Lajme

Pronare dhe drejtoreshë/ Adelina Grainca e VV-së ndodhet në konflikt të interesit

0
pronare-dhe-drejtoreshe/-adelina-grainca-e-vv-se-ndodhet-ne-konflikt-te-interesit

Ajo vjen nga një familje biznesmenësh, por është edhe vetë ndërmarrëse, shkruan lajmi.net.

Grainca është pronare e kompanisë “GZ Group” në Ferizaj që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve.

Ajo e kishte hapur këtë biznes që tashmë është i suksesshëm në treg, kur ishte vetëm 19 vjeçare, ose fiks më datë 8 janar 2019, dhe si person i lartë zyrtar që klasifikohet sipas ligjit, ajo ndodhet në konflikt të interesit.

Referuar ueb-faqes së ARBK-së shihet e Grainca pos që është pronare, është edhe person i autorizuar dhe drejtoreshë në këtë ndërmarrje. Ndërsa, sipas ueb-faqes se ATK-së biznesi saj është tatimpagues aktiv.

Sipas Ligjit nr 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin  e Funksionit Publik, zyrtari i lartë nuk mund të jetë person i autorizuar në biznes, apo menaxher, sepse kjo situatë paraqet gjendje të papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit publik, dhe bie ndesh me nenin 13, paragrafi 1 ku thuhet se “Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtarë i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik privat, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit”.

Grainca nuk ka dashur të jap përgjigje për lajmi.net lidhur më atë, nëse është akoma person i autorizuar në kompani.

 

Tashmë deputetja e Vetëvendosjes, që braktisi PDK-në, ishte e 17-ta me radhë në listën fituese të PDK-së. Ajo befasoi të dielën, kur u shfaq në Kuvend bashkë me Albin Kurtin, për të konfirmuar më pas se i është bashkuar grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Si pjesë e PDK-së ajo ka pasur numrin 99 dhe kishte arritur të mbledhë 7 mijë e 153 vota. Kjo ishte hera e parë për të që i kishte hyrë garës për deputete.

“Kam vendosur t’i hyj garës për deputete në Parlamentin e Kosovës. Jam e nderuar që jam pjesë e Listës së Rimëkëmbjes, të Partisë Demokratike të Kosovës. Në këtë listë, unë kam numrin 99. Në vitin e fundit, shteti ynë është përballur me situata jo të lehta, të cilat e kanë rënduar ekonominë tonë dhe perspektiven e shtetit tonë. Studimet dhe përvoja ime në fushën e ekonomisë më kanë dhënë mundësi që ta njoh më mirë vendin tonë, potencialin që ka dhe sfidat që i dalin rrugës”, ka shkruar ajo në faqen e saj në Facebook në kohën sa ishte në garë për deputete

Tutje thoshte se Kosova ka nevojë për rimëkëmbje në shumë sektorë, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në sundimin e ligjit dhe në politikën e jashtme, ndërsa shtonte se PDK ka programin dhe ekipin më të mirë që ta kthejë Kosovën në rrugën e duhur.

“Ju ftoj të gjithëve që të na bashkoheni në këtë qëllim”, shkruante ajo.

Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje deputetes Adelina Grainca ta dorëzojë mandatin, që sipas tij, e fitoi në emër dhe nga votuesit e PDK-së.

Gjoshi përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se pasi ajo ta dorëzon mandatin, mund të kalojë në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Adelinë, dorëzoje mandatin që e fitove në emër të PDK-së dhe nga votuesit e dashur të PDK-së. Dorëzoje mandatin që nuk i takon Vetëvendosjes dhe as Albin Kurtit sepse atë ta dhanë votuesit besnik të PDK-së. Kur ta dorëzon mandatin shko në VV ose ku të duash. Madje mund edhe të shesësh moral mbi tregtimin e paprecedent të mandatit te Vetëvendosje”, ka shkruar shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit. /Lajmi.net/

Lexo të tjera