Lajme

Pacolli dyshon se shkarkimi i Qalajt është bërë për t’u emëruar dikush “i përshtatshëm”

0

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, vlerëson se shkarkimi i sotëm i Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, mund të ketë një prapavijë.

Ajo në një intervistë në Interaktiv tha se në kohën kur qeverisin partitë PDK dhe LDK, shkarkimet e tilla i bëjnë për t’i shfrytëzuar më pas që t’i emërojnë njerëzit e tyre.

“Ajo që dimë është se zakonisht edhe LDK-ja edhe PDK-ja, të cilat kanë udhëhequr gjatë një periudhe të gjatë në Kosovë, sa herë bëjnë shkarkime, ato bëjnë që t’i plotësojnë pozitat me persona të tjerë, të cilët u përshtaten më shumë nevojave të tyre. Prandaj ne nuk mund të flasim në detaje pse është shkarkuar pa e ditur arsyen. A është shkarkuar pse nuk ka pasur performancë të Policisë apo është shkarkuar për shkak se dikush ka kërkuar ta shkarkojë? Kush i ka kërkuar kryeministrit Hoti ta shkarkojë? A është ministri i Punëve të Brendshme, apo është dikush tjetër brenda LDK-së. Këtë duhet ta thotë kryeministri”, ka thënë ajo.

Pacolli ka kërkuar arsyet e shkarkimit përtej asaj që është dhënë për performancë të dobët. Sipas saj, nëse ka të bëjë me performancën e dobët, atëherë duhet të ketë pasur vërejtje, e që duhet të paraqiten.

“Prandaj them se duhet të ketë një sqarim të z. Hoti. Nëse është shkarkuar për shkak të mungesës së performoncës, atëherë duhet të kemi një raport ose disa vërejtje të cilat i ka marrë z. Qalaj nga z. Hoti. Nëse ka diçka të tillë, atëherë themi në bazë të performancës, por nuk mund ta shkarkosh dikë, të cilin e ke lavdëruar një muaj më parë për punë të mirë”, ka shtuar Pacolli.

Ajo ngul këmbë se në Polici duhen reforma të thella, por jo sa për sy e faqe.

“Rrimë prapa asaj që institucioni i Policisë ka nevojë për reformë të thellë, por jo zëvendësim të dikujt me dikë tjetër”, tha deputetja e VV-së./Express

Lexo të tjera