Lajme

Osmani në takim me Borrell: Të na konsideroni si partner në realizimin e perspektivave evropiane

0
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në ditën e parë të vizitës së tij në Bruksel u takua me Përfaqësuesin e Parë të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe njëherit nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Siç njoftojnë nga kabineti i Osmanit, ministr nga Maqedonia gjatë takimit e përshëndeti angazhimin aktiv të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell, në mbështetjen e perspektivës Evropiane të rajonit, si dhe për iniciativat e ndërmarra për të siguruar paqe, stabilitet dhe prosperitet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, Osmani e falënderoi për kontributin e tij në miratimin e vendimit për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut nga ana e Këshillit të BE-së, dhe më pas konfirmimit nga ana e Këshillit Evropian në mars të këtij viti.

“Drita jeshile për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut ishte demonstrim i gatishmërisë së BE-së për të marrë vendime strategjike dhe vizionare edhe në kohëra sfiduese dhe të vështira të përballjes me krizën e shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Si evropianë, së bashku përballemi me sfidën e virusit dhe vlerësojmë lartë ndihmën urgjente të BE-së të dhënë vendit tonë dhe rajonit në tërësi. Ky është momenti i duhur që BE-ja dhe vendet kandidate ta kuptojnë seriozisht rëndësinë dhe domethënien e solidaritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për të punuar krah për krah për të tejkaluar pasojat socio-ekonomike të pandemisë”, tha Osmani, duke shtuar se mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit, do të jetë mesazh inkurajues edhe për vendet tjera të rajonit, që të bëjnë gjithçka që është në mundësinë e tyre dhe që është e nevojshme, për realizimin e reformave dhe arritjen e kompromiseve për tejkalim të mosmarrëveshjeve bilaterale.

Në këtë drejtim, Osmani me Borellin biseduan edhe për përpjekjet e përbashkëta që Përfaqësuesi i Lartë i bën së bashku me të Dërguarin Special të BE-së, Miroslav Lajçak për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Suksesi i dialogut Prishtinë-Beograd i cili zhvillohet në Bruksel, do të kontribuojë në tejkalimin e dallimeve dhe krijimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt, si bazë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Mund ta konsideroni Maqedoninë e Veriut si një partner të qëndrueshëm në rajon, një vend që është gjithmonë i gatshëm brenda aftësive që ka për të ndihmuar përpjekjet e tilla”, tha Osmani në takim, duke ia përcjell Përfaqësuesit të Lartë, prioritetet e politikës së jashtme, me një fokus të veçantë drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe mbështetjes së iniciativave rajonale.

“Jam i bindur se përvoja dhe angazhimi juaj i çmuar politik, do të kontribuojë për përforcimin e mëtejshëm të rolit të BE-së në skenën globale. Më lejoni gjithashtu që t’ju siguroj se, veçanërisht pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO si anëtare e 30-të, jemi plotësisht të përgatitur dhe të përkushtuar t’i mbështetim përpjekjet tuaja në këtë drejtim, për të përforcuar më tej sigurinë evropiane dhe transatlantike. Çfarëdo qoftë të na sjellë e ardhmja, Maqedonia e Veriut fuqishëm është e vendosur në qëllimin për t’u bërë një demokraci evropiane e qeverisur nga vlerat dhe parimet e tilla, siç janë sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut”, ishin porositë e Osmanit në takimin me Borellin. Takimi Osmani-Borell po zhvillohet në një kohë jashtëzakonisht dinamike për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut, në prag të miratimit të kornizës negociuese dhe caktimit të Konferencës së parë Ndërqeveritare gjatë presidencës gjermane, si fillimi zyrtar i negociatave të anëtarësimit të plotë në BE./KI

Lexo të tjera