Lajme

Një muaj paraburgim nënës në Istog që dyshohet se deshi ta vriste të birin

0

Një muaj paraburgim i është caktuar si masë një gruaje në Istog që dyshohet se më 22 shtator kishte tentuar të mbyste të birin e saj nëntëvjeçar.

Gjykata Themelore në Pejë ka bërë të ditur se e pandehura Sh.H, më 22 shtator në shtëpinë e shoqes së saj, dyshohet të ketë goditur me një tel e madje edhe duke tentuar ta ngufaste të birin, pasi fqinjët ishin ankuar se ai po ngacmon fëmijët e tyre.

Në njoftimin e Themelores thuhet se në mes kishte ndërhyrë shoqja, ku e pandehura dhe viktima po qëndronin, duke ndërprerë veprën.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës SH.H, për shkak të dyshimit të bazuar se: Me datë 22.09.2020, rreth orës 18:30, pikërisht në shtëpinë e dëshmitares M.T, tenton ta privojë nga jeta djalin e saj nëntë vjeçar, në atë mënyrë që përderisa po qëndronte për disa ditë tek shoqja e saj, këtu dëshmitarja, për t’i ndihmuar rreth gjendjes shëndetësore të saj, aty kishin shkuar disa fqinj dhe ishin ankuar në djalin e saj, këtu viktimën, se ky po iu drejtohej me fjalë banale dhe po i ngacmonte fëmijët e tyre, veprim ky që e kishte shtyrë të pandehurën që më një kabull (gajtan) ta godiste djalin në pjesë të ndryshme të turpit, e më pas edhe t’ia vendos rreth fytit duke e ngulfatur, por që në atë moment kishte ndërhyrë dëshmitarja, e cila kishte dëgjuar zërin e viktimës duke e thirrur dhe e kishte larguar këtë të fundit nga duart e nënës së tij, e i cili në ato momente po shkumonte nga goja”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, e pandehura dyshohet të ketë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Të enjten, në raportin 24 orësh Policia e Kosovës kishte njoftuar se gruaja nga Istogu ishte dërguar në mbajtje pas ushtrimit të dhunës ndaj të birit.

 

Lexo të tjera