Lajme

Nënshkrime pa zbatime!

0

Avdullah Hoti dhe Edi Rama

Ditë më parë është mbajtur mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, në Tiranë. Motoja e kësaj mbledhje ishte “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij”.

Në këtë mbledhje u nënshkruan gjithsej 14 marrëveshje në mes të dyja vendeve.

Kjo nuk është hera e parë që nënshkruhen marrëveshje në mes Kosovës dhe Shqipërisë, mirëpo të njëjtat nuk janë që kanë gjetur zbatim në të dy vendet.

Disa analistë i kanë parë në mënyrë skeptike këto marrëveshje të nënshkruara.

Zogaj: Vetëm ideja për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është arritje e madhe dhe rezultat i vlershëm

Analisti politik Skender Zogaj, këtë mbledhje e ka vlerësuar duke thënë se, dy vendet po integrohen me iniciativa konkrete bashkëpunimi.

Image

Skender Zogaj

Ai në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, deri më tani takimet mes dy qeverive janë arritje shumë të vlershme drejtë integrimit

“Qoftë edhe vetëm ideja për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është arritje e madhe dhe rezultat i vlershëm, e lere më, fakti se sot dy vendet po integrohen me iniciativa konkrete bashkëpunimi! Çështja duhet parë realisht, dhe të mirëkuptohen pengesat e kohës së gjatë të ndarjes, që nuk mund të tejkalohen shpejt! Për fat të mirë, pengesat e imponuara nga sunduesit e ndryshëm janë tejkaluar dhe tash fati i shqiptarëve varet nga vet shqiptarët! Për mendimin tim, takimet e deritashme tē dy qeverive, janë arritje shumë të vlershme drejtë integrimit, sepse në takimet e deritashme janë nënshkruar marrëveshje historike, të rëndësisë së jashtëzakonshme për ndryshime epokale të realitetit shqiptar në të gjitha planet, dhe po hapet një perspektivë e re, e cila, patjetër që hap pas hapi ka për t’u jetësuar”, shprehet Zogaj.

Sipas tij dy vendet kanë filluar të ndjehen si një vend i vetëm dhe sipas tij ky nuk është rezultat i vogël.

“Domosdo që do të dëshironim të kishim një ecje më të shpejtë dhe rezultate më të mëdha, por, edhe këto që janë arritur, nuk janë të vogla, për faktin se, para 20 vitesh Shqipëria ishte vendi i huaj, i ndaluar, ku mund të shkohej vetëm me viza speciale, ndërsa sot, reciprokisht Kosova dhe Shqipëria, kanë filluar të ndjehen një vend i vetëm! Ky nuk është rezultat i vogël! Por po lëvizet drejtë integrimit, që unë e quaj ribashkim, sepse, ky proces është në zhvillim e sipër dhe nuk mund të bëhet si me shkop magjik”, përfundon Zogaj.

Mehazi: Mbledhja Kosovë-Shqipëri, tutori i Ramës dhe kësaj është Vuçiqi e askush tjetër

Ndërsa nga na tjetër profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”, ka thënë se, nga kjo mbledhje mes dy qeverive nuk ka asnjë dobi kombëtare duke u nisur nga fakti se ata në këtë mbledhje kishin moton “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufi”.

Image

Sulejman Mehazi

Sipas tij, kjo moto na bën të mendoj që Edi Rama më shumë bën luftë politike për t’ia plotësuar dëshirat politike Serbisë të Vuçiqit sesa të plotësonte dëshirat e kahmotshme për bashkimin e trojeve tona në një.

“Prej mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë, mbajtur me 2 tetor në Tiranë, s’ka asnjë dobi kombëtare, vet motoja e kryefjala e këtij tubimi: “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufi” na detyron të mendojmë se Edi Rama më shumë bën luftë politike për t’ia plotësuar dëshirat politike Serbisë të Vuçiqit sesa të plotësonte dëshirat e kahmotshme për bashkimin e trojeve tona në një, kjo shumë mirë vërehet në sintagmën e dytë “në një rajon pa kufi” që në nënteksin e fjalorit politikë të Ramës e ka kuptimin e “një rajoni me Serbinë”, pra sintagma e vërtetë politike e Ramës është që Shqipëria e Kosova të zhdukin kufijtë e tyre për t’iu bashkuar Serbisë me anë të minishengenit fantom ballkanik, kështu që dy shtetet shqiptare të mbeten pa kufijtë e tyre administrative”, ka thënë Mehazi.

Duke vazhduar më tutje Mehazi thotë se, tutori i Ramës dhe kësaj mbledhje është Vuçiqi e askush tjetër, sikurse edhe në takimet e tjera.

“Tutori i Ramës dhe kësaj mbledhje është Vuçiqi e askush tjetër. Sikurse gjashtë takimet tjera që kanë qenë dështuese, edhe kjo e 2 tetorit do dështojë, të kota do jenë marrëveshjet e memorandumet pacifiste politike “Bashkë pa kufi” të dy shteteve pa vija kufijshë me serbinë, për ndryshe Serbia jo që do zgjerohet me Kosovën, por do depërtonte dhe në territoret e bregdetit shqiptar. Formula: “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufi”e ka simbolikën e një “Velika Srbija” me anë të territoreve shqiptare”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk jetësohen pasi këto marrëveshje në esencë janë marketing patriotik

Kurse edhe analisti politik Faton Mehmeti për “Bota sot” ka thënë se këto marrëveshje nuk jetësohen sepse janë në thelb marketing patriotik.

Image

Faton Mehmeti

Marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk jetësohen pasi këto marrëveshje në esencë janë marketing patriotik. Marrëveshjet duhen punë dhe angazhim të zbatohen, jo fotografi dhe fjalime patriotike.

Sipas tij, rëndësi të veçantë duhet t’i jepen marrëveshjeve ekonomike pasi që ekonomia shqiptare në të dyja anët e kufirit është e monoploizuar nga oligrakët e lidhur me qeverinë.

“Sidomos marrëveshjet në sferën ekonomike janë të pa zbatueshme, pasi krejt ekonomia shqiptare në të dyja anët e kufirit është e monoploizuar nga oligrakët e lidhur me qeverinë. Duhet të kemi qeveri të ndershme dhe me vullnet të madh si në Tiranë dhe Prishtinë, ndryshe do vazhdoj spektakli i radhës pa asgjë konkrete”, ka deklaruar Mehmeti./BS

Lexo të tjera