Lajme

PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë, fton VV-në ta dërgojë mocionin në Kuvend

0
pdk-ja-nuk-do-te-jete-pjese-e-qeverise,-fton-vv-ne-ta-dergoje-mocionin-ne-kuvend

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar se kjo parti nuk do t’i bashkohen koalicionit qeverisës.

“Nuk do t’i bashkohemi koalicionit qeverisës. Ne jemi gjatë gjithë kohës në teren dhe kryetari Veseli, strukturat e rinisë dhe partisë në të gjitha nivelet janë në teren me qytetarët e Kosovës dhe po angazhohemi që të forcojmë sepse kjo fazë e rëndë e pandemisë ka kërkuar një vëmendje më të shtuar te qytetarët dhe kemi çdo ditë kërkesa të tyre për tu takuar dhe ne duhet të jemi në teren pranë tyre për t’i përfaqësuar ata në Kuvend”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, mocioni i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë nuk ka qenë serioz, duke theksuar se sapo të sigurohet 40 nënshkrime PDK-ja do veprojë brenda Kuvendit.

Deliu-Kodra tha se me ligjet në fuqi nëse mocioni dështon, do t’i shtohen edhe tre muaj jetëgjatësi kësaj Qeverie.

“Mocioni që në fillim të tij për mënyrën se si është qartësuar nuk ka pasur një seriozitet nga partia e Kurtit. Sapo të sigurohet 40 nënshkrime PDK do të jetë aty për të vepruar brenda kuvendit sapo ky mocion mund të jetë valid në mënyrën që të jetë i ligjshëm brenda Kuvendit”, ka thënë ajo në një intervistë për Ekonomia Online.

“Me ligjet në fuqi nëse mocioni dështon ne do t’ia shtojmë edhe 3 muaj kësaj qeverie. Prandaj kur një mocion nuk është i plotë dhe nuk ka vota për tu votuar në parlament është një ide e cila nuk duket që do të prodhojë diçka”.

Nga marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas saj Kosova e ka humbur rastin për njohjen finale gjithëpërfshirëse, raporton EO.

“Ne e çmojmë rolin e ShBA-së në proceset e bërjes së Kosovës shtet. Kemi shprehur shqetësimet tona sa i përket të ashtuquajturës marrëveshje sepse nuk është marrëveshje por është një dakordim ndërmjet palëve ku dy delegacionet kanë marrë përsipër disa obligime për ti kryer konsiderojmë që Kosova e ka humbur rastin për njohjen finale gjithëpërfshirëse ku dy shtete do të garantonin një njohje të dyanshme dhe kjo është njëra prej qëndrimeve që kryeministri Hoti ka thënë në Kuvend. Delegacioni i Kosovës e ka humbur rastin për të siguruar njohjen e ndërsjellë të obligueshme dhe si pasojë ne do zvarritemi një kohë të gjatë për të pasur diçka konkrete në këtë drejtim”, tha ajo.

Deliu-Kodra konsideron që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe kjo është konfirmuar edhe në Parlamentin Evropian.

Natyrisht sipas saj, duhet të vazhdojë forcimi i bazën ligjore dhe i institucioneve për tu bërë pjesë e BE-së.

“Edhe vetë zyrtarë të bashkimit evropian e thonë në secilin takim që ne i kemi përmbyllur të gjitha kriteret. Natyrisht avokimi ynë duhet të vazhdojë që ta forcojmë bazën ligjore dhe t’i forcojmë institucionet për tu bërë pjesë e BE-së”.

“Kjo çështje ka mbetur te këshilli i ministrave dhe duhet që shtetet të cilat kanë pasur mëdyshje për shkak të telasheve të brendshme që ata i kanë ta qartësojmë pozicionin e tyre dhe ne për këtë presim rol proaktiv të qeverisë që të sigurojë që ky proces për të cilin ne kemi kryer detyrat të marrë epilogun e tij dhe qytetarët t’i marrin sa më shpejt vizat. Jemi vendi i vetëm në Ballkanin perëndimor që vazhdojmë të jemi të izoluar qe një kohë të gjatë dhe duhet që qeveria ta shtojë presionin e saj te këto tri shtete me të cilat duhet të ketë dakordime dhe takime”.

Ajo thotë se që nga përhapja e pandemisë, Kosova është rënduar në zhvillimin e politikave,

Deliu-Kodra përmendi edhe fillimin e vitit të ri shkollor, ku shtoi se menaxhimi ka qenë i dobët dhe me shumë vonesa.

“…tash edhe në fillimin e vitit të ri shkollor mënyra se si institucionet kanë filluar këtë vit shkollor me vonesa dhe aspak të përgatitur dhe kemi parë një dështim të qeverisë duke mos pasur mundësi që të krijojë një plan konkret. Ne e kemi parë vetëm që qeveria Hoti ka dalë me tre ide se si do ti qaset arsimit, kjo na tregon se nuk ka aspak një ide konkrete për mënyrën sesi nxënësit, mësimdhënësit por edhe sistemi arsimor do të funksionojë pas kësaj faze të rëndë të pandemisë”, tha ajo.

Lexo të tjera