Lajme

Presidenti kroat deklarohet për ‘dokumentin’ që parasheh ridefinimin e kufijve në Ballkan

0
presidenti-kroat-deklarohet-per-‘dokumentin’-qe-parasheh-ridefinimin-e-kufijve-ne-ballkan

Ditët e fundit, në fokus të mediave në rajon ishte një ‘non-paper’ i pretenduar për ndryshimin e kufijve të shteteve të Ballkanit dhe riorganizimin e tyre mbi baza etnike, ku përfshihet edhe Kosova dhe Shqipëria, e që si autorë të këtij dokumenti përmenden zyrtarët e lartë shtetëror sllovenë, të cilët një gjë të tillë e kanë mohuar, shkruan gazeta kroate “Index.hr”.

Lidhur më këto pretendime ka folur edhe presidenti kroat Zoran Milanoviq.

“Kur bëhet fjalë për shpërbërjen paqësore të Bosnjës e Hercegovinës, kjo është një temë aq jo serioze dhe e rrezikshme e cila nuk duhet të vihet as në ‘non-paper’, kushdo që do ta ketë bërë atë”, ka thënë presidenti kroat, përcjell Telegrafi.

“Çfarëdo ndarje paqësore – Kroacia deri te Drina, Beogradi deri te Una – nuk vjen në shprehje. Dhe në atë kuptim, ai ‘non-paper është një ‘big sh*t’”, ka deklaruar Milanoviq.

Presidenti slloven Borut Pahor tha të premten në një konferencë shtypi se ai është i përkushtuar për integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe se angazhohet për përshpejtimin e anëtarësimit në BE të gjitha vendeve të rajonit.

Kryeministri slloven Janez Jansha gjithashtu ka mohuar dërgimin e ndonjë ‘non-paer’ në Bruksel, kurse mediat e afërta me të thanë se këto akuza ishin një përpjekje nga opozita e brendshme [sllovene] për të kompromentuar kryeministrin para se Sllovenia të marrë presidencën e BE-së në fillim të korrikut.

Presidenti kroat thotë se shpreson që dokumenti jozyrtar diplomatik të mos ketë dalë nga Lubjana, sepse “objektivisht, unë i respektoj ata shumë dhe nuk mendoj se ata janë aq të ‘krrisur’”, thotë presidenti.

“Pavarësisht nëse vjen nga ai (Jansha) apo jo, për këtë nuk kam ide, por do t’i thosha cilitdo që është autori të mbajë duart larg nga Bosnja dhe Hercegovina”, vuri në dukje Milanoviq.

Për kryeministrin slloven, Milanoviq thotë se “ai di të jetë shumë i tmerrshëm dhe edhe diçka tjetër përveç kësaj.

“Ai, Jansha, në fakt, ishte nuk dua të them i mirë ndaj Kroacisë, por ishte e qartë se pas tij kishte një mbështetje që është e vazhdueshme në politikën sllovene dhe kjo është arsyeja pse ai ndonjëherë më befasoi me disa qëndrime të tij konstruktive, pavarësisht nga fakti se ai di të thotë shumë”, tha Milanoviq.

Ai hedh poshtë mundësinë e shpërbërjes së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe kërkoi që kroatëve t’u kthehen të drejtat e tyre themelore kushtetuese nga Dejtoni.

Lexo të tjera