Ekonomi

Përkrahje nga shteti për energji diellore kundër ligjore

0
perkrahje-nga-shteti-per-energji-diellore-kunder-ligjore

Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) në takimin e rregullt të 24-të ka shqyrtuar skemën mbështetëse “Tarifa nxitëse për prodhimin shtesë të 20 MW të energjisë diellore/solare në Republikën e Kosovës’, të njoftuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë më datën 18.06.20.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë i është përgjigjur kërkesës së Komisionit si rezultat i procedurës së autorizuar për mbledhjen e të dhënave në lidhje me këtë skemë – nën dyshimin për dhënie të ndihmës së kundërligjshme. Komisioni i Ndihmës Shtetërore kishte filluar procedurën për vendimin e ZRRE për vënien në zbatim të kësaj skeme më 08.05.2020, pas informatave që kishte pranuar përmes medieve.
ZRRE më datë 27.11.2019 kishte marrë vendimin në lidhje me tarifat nxitëse për të përkrahur kapacitete shtesë prej 20 megavat (MWh) të energjisë solare në Kosovë. Vendimi (V_1204_2019) ka caktuar tarifën nxitëse prej 85.5 Euro për Megavatë (MW), duke garantuar kështu çmimin e blerjes për prodhuesit e energjisë diellore/solare, të përzgjedhur mbi bazën ‘kush vjen i pari, shërbehet i pari’, për 12 vitet e ardhshme. Tavani për të përfituar nga kjo masë e ndihmës për prodhues është deri në 3 Megavatë.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se skema e aprovuar nga ZRRE, është e kundërligjshme, duke qenë se ka marrë vendim në lidhje me të, pa e njoftuar dhe pa pasur autorizim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore për përshtatshmërinë e saj me ligjin, duke shkelur kështu nenin 3 të Ligjit për Ndihmën Shtetërore.
Gjithashtu, Komisioni i Ndihmës Shtetërore pasi që ka konstatuar se skema e ZRRE nuk ka përmbushur kushtet e përgjithshme (relevante) të përcaktuara me Udhëzuesin e BE për ndihmën shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë 2014-2020 (EEAG) , bazuar në nenin 14 (1.3) i Ligjit Nr. 05/L-100 për Ndihmën Shtetërore, vendosi që skema “Tarifa nxitëse për prodhimin shtesë të 20 megavat të energjisë diellore/solare në Republikën e Kosovës” është ndihmë shtetërore e ndaluar dhe nuk e ka autorizuar atë.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore përmes këtij vendimi (17/2020) obligon ZRRE që të mos zbatojë skemën mbështetëse në fjalë. Gjithashtu, ZRRE merr për obligim për të njoftuar Komisionin e Ndihmës Shtetërore, në lidhje me hapat e ndërmarrë pas pranimit të këtij vendimi.
Tutje, Komisioni fton ZRRE që me qëllim të përafrimit me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore të lidhur me Burimet e Ripërteritshme të Energjisë (BRE) të fillojë rishikimin e kornizës ligjore duke i hapur rrugë mekanizmave konkurrues të bazuar në kritere të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese të ofertimit (p.sh. formave te ndryshme te ankandeve) në përzgjedhjen e përfituesve nga skemat mbështetëse, dhe zëvendësimin gradual të feed-in tarifës me feed-in primet (ose ngjashëm) konform praktikave të mira dhe në favor të interesit publik.
Vendimi i KNSH në lidhje me skemën e ZRRE do të jetë i qasshëm në Gazetën Zyrtare të Republikës e Kosovës./Lajmi.net/

Lexo të tjera