Lajme

Pse po rikthehet Ministria e Integrimeve, a po i bëhet vend PDK’së në Qeveri?

0

Me shumicë votash është shfuqizuar vendimi i Qeverisë Nr. 09/24 të datës 14.08.2020 për aprovimin e Koncept Dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian. Tashmë do të rikthehet Ministria e Integrimeve Evropiane.

Ky zhvillim në Qeveri vjen pas fjalëve të shumta rreth zgjerimit të koalicionit, kërkesë kjo eksplicite edhe e kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës.

Nga Partia Demokratike e Kosovës ndërkohë nuk e kanë mohuar përfshirjen në ekzekutiv. Sami Lushtaku pati deklaruar se PDK hyn në qeveri nëse i jepet pozita e presidentit apo kryeministrit.

“Parashtrojmë për shqyrtim dhe miratim, propozim-vendimin për shfuqizimin e vendimit të qeverisë të datës 14 gusht 2020 për aprovimin e koncept-dokumentin për themelimin e agjencisë e agjencisë për integrim evropian. Pas aprovimit të këtij vendimi obligohen autoritetet përkatëse që të zbatojnë këtë vendim. Ky vendim hyn në fuqi në datën e publikimit në Gazetën Zyrtare”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj.

Gazeta Express ka raportuar sot nga burime të sigurta brenda Qeverisë së Kosovës se në mbledhje do të diskutohen 16 pika të ndryshme, por pika numër 5 do të shqyrtojë një propozim-vendim me anë të të cilit mund të shtohet një ministri e re.

Qeveria Hoti ka 16 ministri dhe katër zv/kryeministra, ndërsa Ministria e Integrimeve Evropiane ishte shuar, derisa sot hapi rrugët e formimit të një ministrie shtesë./Gazeta Express/

Lexo të tjera