Ekonomi

Qeveria duhet të trajtojë me kujdes humbjet e industrisë së rëndë nga pandemia

0
qeveria-duhet-te-trajtoje-me-kujdes-humbjet-e-industrise-se-rende-nga-pandemia

Genci Beribashi, koordinator i projektit në NewCo Ferronikeli, potencoi faktin se gjatë kohës së pandemisë mbijetesa e kompanive të industrisë së rëndë, përkatësisht metalurgjisë dhe sektorit minerar varen jo vetëm nga masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës por edhe nga tregjet ndërkombëtare që kanë ndikim direkt në përfitimet nga eksporti. Ai potencoi se veprimtaritë e Ferronikelit sjellin një vlerë të shtuar në ekonominë e Kosovës, marrë parasysh faktin se kjo kompani shënon 40% të eksporteve të vendit. Sipas tij, nga mosvazhdimi i veprimtarisë së Ferronikelit ekonomia e Kosovës ka humbur 8 deri në 9 milionë euro në muaj, ndërsa masat konkrete që mund të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar kompanitë e këtij sektori janë reduktimi i taksave lidhur me rentat minerare dhe reduktimi i tarifave për energjinë elektrike, si dhe garantimi i kredive të buta.

Valbone Dushi, udhëheqëse e Departamentit të Industrisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, duke iu referuar disa statistikave të nxjerra nga raportet e kësaj ministrie theksoi se gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 është vërejtur një trend pozitiv i rritjes së pjesëmarrjes së industrisë prodhuese në Bruto Produktin Vendor, derisa gjithashtu cilësoi si aspekt pozitiv rënien e importeve në Kosovë. Sipas saj, disa nga problematikat me të cilat është përballur kjo industri kanë qenë ndalja e investimeve kapitale dhe atyre të huaja. Dushi gjithashtu tha se gjatë krijimit të masave kundër efekteve të pandemisë janë marrë parasysh rekomandimet nga akterët si odat ekonomike dhe komuniteti i bizneseve, gjersa shtoi se me miratimin e programit për rimëkëmbje ekonomike kjo ministri do të ofrojë më shumë përkrahje për industrinë përpunuese si dhe për sektorët e tjerë të afektuar negativisht nga pandemia.

Hysen Vrajolli, udhëheqës i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Trepça, përmendi faktin se ndërmarrja që ai përfaqëson është goditur mjaft rëndë, marrë parasysh faktin se është minierë nëntokësore prandaj shumica e masave mbrojtëse kundër virusit siç është mbajtja e distancës nuk kanë qenë të aplikueshme për punëtorët e Trepçës. Vrajolli gjithashtu potencoi se rënia drastike e çmimeve në bursa ndërkombëtare, çrregullimet në zinxhirët furnizues dhe bllokimi i mineraleve në platforma transportuese kanë shkaktuar vonesa në përmbushjen e detyrimeve të përfshira në kontratat që Trepça ka lidhur me palë, duke krijuar kështu sfida në vete për kompaninë. Tutje, ai theksoi se Trepça është mbështetur nga Qeveria e Kosovës përmes subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë eurove gjatë muajve të parë të pandemisë, duke theksuar se subvencionimi i stoqeve do të ishte njëra nga masat më efikase për të siguruar vijimësinë e veprimtarive të ndërmarrjeve që i përkasin industrisë së rëndë. /Lajmi.net/

Lexo të tjera