Opinion

Një kujtim për Xhelën e Grashticës

0
nje-kujtim-per-xhelen-e-grashtices
Shkruan: Mehmet Hajrizi

Të nesërmen e pranimit do të filloja punën, por nuk e dija ku ishte Grashtica. Në shkollën qendrore në Llukar më thanë ta ndiqja rrugën që më çonte në Grashticë. U nisa, por në hyrje të fshatit, aty te Mulliri i Isufit, siç e quajnë vendësit, rruga degëzohej në dy drejtime: njëri shkonte, siç mësova më vonë, për Mramor, kurse tjetri për Prapashticë. Më kishin thënë ta ndiqja drejt rrugën, por drejt paskësh qenë për Mramor. Sidoqoftë arrita te disa shtëpi, por askund nuk po shihja ndonjë objekt t’i ngjante shkollës. Deri aty nuk kisha takuar njeri. Trokita në një derë oborri, të pyesja nëse isha në Grashticë dhe ku ishte shkolla. Më thanë që isha në Lagjen Ugri të Grashticës, por shkolla ishte te Lagjja Balaj, në atë ndarjen tjetër të rrugës te mulliri. Djali që më foli më tha se kishte një rrugë malore këmbësorësh që më nxirrte te shkolla, pa pasur nevojë të kthehesha mbrapsht. Hajde, thashë ta provoj edhe këtë dhe e kaptova malin për të rënë tatëpjetë te shkolla…

***

Shkolla katërvjeçare e Grashticës ishte rreth 12 kilometra larg Prishtinës. Rruga vajtje-ardhje duhej bërë këmbë, kryesisht faqeve të malit për t’iu shmangur baltës. Natyra e Grashticës ka pamje të mahnitshme me bukuritë e saj. Sikur në fshatin tim të lindjes, në Strofc të Vushtrrisë, edhe aty shpalosen njëra pas tjetrës faqe peizazhesh malore që nuk të lodhin duke i shëtitur. Kishte edhe aty Gjytet dhe gjurmë të një kalaje shqiptare. Edhe njerëzit e Grashticës më ngjanin me bashkëfshatarët e mi; punëtorë e të ndershëm, krenarë e trima, bujarë e besnikë, të dashur e modestë…

Po atë vit u regjistrova në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare, ku studioja siç thoshim, pa shkëputje nga puna. Shpërngulja në kryeqytet e familjes ma mundësonte akoma më mirë angazhimin tim paralel, në shkollë dhe në studime.

Grashtica nuk ishte fshat i madh, por harta e tij ishte mbase më e gjerë se e vetë Prishtinës. Lagjet e fshatit, si Sherifaj, Balaj, Ugria, Rrustemaj, Koprani, Shillova etj., i ndanin bjeshkë të tëra, ashtu që nga e para te e fundit duhej ecur këmbë më shumë se një orë. Kjo shpërndarje e lagjeve e bënte të vështirë udhëtimin e nxënësve nëpër male. Për më keq, nga klasa e pestë ata duhej të udhëtonin edhe pesë kilometra të tjerë për të vazhduar klasat e ciklit tjetër shkollor në Llukar. Me të mbaruar klasën e katërt, asnjë vajzë nuk e vazhdonte shkollimin në ato kushte udhëtimi.

Si shumë normalistë, kisha lexuar romanet e Sterjo Spassës, e sidomos ata për Afërditën dhe kisha parë një film për Ndrecë Ndue Gjokën, mësuesin mirditor. Pyesja veten: Çfarë mund të bëja për këtë komunitet më shumë se edukimi i fëmijëve të tij?

Me disa bashkëveprimtarë kishim filluar angazhimin klandestin për çlirimin e Kosovës së robëruar, por objektivat e këtij programi madhor niseshin nga veprime të përditshme, praktike për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për emancipimin shoqëror e kombëtar dhe për përhapjen e ideve të rezistencës kolektive kundër regjimit pushtues. E ndieja veten pjesë të fshatit, sepse shpejt m’u bënë të dashur jo vetëm nxënësit, por edhe fshatarët që bënin jetë të rëndë në varfëri të thellë. Më dhimbseshin sidomos vajzat që nuk mund të shkolloheshin më shumë se katër klasat e para.

Shkolla kishte dy mësonjëtore dhe një kthinë për mësuesit, por duhej të paktën edhe aq hapësirë për ta bërë tetëvjeçare. Në pamundësi të bëhej ndryshe, mendoja që aneksi të ndërtohej me kontributin e vetë fshatarëve. Për fat të keq, ndonëse të vetmuar, në fillim pati përreth zëra mohues, madje edhe obstruksione të ulëta kundër iniciativës, por jo në Grashticë. U kisha thënë se ishim të vendosur bashkë me fshatarët, qoftë edhe me gardh të thurim dy dhoma mësimi, sepse ky ishte vullneti i fshatit.

Pas dy vitesh pune në këtë shkollë, kolektivit tonë të vogël iu bashkëngjit edhe mësuesi i ri nga Grashtica, Faik Krasniqi, i cili sapo kishte mbaruar normalen. Shumë shpejt u shoqëruam dhe kisha filluar përgatitjet në drejtim të organizimit klandestin me të. Dolëm bashkë nëpër fshatin e pllakosur nga varfëria për ta shqyrtuar ndërtimin e aneksit të ri të shkollës. Fillimisht i bindëm disa nga burrat më me ndikim dhe autoritet në fshat, për të vazhduar bashkë si ekip.

Në një prej takimeve me fshatarët, në një odë plot burra, njëri prej tyre e kundërshtoi nismën me arsyetimin se nuk kishin as energji elektrike, as rrugë, kurse ne donim shkollë! Plaku i mençur që na shoqëronte u ngrit në gjunjë dhe gjithë pezëm iu drejtua ashpër atij që foli:

“Mëshile gojën e mos ta niej asni fjalë ma! Çou dil përjashta!”

Ra heshtje varri në odë. U tmerrova nga dilema e shfaqur, por edhe më shumë nga humbja e taktit të plakut që e njihja ndryshe. Thashë me vete, ja ku filloi edhe brenda sherri e dyshimi. M’u kujtua bacë Zeneli, një kushëri imi, veteran i luftës dhe i lëvizjes çlirimtare, që më kishte porositur të sillesha me fshatarët si biri i tyre, të kisha durim me ta, t’i doja e respektoja ata dhe zakonet e tyre, t’u shkoja në mort për ngushëllime dhe të jetoja me hallet e tyre. A do t’i dalim në krye kësaj pune vallë? Por, më vonë mësova se ai që foli paskësh qenë i biri i plakut. Shpëtuam, sepse nuk pati asnjë mëdyshje tjetër në vijim.

Mblodhëm pak para, shtuam edhe ca nga tonat dhe shkuam në Kamenicë për të blerë me çmim pak më të ulët bllokat e ndërtimit, por nuk gjetëm. I blemë në Prishtinë, prej nga u sollën në oborrin e shkollës disa ditë më vonë, si fillim i mbarë dhe nxitje për ta vazhduar punën. Na duhej rëra, hekuri dhe çimentoja për themelet.

I ftuam të rinjtë e fshatit në aksion të nxirrnim rërë nga lumi që zbriste nga bjeshka ndanë rrugës gjarpëruese. Erdhën rreth njëzet prej tyre. Me ta isha dhe unë, kurse Faiku kishte shkuar të siguronte mjete për bartjen e rërës. Ishte fillimi i prillit, prandaj uji i cemtë dhe i rrëmbyeshëm i malit, na i mpiu shpejt këmbët e zbathura. Me lopata në dorë ishim renditur në kolonë përgjatë lumit. Isha në krye të kolonës kur dëgjova nga pas dikë të thoshte i trembur, “po vjen Xhela…, po vjen Xhela!” Ne, pa e ditur kishim hyrë në pjesën ku lumi kalonte nëpër pronën e tij.

“Puna e mbarë!”, dëgjova zërin bas të Xheladin Krasniqit që po më fliste.

E njihja atë burrë prej kohësh dhe më kishin bërë përshtypje tiparet e karakterit burrëror të tij, pastaj fiziku prej korpulenti që me qeleshen e bardhë në kokë, mustakët dhe portreti i tij si në bronz, më kujton edhe sot artistin e madh shqiptar, Sandër Prosi, në rolet e fshatarit… si “Xha Jaho” etj.

“Mbarë paç “, ia ktheva me njëfarë dyshimi.

“Më treguan që dikush po nxjerr zall këtu prandaj erdha të sqarohem me njerëzit se këtu është vendi im dhe po prisja të nxehet moti e të nxjerr për vete do, se do ta bëj një shtëpi, siç po e sheh”, dhe bëri me dorë ku e kishte përgatitur terrenin për themele. “Nuk prita se do të shoh ty këtu”, vazhdoi duke rregulluar plisin në kokë.

“Xhelë, po na duhet rërë për themelet e shkollës e këtu na u duk më përshtatshëm dhe më afër, por nuk e kemi ditur që jemi në pronën tënde dhe që po ndërton shtëpi. Ne që tani do ta ndërpremë punën, duke lënë këtu edhe rërën e nxjerrë dhe duke të kërkuar falje për këtë që bëmë”, i thashë me mirësi. Derisa po flisja vërejta si i lëvizi një nerv facial, sigurisht pa vullnetin e tij, si shprehje e keqardhjes.

“Mehmet, nuk erdha ta kërkoj këtë prej teje, se më treguan djemtë përse jeni këtu. Punën me këta djemtë tuaj do ta vazhdoni e të nxirrni sa t’ju duhet, por druaj bre burrë që do të sëmureni, se uji është shumë i ftohtë, ende ka borë nalt në bjeshkë”.

“Falemnderit shumë Xhelë, por ne vetëm po e ndërrojmë vendin, e punën do ta kryejmë pak më tej”, i thashë i bindur se do të mirëkuptoheshim.

“Pasha Zotin, Mehmet Hajrizi bash prishemi, se për të gjallë temin nuk lëviz prej këtu. Por, dëgjomë mirë; punoni sa të punoni dhe due me më ardhë në odën time, bashkë me këta djem për drekë!”

“Drekën e kemi me vete, se kemi blerë në qytet bukë e me bukë për të gjithë, por edhe këta sa pashë kishin marrë nga shtëpia. Ty të faleminderit për bujarinë, por tjetër herë, e për lëvizjen nga ky vend mos na e prish qejfin, se për ne është njësoj, këtu apo më tutje; vijnë me qerre dhe traktorë dhe e bartin deri te shkolla”.

“Nuk je burrë, bre Mehmet, nëse e vazhdon këtë muhabet. Unë ju pres me bukën e shtruar në orën tre, e ti mos hajde!”

U tha, u bë. Xhela ishte burrë i vendosur dhe kategorik. Vazhduam punën dhe në tre pa një çerek, njëzet e dy punëtorë të zbathur e me pantallona të lagur deri mbi gju, hymë në odën e xha Xhelës. Tri sofra të mëdha u shtruan në odë me nga një gjel të pjekur, pite, kos, djathë e turshi të ruajtura nga vjeshta.

Shkolla e Grashticës u kompletua dhe u bë tetëvjeçare. Pas katër vitesh vajzat e para nga Grashtica vijuan shkollimin e mesëm në Prishtinë…

Isha i lumtur.

***

Më 1999, pas kthimit nga Konferenca e Rambujesë ndodhesha në Zllashë të Malësisë së Gollakut, për të kaluar më vonë në zonën e Llapit. Disa ditë zbrita në Grashticë ku qëndrova në familjen bujare të ish-nxënësit tim, Mehmet Krasniqi, pjesëtar i UÇK-së, por nuk arrita t’i vizitoja shumë miq që kisha në atë fshat të kujtimeve të pashlyeshme në jetën time, midis të cilëve Xheladin burrin. Aty kisha punuar një dyzinë vite, aty kisha jetuar me andrallat e fshatarëve që i doja aq shumë, aty kisha përjetuar kënaqësinë e edukimit të atyre nxënësve të mi të mrekullueshëm, aty në klasë para syve të nxënësve, në fillim të dimrit të vitit 1981 më kishin arrestuar dhe më vonë edhe dënuar me shumë vite burg etj., etj.

Në Zllashë mbaronte Zona e Ushtrisë Çlirimtare e Llapit dhe fillonte ajo e Karadakut. Më 18 prill 1999 filloi ofensiva e forcave serbe që hasi në rezistencën e UÇK-së. Nga kjo ofensivë u vranë pjesëtarë të UÇK-së, por edhe mbi 120 civilë në fshatrat e Gollakut. Ranë dëshmorë edhe Isa Kastrati, bashkëveprimtari im i hershëm, bashkë me dy luftëtarë të rinj, Sokol Sopi dhe Afrim Vitia. Në Grashticë forcat serbe i vranë, ose i rrëmbyen disa fshatarë, si Shqipja, Latifi, Fatmiri, Rasimi, Ibrahimi, Fehmiu, Avdushi, Nysreti, Ilazi, Ismaili, Isa, Hajrizi, Bashkimi, Tahiri dhe Murati.

Xheladin Krasniqi, burrë në moshë, derisa po shihte si policët serbë hynin nëpër shtëpitë e fqinjëve të tij, merr pushkën M-48, e cila gjuante shumë më larg se kallashët e policëve dhe i bashkëngjitet njësitit të UÇK-së në fshat. Në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë katër policë serbë, ndërsa të tjerët që shpëtuan, lidhën një litar në lis, si shenjë kërcënimi për ata që ua vranë bashkëkriminelët.

Më 19 prill 1999 nga forcat serbe ishte kapur nga policia i biri i Xheladinit, Isa, të cilin e ekzekutuan jo shumë larg shkollës së fshatit. Një muaj më vonë forcat serbe kishin arritur ta kapnin edhe Xhaladinin, mikun tim të shtrenjtë. Për herë të fundit e kishin parë si një shtatore para shkollës së fshatit në duar të forcave serbe, të dërmuar nga torturat dhe pa plisin në kokë, siç e mbante gjithmonë.

Jam i sigurt që sado ta kenë dhunuar kriminelët Xheladinin tonë të dashur, sikur edhe plisin t’ia kenë shkelur diku në baltë, dinjitetin e krenarinë e burrit shqiptar kurrë nuk kanë arritur t’ia shkelin e përdhosin.

Lexo të tjera