavirus në shtatë ditët e fundit dhe vetëm më 20 nëntor janë regjistruar pothuajse 190,000 infektime të reja.


Rritja e numrit të rasteve të reja, që sipas disa modeleve thuhet se janë dy deri në tri herë më të larta “do ta mbingarkojnë edhe më shumë sistemin shëndetësor” që tashmë është i ngarkuar, me pacientë që kërkojnë ndihmë shëndetësore si dhe mund të ketë mungesë të stafit shëndetësor, ka thënë Projekti për gjurmimin e COVID-19 në SHBA.

Mbi 82,000 mijë njerëz janë të hospitalizuar në mbarë Shtetet e Bashkuara, numër ky i rritur për 50 për qind në dhjetë ditët e fundit. Numri i vdekjeve po ashtu është rritur në shtatë ditët e fundit, me mbi 1,332 vdekje në ditë. Ndërkaq, më 19 nëntor, numri i viktimave kaloi shifrën prej 2,000 – për herë të parë që prej muajit qershor. Me këto shifra, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga sëmundja COVID-19 – që e shkakton coronavirusi i ri – në SHBA ka arritur mbi 254,000.

Deri më 20 nëntor, 22 shtete dhe një sërë qytetesh amerikane kanë vendosur kufizime që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të virusit, duke nisur nga kufizimet e qarkullimit të lëvizjes e deri te mbyllja e pjesshme.

Zyrtarët shëndetësorë u kanë bërë thirrje amerikanëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe tubimet shoqërore gjatë festave të fundvitit.

Përderisa SHBA-ja po përballet me rritje të rasteve, në Toronto të Kanadasë javën e ardhshme do të nisë mbyllja e dytë.

Ndërkaq, shumica e Evropës tashmë disa javë ka vendosur masa të mbylljes, për shkak se po përballen me valën e dytë të coronavirusit.

Ka sinjale se masat e reja kufizuese kanë ulur numrin e infektimeve, si në Francë, Itali, Gjermani dhe Mbretëri të Bashkuara. Por, autoritetet në këto shtete thonë se është ende herët që të zbusin masat kufizuese.

Në Amerikën Latine, Brazili ka kaluar shifrën prej 6 milionë rasteve me coronavirus, duke u bërë shteti i tretë në botë me numrin më të madh të rasteve, pas SHBA-së dhe Indisë. Brazili po ashtu është shteti i dytë në botë me numrin më të lartë të viktimave, përkatësisht në këtë shtet janë regjistruar 170,000 viktima nga coronavirusi. /REL/

Lexo të tjera