Lajme

Polarizimi i skajshëm i partive politike/ Cila do të jetë sfida post-elektorale në Kosovë dhe kush me kë do bëjë koalicion?

0
polarizimi-i-skajshem-i-partive-politike/-cila-do-te-jete-sfida-post-elektorale-ne-kosove-dhe-kush-me-ke-do-beje-koalicion?

Përveç dallimeve dhe diskursit të ashpër midis pozitës dhe opozitës aktuale në Kosovë, dallime të mëdha ka edhe midis partive që janë në opozitë por edhe të atyre që janë në pushtet, shkruan lajmi.net.

Nga njëra anë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të ashpra ndaj njëra-tjetrës duke tentuar kështu të tregojnë se cila parti i prinë opozitarizmit para tjetrës, nga ata tjetër shihet gjithashtu dallim i madh midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që qeverisin së bashku.

Gjuha e ashpër midis partive politike ka bërë që të rimendohen pozicionet e tyre dhe aleancat që do t’i lidhin në të ardhmen në rast të zgjedhjeve të reja në Kosovë.

Kush me kë dhe kush kundër kujt janë pyetjet që duhet të shtrohen përpara se Kosova të përballet me një krizë tjetër politike në fazën post-elektorale.

Njohësi i çështjeve politike, analisti Imer Mushkolaj duke folur lidhur me këtë temë ka thënë se partitë politike nuk iu rrinë besnik deklarimeve tyre për mbajtjen e parimeve kur vjen puna tek marrja e pushtetit.

Ai tha se sistemi elektoral në Kosovë e pamundëson marrjen e pushtetit nga vetëm një parti politike kështu që sipas tij, koalicionet janë të domosdoshme.

“Deri tash partitë politike kanë treguar se jo gjithmonë iu qëndrojnë besnike deklarimeve për mbajtje të parimeve por kur vjen koha sidomos për koalicione pas-zgjedhore i thyejnë ato, deri më tani ne mund të flasim për disa sondazhe që vet partitë i bëjnë për ta parë se ku gjenden dhe në bazë të tyre, Vetëvendosja është partia e parë nëse zgjedhjet mbahen shpejtë, por kam përshtypjen se kurdo që të mbahen, Vetëvendosje do të jetë e para. Por Kosova ka një sistem elektoral që nuk e mundëson marrjen e pushtetit nga një parti politike kështu që janë të domosdoshme koalicionet. Pozicioni aktual i VV-së është të mos bëjë koalicion me ndonjë parti politike por besoj se ky qëndrim mund të ndryshojë, duke pasur parasysh sistemin elektoral në Kosovë. Unë s’do të befasohesha që pas zgjedhjeve edhe pse VV presin të fitojnë vota të mjaftueshme bashkë me Vjosa Osmanin për krijimin e qeverisë, unë nuk befasohem nëse AAK-ja do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Gjithmonë duke supozuar që VV-ja të jetë e para”, tha Mushkolaj.

Sipas tij, partitë politike aktuale në pushtet do të mundohen që t’i shtyjnë zgjedhjet sa më shumë që është e mundur për arsye se frikësohen nga rënia në vota.

“Përndryshe, partitë aktuale në pushtet do të bëjnë çmos që zgjedhjet t’i shtyjnë sa më shumë që është e mundur sepse e dinë që do të kenë numër më të vogël të votave në zgjedhje dhe mbajtja e shpejt e tyre do të ishte një lloj debakli politik për to”, tha Mushkolaj.

I pyetur rreth mundësisë të një koalicioni midis Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mushkolaj tha se nuk përjashtohet një mundësi e tillë duke e ditur që LDK-ja i fshin gjithmonë vijat e kuqe kur vjen te pushteti.

Por, sipas Mushkolajt, nëse ndodh në zgjedhje ajo që po ndodh në sondazhe ku Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë, atëherë nuk përjashtohet mundësia e një koalicioni të kësaj të fundit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Nëse ndonjëra nga këto dy parti del e para dhe ka mundësinë e krijimit të qeverisë, unë nuk e përjashtoj mundësinë e një koalicioni të tillë sepse kanë treguar edhe në të kaluarën LDK-ja se kur vjen puna te pushteti i fshijnë vijat e kuqe, kështu që nuk është befasuese një koalicion i tillë, por gjithçka varet nga rezultati i zgjedhjeve megjithëse deri më tani me logjikën që nëse VV është e para nuk përjashtohet koalicioni me AAK-në, jo pse këto dy parti e duan mbase bashkëpunimin mes vete, por sistemi elektoral e determinon koalicionin”, tha Mushkolaj.

E sa i përket mundësisë së koalicionit midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Mushkolaj tha se partitë politike në Kosovë kanë karakter fluid dhe se bashkëpunimet midis partive politike nuk duhet të mohohen.

Ai tutje tha se ideja e vijave të kuqe është “budallallëk” dhe se partitë politike në Kosovë domosdoshmërisht duhet të bashkëpunojnë mes vete ndërsa vija të kuqe sipas tij mund të ketë për individë, por jo për parti si tërësi.

Partitë politike në Kosovë janë fluide kështu që mund të ndryshojnë dhe mund të funksionojnë nga brenda ndryshe nga se funksionojnë tash, VV-ja e ka pasur një qëndrim dikur që e ka edhe tani se me PDK-në nuk bën koalicion pa qëndruar një mandat në opozitë. Varet shumë se çfarë do të ndodh nga Specialja me z.Veseli, por nuk do të befasohesha nëse VV bashkëpunon me PDK nëse e mbanë premtimin për qëndrimin në opozitë të PDK-së dhe pastaj të bashkëpunohet. Në fund të fundit, këto parti janë në Kosovë dhe bashkëpunimi duhet të ndodh mes tyre dhe vendosja e vijave të kuqe është një lloj budallallëku sepse mund të ketë vija të kuqe për persona brenda partive politike, por jo për krejt partinë sepse gjithë PDK-ja kushtimisht themi nuk është më e keqja siç e konsideron VV-ja, por as VV-ja e partitë tjera s’janë më e keqja siç mund të konsiderohen nga rivalët”, tha Mushkolaj në fund.

Për faktin se partitë nuk u qëndrojnë besnike parimeve të tyre shprehet njëjtë edhe analisti Rasim Alija. Ai thotë se marrja dhe ndarja e pushtetit i bën partitë politike që të lëvizin nga pozicionet dhe diskurset që krijojnë ndaj njëra-tjetrës.

“E para është një indikator shumë i rëndësishëm pa marrë parasysh se çfarë deklarata kanë dhënë këto parti politike ndaj njëra-tjetrës, gjatë fushatave zgjedhore por edhe gjatë qeverisjeve, akuza e kundër-akuza, është parë që kur vjen në pyetje marrja dhe ndarja e pushtetit si pasojë e rezultateve zgjedhore dhe koalicioneve, i heqin vijat e kuqe. Në fakt ajo që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit është që ka tentuar ta shtyj idenë e vendosjes së vijave të kuqe edhe nga subjektet e tjera politike për subjekte të tjera politike.”, tha Alija.

Sipas analistit Alija, në zgjedhjet e ardhshme partitë politike do të hyjnë pa vija të kuqe. Sipas tij, përveç Vetëvendosjes partitë tjera do të jenë të hapura për bashkëpunime dhe koalicione.

“Por, nuk do të jetë njëjtë nëse mbahen zgjedhjet sepse nuk do të ketë më vija të kuqe. Mirëpo edhe pse ka shumë divergjenca si subjekte politike me shumicën e gjërave, do të jetë gati se e pamundur që të mbajnë qëndrime të tilla, kjo për faktin se do t’i heqin vijat e kuqe, sepse asnjë subjekt politik sistemi zgjedhor nuk e lejon të mbajnë vija të kuqe sepse do të mbeteshin pa ardhur asnjëherë në pushtet dhe pa qenë pjesë e qeverisjes. Kjo do të bie si teori, unë besoj që herdokur shkohet në zgjedhje nuk do të ketë vija të kuqe, përveç Vetëvendosjes, por kemi parë që edhe VV kemi parë që në raste të caktuara i ka plasuar publikut në emër të saj në emër të ndryshimit ka arritur t’i heqë disa vija të kuqe, rasti i koalicionit me LDK-në, nuk e përjashtoj mundësinë që secili subjekt politik me tjetrin mund të qeverisin, por ka rëndësi edhe rezultati zgjedhor në momentin kur do të kishim zgjedhje”, tha Alija.

Lidhur me mundësinë e koalicionit PDK- VV, Alija thotë se nuk mund të mohohet nga ky pozicion. Por, sipas tij, elektorati i dy partive mund të jetë pika e ndryshimit pasi që janë elektorate që nuk e durojnë njëra-tjetrën.

“Parimisht nuk mund të parashikojmë një përgjigje me po ose jo, gjithçka është e mundur, si rezultat edhe nuk mund ta përjashtoj mundësinë që LVV dhe PDK mund të jenë bashkë në qeverisje, mirëpo në anën tjetër duke parë historinë e këtyre dy subjekteve politike, narracionin që e kanë krijuar, duket goxha e pamundur dhe e pabesueshme që të mund t bëhen së bashku. Mbi të gjitha duke e patur parasysh elektoratin e tyre sepse janë elektorate që s’mund ta durojnë njëra-tjetrën dhe kjo mund t’iu kushtojë me vota pastaj. Por, ajo iu mbetet subjekteve politike që në rrethana të caktuara të vlerësojnë a mund të ketë koalicion mes tyre, por nuk e përjashtoj mundësinë absolute të koalicionit midis këtyre dy partive politike. Mbi të gjitha, nëse LVV hapat që i bën PDK-ja i sheh si reformë e PDK-së nga brenda, pra mund t’i shitet publikisht që PDK-ja tani është reformuar dhe si e tillë i plotëson kushtet të qeverisë me LVV-në por nuk e di sa do të pranohej nga PDK-ja ky narracion.” tha Alija në fund.

Megjithatë, nga pozicioni aktual, partitë politike janë secila kundër secilës por mbetet të shihet se çfarë do të ndodh pas zgjedhjeve në Kosovë. /Lajmi.net/ 

 

Lexo të tjera