Bota

Nga Trump te Biden, nuk pritet ndryshim i madh në qasjen e SHBA-ve karshi Kosovës dhe dialogut me Serbinë

0
nga-trump-te-biden,-nuk-pritet-ndryshim-i-madh-ne-qasjen-e-shba-ve-karshi-kosoves-dhe-dialogut-me-serbine

Por, sa do të ndikojë kjo në qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Kosovës në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër, por edhe karshi procesit të dialogut?

Ekspertët e politikës e shohin si jo shumë të mundshmë që politika e jashtme e SHBA-ve të ndryshojë në masë të madhe nga një president tek tjetri, ose nga njëra parti tek tjetra.

Analisti dhe njohësi i politikës, Ramush Tahiri në një prononcim për lajmi.net është shprehur se zgjedhjet ne Amerikë gjithmonë janë të rëndësishme, por sipas tij, strategjia e SHBA-ve për Ballkanin mbetet e pandryshueshme.

Por, sipas tij, taktika e kryerjes së punëve ndryshon.

“Zgjedhjet në Amerikë janë gjithmonë të rëndësishme sepse SHBA-të janë super-fuqi. Për Kosovën, për Ballkanin, politika amerikane që nga viti i 17-të e këndej është strategji e ndërtuar që nënkupton involvimin e fuqishëm të SHBA-ve në Ballkan për stabilizimin e gjërave. Si strategji kjo është e palëkundshmë. Si taktikë ndryshon.”, tha Tahiri për lajmi.net.

Sipas Tahirit, Kosova e ka pasur përkrahjen e SHBA-ve në çdo kohë dhe sipas tij, kjo përkrahje ka qenë e vyeshme për Kosovën.

“Kosova e ka pasur përkrahjen dhe ia ka parë hajrin edhe republikanëve edhe demokratëve, nuk mund të them kujt më shumë e kujt më pak sepse varësisht situatës e kanë përkrahur Kosovën dhe synimet e popullit të Kosovës. Nuk e mban mend historia që SHBA-të e kanë lënë keq Kosovën në çfarë do pune”, tha Tahiri për lajmi.net.

Në fund, Tahiri është shprehur se Biden e njeh personalisht më mirë rajonin e Ballkanit Perëndimor, por sipas tij kjo nuk ofron ndonjë ndryshim të madh.

Tahiri tha se është e rëndësishme se pavarësisht ndryshimit të presidentëve, qëndrimi i SHBA-ve karshi pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm.

“Tash, Joe Biden e njeh më mirë Ballkanin personalisht më mirë dhe jo për shkak të Trump sepse punët i kryen administrata. Shumica e tyre që kanë qenë kanë prap përgjegjësi. Taktika ndryshon, Trump ka pasur qasje tjetër. Nuk pres ndryshim të madh, ose siç flitet në opinion që Serbia do të sulmohet kushtimisht. SHBA-të janë të interesuara të mbajnë pozicionin e tyre karshi Kosovës dhe karshi Serbisë, por qëndrimi i SHBA-ve karshi Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha Tahiri.

E në anën tjetër, analisti Blerim Burjani thotë se Biden do të jetë shumë konstruktiv mbi sovranitetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës, pasi sipas tij, demokratët i përkrahin kombet e vogla.

“Biden pritet të jetë shumë konstruktiv me pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin territorial të shtetit. Biden dhe demokratët kanë parimet e tyre në politikën ndërkombëtare, përkrahjen e popujve të vegjël numerikisht dhe ruajtja e vlerave të kombeve të vogla, këtë e kanë dëshmuar të gjithë presidentët amerikanë që vijnë nga demokratët.”, tha Burjani.

Tutje, Burjani tha se Serbisë nuk i lejohet as nga demokratët e as nga republikanët që të tentojnë rrëzimin e shtetit të Kosovës dhe sipas tij, Serbia s’ka rrugë tjetër pos njohjes së Kosovës si shtet.

“Serbia nuk do të ketë përkrahje për rrëzimin e shtetit të Kosovës ose copëzimin, këtë nuk ia lejojnë as demokratët e as republikanët, diferencat në politikën amerikane janë shumë të vogla në qasje por në substancë mbeten njëjtë. Pra, Serbia nuk ka rrugë tjetër, por herët a vonë ta pranojë Kosovën si shtet në një modalitet.”, u shpreh ai më tutje.

Krejt në fund, Burjani tha se Kosova nuk do të ndahet territorialisht dhe nuk do të ketë coptime, por sipas tij, qasja e Biden do të jetë në vi me interesat dhe sovranitetin e Kosovës.

“Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se Kosova nuk ndahet territorialisht dhe nuk është koha mesjetare për copëtimë. Serbia është shtet me nacionalizëm dhe ndikim religjioz në politikën e brendshme dhe të jashtme. Pra, Biden do të jetë korrekt me sovranitetin dhe interesat e Kosovës”, tha ai.

Në anën tjetër, ende nuk dihet nëse Biden do të angazhojë të Dërguar Special për dialogun Kosovë – Serbi siç kishte bërë presidenti i SHBA-ve, Donald Trump me Richard Grenell. /Lajmi.net/ 

Lexo të tjera