Për këtë, Osmani ka reaguar pak minuta më parë, përmes një shkrimi në Facebook, ku tha se kjo fitore historike më së shumti i takon qytetarëve të Kosovës.
“Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët e Kosovës gjithnjë e vulosin këtë me besim. Sado e vështirë e me pengesa që ishte kjo rrugë, ju kurrë nuk na latë vetëm. Ishit e mbeteni fuqia jonë më e madhe, ata që na dhatë vullnet në kohë jo të lehta, e entuziazëm e shtytje përpara në kohë të mira”, ka shkruar Osmani.
Ajo nuk la pa falënderuar të gjithë 438 mijë e 334 votuesit e listës, siç e quan ajo, të referendumit.
“Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë ndjenjën e thellë të mirënjohjes për besimin tuaj, prandaj FALEMINDERIT pafundësisht të gjithë 438 mijë e 334 votuesve të listës sonë të referendumit. Zëri juaj kumboi fuqishëm si kurrë më parë.
Nuk ka asgjë më të shenjtë e asnjë përgjegjësi më të rëndësishme se sa ky besim i marrë nga secili prej jush, prandaj do të punojmë që ta kthejmë atë në interes e zhvillim të vendit duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Besimi juaj do të jetë udhërrëfyesi ynë në këtë drejtim”, ka shkruar Osmani.
Osmani pas ndarjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka krijuar listën e saj “Guxo” me të cilën ka garuar edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit si pjesë e listës së Vetëvendosjes.
Ajo ka arritur që bashkë me kandidatët e saj për deputetë të fitojë 7 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët e Kosovës gjithnjë e vulosin këtë…
Posted by Vjosa R. Osmani on Thursday, March 4, 2021