Ekonomi

OAK: Rreth 30 mijë punëtorë janë larguar nga puna

0
oak:-rreth-30-mije-punetore-jane-larguar-nga-puna

Kështu është thënë sot nga Oda e Afarizmit të Kosovës në një konferencë për media me temën “Pandemia dhe vështirësitë e të bërit biznes”.

Anëtari i Bordit të OAK, Hasan Gigollaj, tha se si pasojë gjendjes së rëndë, një numër i konsideruar i bizneseve janë mbyllur dhe fatkeqësisht ky numër është në rritje.

“Bazuar në të dhënat në terren, del se numri i punëtorëve që janë larguar nga puna po sillet rreth 30 mijë dhe nëse vazhdohet me këtë avaz dhe nëse nuk e kemi përkrahjen e shtetit atëherë këto shifra rrezikohet të shkojnë nga 50 mijë deri në 70 mijë qytetarë të papunë”, tha Gigollaj.

Ai ka ritheksuar se disa herë kanë adresuar tek qeveria, por edhe tek deputetët, kërkesat për bizneset por që të njëjtat nuk janë marrë parasysh.

Gigollaj ka kërkuar që sa më parë në Kuvend të miratohet edhe Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Gigollaj: Duket që qeveria dhe deputetët nuk janë të interesuar që të kalojë pakoja për rimëkëmbje ekonomike

“Jemi dëshmitarë që për të disatën herë nuk është duke kaluar Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike. Duket sikur që Qeveria dhe deputetët nuk janë të interesuar për të kaluar kjo pako e cila është kaq e nevojshme dhe e rëndësishme për bizneset dhe vetë qytetarët. Andaj ne si Odë e Afarizmit të Kosovës kërkojmë që të merren parasysh kërkesat tona dhe propozimet tona që kemi adresuar”, tha ai.

Ai po ashtu ka kërkuar të subvencionohen pagat për të punësuarit për periudhën maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator, jo më të ulëta se 220 euro në muaj.

“Të subvencionohen pagat për të punësuarit për periudhën maj, qershor, korrik, gusht, shtator jo më të ulëta se 220 euro për të punësuar në muaj. Lirimi i plotë i lëndës së parë duke respektuar normativat dhe lëndën e parë. Lënda e parë të lirohet sikurse kur ble ehet jashtë vendit ashtu edhe brenda territorit të Kosovës. Krijimi i pakos ku çdo produkt vendor subvencionohet në dalje me 10 përqind ulje. Të subvencionohet eksporti me 10 përqind të shumës së eksportuar, ulja e TVSH-së në 5 përqind për ushqim, turizëm dhe hoteleri, krijimi i fondit për investime dhe zhvillim përmes të cilës mund të realizohen të gjitha këto subvencionime për përkrahjen e bizneseve”, shpjegon ai.

Si dhe lirimi nga pagesa e tatimit në fitim, për kompanitë nga industria që kanë pësuar dëme nga pandemia për periudhën e muajve prill, maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator 2020.

“Sa i përket kredive, OAK kërkon që t’ju lejohet kredi për bizneset me grejsë periudhë deri në dy vjet dhe me afat pagesë deri në 10 vite me garancion 80 deri në 100 përqind të shtetit. Kredia t’iu mundësohet bizneseve edhe për veprime operacionale që përfshinë paga apo shpenzime të tjera. Kreditë të jenë pa interes me grant prej 30 përqind për ndërmarrjet mikro dhe të vogla përmes fondit për garanci kreditore. Ulja e normës bazë të interesit të Bankës Qendrore në 1.7 përqind në mënyrë që bankat komerciale të kenë mundësi të ulin kamatat e tyre. Bazuar në analizën e OAK se si kanë vepruar bankat në vendet e rajonit gjatë kësaj periudhe del që kanë ulur interesin deri në 0.25 përqind përderisa BQK është sjellë si mos të ketë fare pandemi në vend. Po ashtu mosharmonizimi i ligjeve në vend në mes vete paraqet një sfidë tjetër të të bërit biznes. Dhe ne si OAK kemi bërë kërkesë për këto ndryshime”, potencoi ai.

Derisa, zyrtarja ligjore e OAK, Diellza Zeqiri ka folur rreth harmonizimit dhe ndryshimit të ligjeve për arsye të bizneseve dhe investitorëve të huaj.

“Oda e Afarizmit të Kosovës ka disa propozime lidhur me harmonizimin e ligjeve dhe plotësim-ndryshimin e tyre për arsye se bizneseve dhe investitorëve të huaj po iu vështirësohet bërja e biznesit në Kosovës. Si propozime për plotësim të ndryshimit të ligjeve janë kryesisht ndryshimi i udhëzimeve administrative nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rurale cila afekton sidomos në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, minierave, mineraleve dhe turizmit. Po ashtu, Ligji i Punës dhe Lehonisë, Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji i Minierave dhe Mineraleve të ulet TVSH-ja për turizëm dhe ushqime në 5 përqind. TVSH të paguhet në inkasim e jo në faturim, të krijohen oferta për biznesin, Ligji për investime strategjike si dhe ndryshimi i ligjit për shoqëri tregtare”, tha ajo./kp

Lexo të tjera