Lajme

Nevoja e ndërtimit të autostradës në kohë pandemie

0
nevoja-e-ndertimit-te-autostrades-ne-kohe-pandemie

Ky projekt po konsiderohet i panevojshëm, në kohën kur Kosova po ballafaqohet me krizë ekonomike për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, thotë Skënder Krasniqi, drejtor në Odën e Afarizmit të Kosovës.

Për këtë autostradë, në Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm janë paraparë 200 mijë euro, kurse nga 200 mijë euro të tjera janë paraparë edhe për vitin 2022 dhe 2023, që në përgjithësi i bie 600 mijë euro. Qeveria e Kosovës në fund të muajit tetor ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2021.

Krasniqi: Përqendrimi i fondeve në infrastrukturë, gabim i qeverisë

Përqendrimi i fondeve në projekte të mëdha publike, kryesisht infrastrukturë rrugore, është vendim i gabuar në këtë periudhë krize, thotë Krasniqi duke shtruar se të hyrat buxhetore gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm mund të zvogëlohen.

“Qeveria duhet të përkrahë bizneset, prodhimin vendor, eksportin sepse kemi të bëjmë me një gjendje jashtëzakonisht të keqe në raport eksport-import. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që qeveria prioritet të ketë përkrahjen e bizneseve për tejkalimin e krizës, në mënyrë që të Kosova mos të futet edhe në një katastrofë edhe më të rëndë të zhvillimit ekonomik sepse efektet e pandemisë do barten edhe vitin tjetër”, tha Krasniqi.

Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës, që nga muaji mars i këtij viti, të shkaktuara nga pandemia, sipas përfaqësuesve të bizneseve, vlerësohen të jenë një miliard euro, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune.

Bektashi: Kërkohet menaxhim efektiv i mjeteve buxhetore

Edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se ekonomia po përballet me emergjenca, bizneset për shkak të pandemisë kanë zvogëluar numrin e punëtorëve, rrjedhimisht po rritet edhe shkalla e varfërisë.

Ekonomia në këtë situatë, sipas tij, ka nevojë për përkrahje financiare për bizneset dhe rastet sociale.

“Qeveria duhet të krijojë rezerva financiare me qellim që të krijojnë rezerva për të ndihmuar bizneset që janë para falimentimit, ndoshta gjysma e tyre nuk mund të funksionojnë vitin e ardhshëm. Por, mos të harrojmë se në Kosovë kemi një situatë shumë të vështirë sociale, kështu që kërkohet menaxhim i mirë”, thekson Bektashi.

Krasniqi:Qeveria nuk shqetësohet për zhvillim ekonomik

Por, Skënder Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë, se qeveria nuk po shqetësohet për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Me pasojat e pandemisë bizneset do përballen edhe vitin e ardhshëm. Kështu që qeveria është dashur të ndryshojë strategjinë, qoftë edhe duke hequr dorë nga ndërtimi i kësaj autostrade. Fokus duhet të jetë zhvillimi ekonomik, përmes mbështetjes së bizneseve private nga edhe mbushet buxheti”, thotë ai.

Bektashi: Nëse shkatërrojmë ekonominë nuk na duhen autostradat

Investimet publike të financuara nga buxheti janë të nevojshme, por në këtë kohë mund të pezullohen, thotë Bektashi.

“Nëse ne shkatërrojmë ekonominë, nuk na duhen autostradat dhe as objektet infrastrukturore. Prandaj, qeveria duhet të fokuset sa më shpejtë në rimëkëmbjen dhe në ndihmë të bizneseve. Jo, vetëm qeveria por edhe shumë komuna të veprojnë për të shpëtuar bizneset”, thekson Bektashi.

Autostrada që lidh qytetet Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Prizren, ishte projektuar nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Kjo autostradë llogaritet si një ndër më të gjatat në territorin e Kosovës, me 91 kilometra gjatësi.

Infrastruktura rrugore kryesisht ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç autostradave, investime të mëdha janë përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.

Aktualisht, në proces të ndërtimit është edhe autostrada Prishtinë – Gjilan – Konçul, që pritet të lidhë Kosovën me Serbinë Jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës.

Autostrada e parë e ndërtuar në Kosovë, ishte ajo që e lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”.

Kurse vitin e kaluar ka përfunduar autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Lexo të tjera